Në Pargë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 28, 2020
- 1 min read

Tokës gjethe rrëzuan portokallet,
Diellin e Pargës mbuluan retë,
Ballin e Pargës e rrudhosën hallet,
Ikën zogjtë heshtur, e lanë shkretë.
Mbi degë t'ullirit ranë stërkalët,
Kristalet e shkumës pezull në qiell,
Joni ynë ngriu dallgët dhe valët
Dhe hijet të marra rendnin pa diell.
Gjethet pa vesë dhe sytë pa lotë,
Shpirtin braktisur, mendimin rrëmbyer,
Për ku shkojnë parganët, kush më thotë,
Zemërvrarë, me mall të përdëllyer?
S'e zunë diellin retë, janë zjarret,
Tani shtëllunga tymi...Janë shuar,
I dogjën Kerberët shtëpitë, varret,
Pargën ta lënë" Tokë të Harruar!.
Foshnja, pleq të vrarë, mbetën pa varre,
Zoti që i pa , nuk pati mëshirë?
Gra shtatzëna i hodhën dhe në zjarre...
O Zot, të harrosh është e vështirë!
Kokulur, poshtëruar, në karvane,
Kuaj këmbëlidhur në shkretëtirë,
Zvarritej fisnikëria Pargane,
Pa ndier dhëmbje, frikë, as mëshirë.
Të ishin njerëz? Pa dukeshin hije,
Si një ëndërr rënqethëse, pambarim,
Pleq që s'duronin kësaj arratie,
Varre që shtoheshin n'atë rrugëtim.
Lotët e Jonit atje larg i lanë,
Pa dhe blegërimën e bagëtisë,
Për ku janë nisur këta Parganë,
Braktisur nga mëshir' e Perëndisë?
Si n'ëndërr suliotët m'u kujtuan,
Kur Ali Pashai u dha një shpresë,
Drejt Pargës, jo pa dhëmbje u lëshuan,
U mori jetët, i preu në besë.
Tani e paskërkan rradhën Parganët,
Dhe bijtë e tjerë të çamërisë,
Nuk mjaftuan Alipashët, Sulltanët,
U deshën edhe Zervat e Greqisë.
Nëse do të ketë Republikë Çame,
Ty, Pargë kryeqytet do të ketë,
Me valle bijtë dhe bijar Pargane,
Dhe të vrarët do i sjellin në jetë.
Pajtim Xhelo, 28 korrik 2019
Comments