Prof.dr. Eshref Ymeri
Mbarë populli shqiptar në trojet tona etnike, është në pritje të aktit të tretë të tradhtisë së lartë. Kjo është një gjendje ankthi, që janë duke e përjetuar të gjithë ata bashkëkombasit tanë, deri larg në diasporë, të cilët janë të edukuar me ndjenjën e dinjitetit të lartë kombëtar.
Në një shënim të shkurtër, me titull “Akti i tradhtisë së lartë”, të botuar në internet më 26 mars 2020, pata theksuar se rrëzimi i qeverisë Kurti ishte një akt i tillë. Kuvendi i Kosovës, me shumicë deputetësh mercenarë, në shërbim të Beogradit, e rrëzoi qeverinë Kurti, sepse në programin e saj, ajo, mes shumë objektivave, kishte shpalosur dy prej tyre, të cilët ishin të një rëndësie të jashtëzakonshme:
1. Shpronësimin e të gjitha pasurive të paligjshme të oligarkëve politikë.
2. Ngritjen e padisë kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për vënien e saj para përgjegjësië materiale për dëmshpërblimin e të gjitha masakrave dhe shkatërrimeve që ajo pati kryer në Kosovë gjatë viteve ’90.
Këto dy objektiva e alarmuan tmerrësisht shumicën e deputetëve mercenarë, sepse u prekeshin rëndë interesat e tyre, si hajdutë të oligarkisë politike. Veç kësaj, padia kundër Serbisë, ishte largim nga misioni i tyre antikombëtar, mision ky, i kryesuar nga Thaçi për mbrojtjen e interesave të Serbisë, në përputhje me detyrat që ajo u kishte vënë për të mos ngritur kurrë padi kundër saj. Këtë mision, Thaçi, duke shkelur mbi gjakun e dëshmorëve, mbi nderin dhe mbi dinjitetin e popullit shqiptar të Kosovës, mbi nderin dhe mbi dinjitetin e 20 mijë vajzave dhe zonjave kosovare, të cilat i poshtëroi aq barbarisht egërsia e kriminelëve serbë, e pati kryer në mënyrën më shembullore, që prej takimit të parë me përfaqësuesit serbë në Bruksel më 19 prill 2013.
Akti i dytë i tradhtisë së lartë u krye më 04 shtator, në Marrëveshjen e Vashingtonit. Përgatitja e këtij Akti pati filluar që në Kuvendin e shumicës mercenare të deputetëve, e cila nuk aprovoi paraprakisht platformën e prezantimit të delegacionit kosovar në takimin e Vashingtonit. Në atë platformë, kryeministrit mumje të Kosovës dhe anëtarëve të delegacionit të tij, u duheshin dhënë porosi të prera që, në takimin me Vuçiçin, në prani të palës amerikane, të mos bëhej absolutisht kurrfarë lëshimi nga pikat e asaj platforme. Prandaj ndodhi ajo që ndodhi: kur Vuçiçi, agai i kryeministrit Hoti dhe i pjesëtarëve mercenarë të delegacionit, kërkoi që pika për njohjen e pavarësisë të hiqej nga diskutimi, kryeministri mumje Hoti dhe ata që e shoqëronin, si njerëz të dobët dhe servilë, ranë në bark në mënyrën më vetëposhtëruese para serbosllavizmit, në prani palës amerikane, në vend që të çoheshin nga tryeza e bisedimeve dhe të braktisnin takimin.
Ky qëndrim revoltues i mumjeve të delegacionit kosovar, që drejtohej nga kryemumja Hoti, më kujtoi një shprehje bukur të goditur të shkrimtarit dhe të poetit brazilian Paulo Koelo (Paulo Coelho - 1947), në të cilën thuhet:
“Njerëzit e dobët, në të gjitha kuptimet e kësaj fjale, janë të prirur për tradhti, çka është pasojë e mungesës së forcës së vullnetit, e mungesës së karakterit, e nivelit të ulët të zhvillimit intelektual, e varfërisë shpirtërore dhe morale”.
