
E rrotulloi me një lëvizje të shpejtë dore atë kapak prej metali. Përpara i u shfaq sipërfaqja e atij lëngu në ngjyrë vishnje gati të errët. U përkul mbi të. Aty ndjeu pëshpërima e fundit të atyre bulëzave të vogla tek përpiqeshin të dilnin në sipërfaqe. Po i tha vetes. Si vazhdim i asaj shprehje rivendosi kapakun duke e rrotulluar lehtë në grykën e asaj ene metalike. Atë veprim e përsëriti në të tria enët të cilat mbanin në barkun e tyre gjakun e birit të perëndisë, Krishtit. Pasi i hodhi një vështrim të shpejtë asaj hapësire që i shërbente për këto punë, mori për të dalë. Por, pa hedhur këmbë jashtë asaj porte tepër të vjetër u ri kthye. Aroma e atij lëngu dehës prej rrushi shesh i zi, e tundoi. Buzëqeshi nga kënaqësia. Nga rafti aty pranë mori një gotë. E zhyti duke e mbushur me atë lëng dehës prej njërës që e hapi në çast. Kuptoi se do të kishte një verë të mirë për të cilën pretendonte se do t’i mjaftonte për gjatë gjithë vitit. Me kënaqësi ktheu dy tre gllënka. Pjesën tjetër e konsumoi duke mbledhur mandarina dhe portokalle nga pemët që ndodheshin jo shumë larg prej andej. Tek po i sistemonte ato në çantë, i tha vetes edhe për një gotë, vetëm për një. Me gjithë se e dinte se duhej të fillonte ta hidhte sa më shpejt atë lëng, në shishe qelqi duke i siguruar në atë vendin e përhershëm ku përveç errësirës të plotë, kishte edhe temperaturën e duhur pasi do të duhej kohë për t’u shijuar, tundimi ishte tepër i madh. E ri mbushi rrafsh gotën duke kthyer me shpejtësi gllënkat e para. Instiktivisht vendosi kapakun mbi të duke e rrotulluar në atë grykë me spirale. Pas të gjitha atyre veprimeve deri tek mbyllja e të dyja portave nga e shtëpisë dhe e rrethimit, u ndodh jashtë. Mori frymë thellë dhe me një buzëqeshje tepër të brendshme u nis drejt qendrës të fshatit. Aty do të priste autobuzin e linjës. Pa e kuptuar pëshpëriti përsëri se duhej të priste. Duke hedhur shikimin nga të dyja anët e rrugës e përsëriti edhe dy a tri herë të tjera atë shprehje. Zbërtheu dy komçat e para të këmishës pasi po ndjente vapë. Pa orën, autobuzit do t’i duhej rreth një orë e gjysëm të mbrinte aty. Filloi të shfrynte nga inati pasi ajo shprehja se duhej të priste filloi t’i çukiste mbi tëmtha tepër çuditshëm. E pa edhe një herë orën por asgjë, duhej të priste, të priste. Ktheu shikimin nga dyqani që i ndodhej aty mbrapa shpinës i cili shërbente edhe si kafene. Mori çantën dhe së bashku me to, kapërceu tri shkallët e pakta të tij. Duke u ulur porositi një gotë me verë. Si në rastet kur do t’i duhej të shihte një fotografi, të cilën e largonte për ta qartësuar në shikimin e tij, largoi edhe gotën. E rrotulloi mbi tavolinë dhe ktheu dy tre gllënka prej saj. Hëm i tha vetes, tani po. Pasi u mbështet mirë mbi shpinoren e karikes për t’u rehatuar, hodhi shikimin mbi pamjen që i shfaqej përpara. Në qendër, një kryq i hekurt si memorial për kishën e dikurshme por pa shpëtimtarin e njerëzisë, Krishtin. Në të majtë, në thellësi, një memorial tjetër, i cili u kushtohej atyre që dhanë jetën gjatë luftës për shporrjen e pushtuesit të fundit, këtu e shtatëdhjet e ca vjet përpara. Në pikën më të lartë të atyre kollonave të betonta ende kuqëlonin dobët tre yje dhe më poshtë emrat e atyre që kishin dhënë jetën për ditët e sotme. E rikthehu shikimin prej kryqit. Pamja e trishtë e atij memoriali edhe besimtarin më të devotshëm nuk do ta afronte. Improvizuar me blloqe betoni të lyera me gëlqere dhe të lyer në ngjyrë kafe të kuqëremtë atë çatizë të vogël mbi to. Vuri re se në brendësi të saj një nga katër qirinjtë që ndodheshin në këmbë, po digjej duke u ngutur. E hoqi shikimin prej andej sepse nuk i pëlqeu tek i shihte të treteshin pikë më pikë mbi atë sipërfaqe të pistë nga mbetjet e pararendësve e të njëjtës racë. Ngriti kokën dhe vuri re se edhe ndriçuesit që ndodhej pas, ndjehej si vazhdues i tij. Natën duhet të krijohet efekt i bukur i tha vetes. E lëvizi kokën herë majtas e herë djathtas. Buzëqeshi pa e shfaqur në fytyrë. Rastësia e asaj tek e shihte ndriçuesin si vazhdues të atij simboli të krishterë prej metali, e bëri të mendohej. Buzëqeshi përsëri duke i u drejtuar vetes: Unë në pritje, kryqi në pritje edhe ato tre kollona me yjet komuniste në krye të tyre në pritje. Unë autobuzin e linjës, kryqi i bërë njësh me ndriçuesin pas tij të ndonjë besimtari dhe ai memoriali i çuditshëm me tre yje, të ndonjë prej atyre që kishin kontribuar në atë luftë me pushtuesit e huaj. Ç'është kjo pritje i tha vetes, unë nuk kam punë me ta. Hodhi shikimin mbi masën e verës mbetur në gotë. Pa hezitim e ktheu menjëherë. Tek po fshinte buzët me kurrizin e dorës së djathtë, vuri re se dikush brenda një bensi të ndalur aty në çast, po e thërriste. Atë kapardisjen tek u ngrit prej andej e shfaqi edhe kur hapi portën edhe kur u ul. Duke u mbështetur mirë në ndenjëse i dha atë buzëqeshjen e tij të përherëshme kur vinte në qejf. Pa i a ndarë shikimin mikut të tij të vjetër, e urdhëroi të iknin sa më shpejt prej andej.
Comments