top of page

Në nderim të përkthyesit të talentuar dhe të diplomatit Viktor Kalemi






Në numrin e sotëm (23 dhjetor 2021) të Portalit “Fjala e Lirë”, lexova Esenë me titull “Duke rikujtuar Viktor Kalemin”.

Prof.dr. Fatmir Terziu, « Mjeshtër i Madh », « Gjergj Kastrioti Skënderbeu » meriton respekt të veçantë për homazhin që i ka kushtuar të ndjerit Viktor Kalemi, përkthyesit mjaft të talentuar të frëngjishtes, i cili i dhuroi publikut përkthime të veprave të shkrimtarëve të njohur, përkthime që dallohen për nivelin e lartë artistik. Në të njëjtën kohë, Viktori ishte edhe një përkthyes i shkëlqyer i letërsisë socialpolitike nga shqipja në frëngjisht. Gjatë viteve ’80, kur drejtoja Redaksinë e botimeve në gjuhë të huaja në Shtëpinë botuese “8 nëntori”, u njoha nga afër me Viktorin dhe pata shumë shoqëri me të gjatë gjithë atyre viteve. Ai dallohej për karakterin mjaft burrëror dhe për shpirtin e tij fisnik. Në të njëjtën kohë, Viktori ishte një përkthyes po aq i talentuar dhe fort mbresëlënës në artin e përkthimit gojor. Miqësinë tonë e forcoi edhe më shumë dëshira e nganjëhershme për të qenë së bashku edhe pranë gotës së verës. Vizitat e ndërsjella në familjet e njëri-tjetrit, kanë mbetur çaste të paharrueshme në jetën time. Largimi i parakohshëm i Viktorit për në pasjetë, në mesnatë duke u gdhirë 17 janari i vitit 2020, më ka pikëlluar në zemër. Uroj me shpirt që bashkëshortja e tij dhe fëmijët të jenë mirë me shëndet dhe të kënë mbarësi në jetë.

Librin me titull “Përkthimi, një histori pasioni”, me 528 faqe, të botuar në vitin 2015, e pata ndarë në dy pjesë: pjesa e parë i kushtohet përkthimit artistik nga gjuhët e huaja, kurse pjesa e dytë - përkthimit të letërsisë socialpolitike në gjuhë të huaja. Pjesa e dytë shërben si homazh për pëkthyesit e kësaj letërsie, duke filluar nga ata të Redaksisë së botimeve në gjuhë të huaja, deri te përkthyesit e Radio Tiranës dhe të Agjencisë Telegrafike. Të 48 punonjësve të asaj Redaksie, përfshirë edhe daktilografistet, u kam kushtuar nga një homazh të veçantë. Aty është edhe homazhi që i kam kushtuar Viktorit, në nderim të punës së tij plot pasion profesional në sektorin e frëngjishtes, ku ai pati dhënë një kontribut mjaft të ndjeshëm, pranë përkthyesve të shquar të frëngjishtes, si Jusuf Vrioni, Edmond Tupja, Fotaq Andrea etj.

Viktori nuk e vazhdoi punën deri në fund në Redaksinë tonë. Në mbarim të viteve ’80 atë e transferuan në Institutin e Studimeve Diplomatike, pra, pati nisur karrierën diplomatike. Gjatë asaj karriere, ai pati kryer me sukses detyrën e ambasadorit tonë në Egjypt.

Kaliforni, 23 dhjetor 2021

97 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page