Në përkujtim të Josif Bagerit


ECEJAKET ATDHETARE TË NJË POETI






Nga Sinan GASHI


Një personalitet tejet interesant i veprimtarisë atdhetare dhe poeti i talentit të lindur, është Josif Bageri, që rrugëtoi aq shumë, veproi aq dendur dhe shkroi aq shpesh vetëm për një çështje: kombëtaren, duke harruar shëndetin e vet të lig, familjen treanëtarëshe lënë rrugëve dhe dorëshkrimet e veta të shpërndara viseve të ndryshme.


Nismat njoftuese


Josif Bageri (1868-1915) pa dritën e kësaj jete për herë të parë në fshatin Nistrovë të Rekës së Sipërme të Dibrës. Ishte edhe diçka nga trashëgimia gjysh - baba që përcollën tek nipi - i biri elementin e formimit të karakterit të njeriut të sakrificës dhe të atdhedashurisë. Nga fëmijëria ai mbante mend kur në shtëpinë e tyre hynin e dilnin atdhetarë, që bisedonin e projektonin gjëra të mëdha e të domosdoshme për lirimin e popullit shqiptar nga Turqia. Duke qenë familje agrare, ajo përditë e më shumë varfërohej dhe vjen dita që punën e bariut që bënte Josifi i ri ta linte dhe të mendonte për shkollimin e mosbërë, madje as atë fillestar. Tregohet si anegdotë, kur ai në moshën 16 - vjeçare vetë paraqitet te mësuesi i klasës së parë për ta regjistruar, gjë që nuk bën dhe krijon situatë të ndjeshme tek i riu. Duke mos mund të jetojë me profesionin trashëgimor dhe duke mos gjetur punë as në qytete tjera shqiptare të Maqedonisë, Josif Bageri me gruan e re mësyjnë kurbetin, në Sofjen e Bullgarisë, atje ku shkonin shumica e shqiptarëve vendës.

Atje takohet menjëherë me bashkëkombësit që i gjeje rrugëve të kryeqytetit bullgar duke kryer punë të thjeshta krahu a zanate të rënda, si druvarë në Rilë, në shtrimin e rrugëve me rrasa guri, ose qymyrshitës, kamerierë, gjellëbërës, analfabetë ose gjysmëmanalfabetë. Tek më vonë aty do të gjallonin pak veta që kishin kryer Shkollën Normale të Nikolla Naços. Pothuajse këtu edhe nis aktiviteti arsimor e atdhetar i kësaj mërgate, në krye të së cilës mbetet pa dyshim më i zellshmi Josif Bageri. Atje, ai dhe shumica e të tjerëve, nisin mësimin e shkrimleximit në një han që e kishte blerë Dhimitër Mole, një shqiptar që edhe u bë mësuesi i tyre. Po atje ata gjenin ngrohtësinë shpirtërore se lexonin, bisedonin dhe e hiqnin mallin e vendlindjes si dhe u hapej horizonti i dijeve për të ardhmen e Shqipërisë, ashtu si ishin edhe kombet e shtetet e tjera, të lira e të mëvetësishme. Me interesimin e tyre, themelohet shoqëria e parë shqiptare në Bullgari me emrin “Dëshira”, e cila tuboi rreth vetes më së dyzet shqiptarë mërgimtarë, të cilët edhe projektuan synimet e veta atdhetare. Po ashtu Bageri është edhe një ndër themeluesit e shoqërisë tjetër “Afrou Dita”, e cila kishte të njëjtin mision. Ai, edhe pse kthehet disa herë në atdhe, me mjaft vështirësi materiale, vazhdimisht has në pengesa të regjimeve. Punën e këpucëtarit që e bënte për të mbijetuar, shpesh e linte për t’u angazhuar në çështjen kombëtare. Një kohë kishte punuar edhe në Pirot të Serbisë, më 1899, në kufi me Bullgarinë, prej ku shihte më përafër synimet e shovinizmit serb për gllabërimin e tokave shqiptare. Nga atje mbajti edhe korrespondenca me atdhetarët nga Dibra, nga Peja, Gjakova e tj., prej ku njoftohej për realitetin e hidhur të kohës. Bageri, me një rast polemizoi me serbët, kur u tha: “Ju doni të ndreqni një Serbi të re në tokat e Shqipërisë së vjetër”. Mu për këtë iu bë e pamundur qëndrimi atje.

Miqtë e tij Dhimitër Mole, Adham Shkaba, Spiro Garo dhe ky vetë janë strumbullari i aktiviteteve kombëtare në Bullgari.

Po ashtu me nismën dhe sakrificën materiale të tij nisi dalja e gazetës “Shypéja é Shqypënis”, ku botoi mjaft shkrime poetike dhe publicistike. Po ashtu më 1914, kur pati ardhur të jetonte në Durrës, redaktoi gazetën “Ushtima e Krujës”, me të cilën rropatet mes profesionalizmit dhe rrymave politike të kohës, të cilat i krijojnë probleme ekzistenciale, aq sa edhe vendos të kthehet edhe një herë në rrugën e rëndë te kurbetit, ku i kishte lënë dy fëmijët dhe gruan pas asfarë të ardhurash. Në mungesë të parave, niset këmbë trup trojeve të Shqipërisë, e së fundi ndalet për pushim në Prishtinë, ku e zë vdekja, nga një diagnozë sëmundjeje që e kishte përcjellë me vite të tëra.

Larg familjes, larg vendlindjes, në mëshirën e fatit, mbyllet jeta e një atdhetari idealist, ngjashëm si edhe shokët e tjerë të kësaj rese.


Jetë e harxhuar për tri veprimtari


Nëse mendohet të shikohet tërësisht angazhimi i Josif Bagerit, mund të thuhet se ai aktivitetin e vet e kishte orientuar në tri kahje: në aktivitete organizative të shqiptarëve në mërgim, në krijime publicistike dhe në krijime poetike.

Për çështjen e parë, do thënë fakte që dëshmojnë për një sakrificë tej mundësive ekonomike ekzistenciale dhe potencicialit intelektual të tij. Një njeri analfabet, një këpucëtar zanati, kishte arritur që të angazhohet me tërë qenien vetëm duke menduar se po e kryen një shërbim të obligativ në raport me atdheun dhe kombin. Mbi të gjitha ai e kishte parë e madje edhe përjetuar faktin se shkollimi është forca e parë e një njeriu, përkatësisht e një populli, andaj me gjithë qenien proklamoi vlerën dhe domosdoshmërinë e shkollimit dhe përkujdesjes ndaj gjuhës. Ishte në takime me poetin rilindës Naim Frashërin, të cilin e adhuronte tej mase, të cilit edhe i kishte bërë një vizitë kur ai ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, pastaj me Nikollë Ivanajn, me Bajo Topullin, Çerçiz Topullin, Mihal Gramenon, Zeman Mashkullorin. Josif Bageri kishte pasur një kontakt edhe me poetin e veprimtarin Hilë Mosin, i cili më 10 shkurt 1907 ia kushtoi një vjershë. Letërkëmbimi me L.Gurakuqin, Shahin Kolonjën, Nikollë Ivanajn, Ibrahim Shytin, Jashar Erëbarën.

Mu për këto synime, si edhe për mbledhjen e mjeteve për nxjerrjen e gazetës së vet “Shqypéja é Shqypënis” kishte udhëtuar në Rumani dhe në Rusi, përkatësisht te shqiptarët që jetonin në Odesa. Interesimet e mëdha, përkushtimet e forta dhe ecejaket e kompletojnë si personalitet politik, që gjykonte dhe rezononte drejt për kohën dhe për shumë probleme të kësaj natyre.