Në pije më pyeti një mik i mirë!
Nga Fatmir Terziu
Dje pimë raki. Raki
në shtjellë. Në llafe. Muhabet me histori.
Në letërsi.
Një mik më pyeti:
si është të shkruash një poezi?
Doja të thoja, të flisja, të tregoja,
heshta, pastaj pse fola nuk e di,
i thashë: mbylle veten në një dhomë,
bërtit derisa të të vij një zë,
pastaj i shtova: dëgjomë,
veço atë zë nga një asgjë.
Fryji venat dhe pompo sa më shumë gjak
derisa sa të ndjesh kockat të kërcasin
pastaj zhytu tutje në një botë pa kthim
janë fjalë të pastra
dhe pikëllim,
vepro sikur je diku në gara
ngit kuaj në mjegull mbi re,
nis të dëgjosh pendimet nga e para,
dhe tashmë shtrihu të flesh…
… kështu ke kohë të korrësh më të mirën
dhe nuk do të kthehesh për një kohë
deri sa e ke mposhtur brenda teje errësirën.
Sepse të shkruash poezi është të udhëtosh
nëpër të shtatë shtresat e Ferrit
dhe mohimi i çdo gjëje është i gabuar se të josh
të kalosh në vrimë të gjilpërës majën e perit.
Harroje ta duash veten
kur gjithçka që ke është një stilolaps dhe një letër
fjalë që në kompjuter të treten
e të bëhen modë e huaj
shkrirë në kyçin e dorës që prehet
kur dikush troket në kafkën tuaj
duke thënë kthehu tani:
Paralajmëroni fqinjët se nëse kanë dëgjuar zhurmëra
është vetëm shpirti yt që vuan
duke u përpjekur për të hyrë në derën e përparme
ku një qen a një bishë gjithnjë me shkelma gjuan.
Pra, mëso si të jesh vetëm.
Mëso si të humbasësh gjithçka që ke
për të ndjerë lirinë,
mëso se si të ndjehesh vetëm si i dehur,
tani e tutje jeton me poezinë.
Pastaj vazhduam prapë të pimë. Në pije më pyeti ky mik i mirë,
si është të jesh poet medoemos.
Gjithçka që thashë ishte një vargëzim i lirë,
Por ti, i thashë ndjehu mirë! Më saktë mos!
Shpresa Vrana
Ke shtrydhur mushtin e poezise… ashtu sic shtrydhet kokrra e rrushit per te nxjerre piken e bekuar te veres.Brilliant!
Shpresa Fundo Gjergji
Shume domethenese, jashtezakonisht e bukur, plot elegance dhe filozofi! Sa bukur vargu troket ne çdo qelize e zgjon emocione, nxit kureshtjen ta rilexosh, kerkon nenkuptimin te vije tek ty natyrshem duke u ndjere! Shume e vertet me ndjenje dhe kuptim te brendshem! Here here shperthen me nota fshikulluese, here here me dashuri te paster poeti e here me metaforizem objektiv te jetuar! Gjithe drite eshte kjo poezi! Kjo raki duket dehese por poeti e ka ne dore gjithçka! Urime prof. Fatmir Terziu! Eshte bukur te lexosh vargje te tilla mbreslenese!