top of page

Në përgjigje të pyetjes së Alfons Zenelit


Prof Dr Eshref Ymeri


Në Portalin Fjala e Lirë të datës 19 maj 2020, lexova shënimin e analistit dhe publicistit të njohur Alfons Zeneli, me titull A ka populli të drejtë të presë nga gjeniu?

Jo, i nderuar Alfons, populli nuk ka të drejtë të presë nga gjeniu, se Kadarea, ashtu siç e theksoni edhe ju me shumë të drejtë në shënimin tuaj, nuk është aspak gjeni. Nuk është dhe nuk mund të jetë gjeni Kadarea, i cili gjithë jetën e vet ka qenë dhe vazhdon të jetë në shërbim të politikës dhe jo të së vërtetës. Deri dje Kadarea ishte argat-servil i Enver Hoxhës, çka e ka dëshmuar në mënyrën më të përsosur me poezinë e tij, ku servilizmi kadarean për atë monstër-diktator shpaloset fare bukur në librin e poetit dhe të përkthyesit të talentuar Petraq Kolevica, me titull “Autobiografia e Kadaresë në vargje” (Shtëpia Botuese “Marin Barleti”. Tiranë 2002).

Kthehuni prapa në vite dhe kujtoni vitin 1971, kur Kadarea, për t’iu servilosur Enver Hoxhës, në “Zërin e Popullit” botoi esenë e gjatë me titull “Një botë në rënie”, duke iu turrur Nju Jorkut me tërë afshin e penës së vet, pikërisht si edhe Maksim Gorki në vitin 1906, i cili, duke e vënë veten kokë e këmbë në shërbim të bolshevikëve dhe kryesisht të Leninit, botoi esenë e famshme, me titull “Qyteti i djallit të verdhë”.

Duke qenë në përkrahje të Ramës për shembjen e Tatrit Kombëtar, Kadarea nuk mund të vinte para artistëve dhe të binte në gjunjë para hyrjes së tij, me gjithë thirrjen që ata i drejtuan në emër të aktorit të njohur Edmond Budina. Nuk mund të vinte, sepse ai nuk mund të dilte nga rrezja e simpatisë që ushqen për Ramën, në mbrojtje publike të të cilit doli në maj të vitit 2011, duke iu kundërvënë Bashës në garën për kryetar bashkie, paçka se Rama garonte për atë post për të katërtën herë. Por ama Kadarea, si servil i zellshëm i politikës, nuk përtoi aspak të binte në gjunjë para një ambasadoreje të Bashkimit Evropian pas kritikës së drejtë që i bënte asaj publicisti Kastriot Myftaraj, një ambasadore kjo me një autoritet të baltosur në sytë e opinionit publik shqiptar, mikeshë e Ramës. Duke marrë në mbrojtje pa të drejtë atë ambasadore, Kadarea dilte në përkrahje të krejt taborrit të ambasadorëve të Brukselit, të cilët, si miq të Ramës, Shqipërinë e konsiderojnë si lopë mjelëse.

Kur shkrimtari futet në sinoret e politikës dhe vihet në shërbim të saj, ai as vetë nuk e kupton se deri në ç’mjerim katandiset pena e tij.

Sinsinati, Ohajo

19 maj 2020

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page