Në raste të tilla vendimtare në takime ndërkombëtare, dobësia, servilizmi dhe vetëposhtërimi para bashkëbiseduesit të huaj, është baras me tradhti kombëtare. Sepse marrëveshjet ekonomike me Serbinë, pa një marrëveshje politike fillimisht, janë një zero me xhufkë. Por, në këtë mes, nuk ka asgjë për t’u çuditur. Për arsye se delgacioni kosovar, me në krye një kryeministër pa kurrfarë dinjiteti kombëtar, nuk mund të mbante tjetër qëndrim. Sepse nuk mund të lëvizte nga piketat tradicionale që Beogradi kishte vënë para argatit të vet Enver Hoxha që më 08 nëntor 1941. Prandaj jo më kot argati i Beogradit Thaçi, Enver Hoxhën e ka pasur dhe vazhdon ta ketë kultin e jetës së vet.
Akti i tretë i tradhtisë së lartë pritet të ndodhë në Kuvendin e Kosovës, nëse do ta aprovojë Marrëveshjen e Vashingtonit.
Dukuria tradhti është e njohur në mbarë botën. Por, fatkeqësisht, në historinë e kombit shqiptar, ajo ka pasur dhe vazhdon të ketë përmasa tragjike në radhët e politikanëve shqiptarë. Gjatë përsiatjeve për një dukuri të tillë të shëmtuar, mendova se do të ishte mjaft interesante t’u propozoja lexuesve të nderuar një ese fort kuptimplote të një analisti të njohur të botës arabe, në të cilën ai bën fjalë për psikologjinë e tradhtisë. Po e jap të plotë në vijim.
“Është interesante, a mundet ndokush nga ata që e ka tradhtuar njëherë mikun, çështjen ose atdheun, të na shpjegojë psikologjinë e tradhtisë?
A e keni vrarë mendjen ndonjëherë se cila është gjendja psikike e tradhtarit? Kohët e fundit unë kam përsiatur gjatë për këtë çështje. Askush nuk i kursen përpjekjet e veta për të demaskuar ata që kryejnë një veprim të pabesë. Po, në themel të atij veprimi është pozicioni kriminal, por mua më shqetëson diçka tjetër. Për mua është interesant jo aq komponenti kriminal i tradhtisë, sesa psikologjia e tradhtarit dhe baza psikologjike e veprimeve të tij. Nëse tradhtinë do ta trajtojmë si krim dhe mëkat, atëherë ka rëndësi që të nxjerrim në pah jo vetëm motivet e kësaj bëme, por edhe të kuptojmë se si ajo ndikon mbi psikikën e njeriut.
Natyrisht, më e drejtë është t’i drejtohesh këndvështrimit të psikologut ose të psikiatrit. Por unë jam munduar ta kuptoj psikologjinë e tradhtisë nëpërmjet gjykimeve dhe vëzhgimeve personale. E pranoj se ka mundësi që të mos kem qenë në gjendje ta bëj një gjë të tillë plotësisht.
Po ndaj me lexuesit disa ide që më kanë lindur në kokë.
Si ta përshkruash gjendjen psikike të njeriut, i cili tradhton mikun e vet, bashkëluftëtarin?
Përfytyroni për një çast kur njeriu juaj i afërt, me të cilin keni ecur dorë për dorë për vite me radhë, doli keqbërës. Me të marrë vesh tradhtinë e tij, ju, natyrisht, do të shtroni menjëherë pyetjen: “Pse e bëri këtë?”. Në këto e sipër, ju lindin edhe pyetje të tjera: “Kur i paska lindur në kokë mendimi për kryerjen e tradhtisë?. Kur ne bashkë kemi ndarë tryezën, kemi falur namazin, kemi përballuar bashkë një rrugë të gjatë, kemi bërë shaka me njëri-tjetrin? A dëshironte vallë të më bënte keq kur më shikonte dhe buzëqeshte?”. Mendoj se nuk është kështu, ndryshe një qëndrim të tillë mund ta përfshish në listën e sëmundjeve psikike.
Në qoftë se gjatë takimit me një armik, rival ose kokurrent, njeriu buzëqesh në një mënyrë të shtirur, kurse me vete thotë: “Do të vijë edhe ora e ndëshkimit tend”, kësaj mund t’i gjendet një shpjegim i arsyeshëm. Por në qoftë se fjala është jo për armikun ose për rivalin, por për mikun tuaj, me të cilin keni ndjekur prej kohësh të njëjtën rrugë, atëherë gjasat janë se këtu kemi të bëjmë me një tjetër psikologji. Pasi e ka larguar nga koka mendimin për miqësinë shumëvjeçare, ai duhet të krijojë një përfytyrim kaq negativ për ju, saqë të arrijë të kryejë një poshtërsi ndaj shokut dhe mikut të tij të vjetër.
Ç’gjendje psikike është ajo që të nxit të kryesh një krim shtetëror? Si mund të tradhtohet atdheu ku ke lerë, ku jetojnë prindërit e tu, familja, ku kanë burimin kujtimet më të shkëlqyera? Për çfarë mendon tradhtari, cila është logjika e tij orientuese kur ai i përcjell ndonjë shteti tjetër sekretet që ruan atdheu i tij? Në ç’masë paratë janë një argument i mjaftueshëm për justifikimin e tradhtisë? Mendoj se çështja nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Dikush vërtet mund të pasurohet kur merr një shpërblim në të holla në shkëmbim të tradhtisë, por ama paratë, besoj, janë të pamjaftueshme për vetë faktin e kryerjes së kësaj tradhtie.
Çështja më interesante lidhet me pyetjen e mëposhtme:
Dikush që ka tradhtuar mikun, atdheun ose familjen, në ç’mënyrë e justifikon tradhtinë para vetvetes? Jam i bindur se deri në momentin e kryerjes së tradhtisë, tradhtari përjeton një luftë të vërtetë brenda vetvetes. Çfarë i thotë një zë i brendshëm i së keqes? Me siguri që ai i jep urdhër: “Ti duhet ta tradhtosh atdheun tend”. Kam mendimin se ai zë e bind në këtë mënyrë: “Kjo nuk është tradhti, kjo është revoltë kundër padrejtësisë”. Për kryerjen e së keqes kundër mikut, ai zë mund ta nxitë në këtë mënyrë: “Po, gjatë shumë viteve ai ka pasë qenë miku yt, por, në thelb, ai të ka shtypur”.
Por ama ekziston edhe një zë i brendshëm i së mirës. Kam bindjen se ai zë ushton në një mënyrë shurdhuese: “Kjo është tradhti, mos e bëj në asnjë mënyrë një gjë të tillë”. Sipas jush, në ç’mënyrë i kalon netët njeriu që ka dëgjuar këtë zë, por që ka parapëlqyer t’i bindet atij zërit tjetës? A mundohet ai vallë ta shuajë zërin e brendshëm të së mirës, i cili i thotë: “Ti po kryen tradhti. Hiq dorë nga kjo rrugë sa s’është vonë”. A e përjeton ai ndjenjën e pendesës kur është duke përsiatur për tradhtinë?
Tradhtia është një veprim i ndërgjegjshëm i njeriut. Ajo është një krim i paramenduar, para kryerjes së të cilit hartohet një plan, përpunohet një ide, përdoret një logjikë. Mandej merret vendimi pë kryerjen e tradhtisë. Pikërisht për këtë arsye, çmimi i tradhtisë është shumë i lartë. Njeriu nuk mund të bëhet tradhtar në çastin e një indinjate ose kur i shpërthen tërbimi.
Tradhtia është një e keqe që kërkon përhershmëri. Kjo është një e keqe që ka vazhdimësi”(Citohet sipas: Ali Nur Kutlu: “Psikologjia e tradhtisë”. Faqja e internetit “Molot”. 18 shkurt 2018).
Ka shumtë të drejtë analisti arab. Tradhtia e kastës politike shqiptare në atdheun amë, në shërbim të grekosllavizmit, është në përhershmërinë dhe në vazhdimësinë e vet, që prej 08 nëntorit 1941. Po ashtu, në përhershmrinë dhe në vazhdimësinë e vet është edhe tradhtia e kastës politike të Republikës së Kosovs në shërbim të serbosllavizmit, tradhti që filloi që asokohe kur Thaçi, pa nisur lufta ende, hyri në shërbim të Beogradit, mandej u vendos në krye të UÇK-së dhe grumbulloi rreth vetes bandën e tij, për të vrarë kundërshtarët politikë gjatë dhe pas luftës, ashtu si edhe krimineli Enver Hoxha, për ta grabitur dhe poshtëruar popullin kosovar, duke e katandisur në gjendjen e sotme të mjeruar. Qeveria Kurti shërbeu si një rreze drite në botën e errësirës së oligarkisë kriminale politike kosovare, por që Thaçi, me ndihmën e bandës rreth vetes dhe të mikut të Serbisë, homoseksualit Grenell, i lëvizi të gjithë gurët e tradhtisë për ta shuar.
Comments