Në moshën 86 vjeçare na paska lënë “Bilbili i Kosovës”, Nexhmije Pagarusha
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Feb 7, 2020
- 7 min read
Në moshën 86 vjeçare, sot në mëngjës, na paska lënë “Bilbili i Kosovës”, Nexhmije Pagarusha. Ajo do të mbahet mend gjithmonë, sepse këngët e saj janë të pavdekshme. Sepse është ikona e muzikës shqiptare. Ngushëllimet tona më të sinqerta!

Pak fjalë për Bilbilin e Kosovës - Nexhmije Pagarusha
Për një kohë të gjatë ajo ishte ambasadore e denjë e kulturës shqiptare, figurë artistike dhe personifikim i këngës shqipe
Nga Prof. Akil Koci
Gjithmonë kur flasim për krijues të njohur në të gjitha lëmenjtë e shkencës dhe artit, si dhe për interpretuesit, bëjmë analiza dhe flasim nga këndvështrimi personal, duke nxjerrë në pah vlerat e tij të mirëfillta dhe duke u përcaktuar për kritere qofshi ato shkencore apo artistike të mbështetura në argumente mbi trajtën dhe formën e veprës për të cilat bëjmë fjalë, dhe rrallëherë ose asnjëherë nuk gjykojmë në bazë të mbresave tona për veprën e krijuar, krijuesin, interpretuesin në tërësi, por përpiqemi të sjellim përfundime në bazë të veprës ekzistuese.
Pra, kriteri i vlerës shkencore apo artistike nuk qëndron në cilësitë objektive të veprës.
Fenomene të tilla deri diku shmangin shijen tonë individuale, që është në këto raste nonsens, sidomos kur është në pyetje vepra artistike, sepse sytë e veshët na japin kënaqësinë dhe mund ta vlerësojmë nga arsyeja dhe logjika, pa u bazuar në rregullsitë shkencore dhe artistike, edhe pse vepra artistike nuk është e vërtetë absolute, por krijim imagjinues i artistit.
Është thënë shumë herë vepra shkencore apo e artit, pasi të përfundojë, nuk i përket më autorit të saj. Ketë fenomen e vërejmë sa herë sa herë që bëjmë fjalë për veprat e artit dhe për artistët e mirënjohur.
Ketë e hetojmë edhe tani, ndërsa bëjmë fjalë për portretin e artistes sonë të njohur, këngëtares Nexhmije Pagarusha, e cila ka qenë dhe ka mbetur fenomeni multidimensional, e pa përsëritshme, e cila gjithnjë ka zgjuar dhe zgjon kërshërinë tonë, sepse pos vlerave artistike të pamohueshme, ajo na ka prezantuar në kohërat më të vështira të ringjalljes së dytë të identitetit tonë kombëtar, ku pas të gjitha atyre krajatave që ka kaluar populli i ynë sidomos ne në Kosovë, ajo shkëlqeu në shumë skena kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kur them këtë kam parasysh aktivitetin e saj të madh artistik. Sidomos ajo tregoi artin e vetë të vërtetë dhe të madh jo vetëm para dashamirëve dhe miqve tanë, por edhe para armikut tonë shekullor, në një kohë që në shtetin amë sundonte një sistem i urryer, që nuk na njihte se edhe ne jemi pjesë e atij trualli dhe e atij populli.
Pra, Nexhmija atë kohë ishte ambasadore e denjë e kulturës shqiptare, figurë artistike dhe personifikim i këngës shqipe dhe pa marrë parasysh urrejtjen që shprehnin armiqtë tanë ndaj nesh, gjithmonë po ata armiq janë përkulur dhe i kanë duartrokitur artit të saj, personit e cila gjithë herë dhe gjithmonë ka shpreh identitetin e vet nacional, pavarësisht se ku dhe para kujt ka kënduar këngët shqipe dhe vetëm shqipe, atë melos që e donin ose nuk donin, ndërkaq e shijonin jo vetëm interpretimin e saj të shkëlqyer, por edhe begatinë meloritmike të këngës shqipe.
Edhe sot, nëse bëjmë një retrospektivë të plejadës së këngëtarëve jo vetëm në Kosovë por edhe në të gjitha trojet shqiptare, do të shohim se ketë fenomen ende nuk ka mundur kush ta zëvendësojë si këngëtare, pa marrë parasysh numrin e madh të tyre, që u shkolluan jo vetëm nëpër shkollat tona muzikore, por edhe ato evropiane dhe botërore.
Kronologjikisht mund të vërejmë se ka pasur këngëtare po ashtu të suksesshme, por asnjëra apo asnjeri nuk ka arritur zenitin e shkëlqimit të interpretimit si Nexhmija e jonë e madhe.
Prandaj, me plotë të drejt mund të them se, pavarësisht talentit dhe gjeniu krijues që posedonin krijuesit tanë që nga Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi dhe të tjerët deri në ditët tona, të gjithë këta kanë pasur fatin e madh që kanë qenë bashkëkohanikë të saj dhe kanë kompozuar këngë, të cilat i ka interpretuar Diva e muzikës popullore shqipe, Nexhmije Pagarusha.
Askush nuk do të i harrojë interpretime bravuroze të saja, që nuk ka qenë vetëm thjesht art i të kënduarit, sepse ajo në interpretim kalonte dimensionet e një simfonie të përsosur, ku njeriu e ndiente veten të përmbajtur, por të plotë me gëzime në imazhet e saja interpretative.
Është e vërtetë se artistët kërkojnë në artin e tyre për ta arritur të pa mundurën dhe duke i u referuar kësaj paranteze, ata me mjetet e tyre shprehëse e në ketë rast interpretimi i Nexhmijes ndiqte intuitën që paraqet individualitetin e saj krijues-interpretues.
Në aspektin tjetër, rruga e artit të saj na paraqitët si ‘’credo-simbol’’ i besimit për një të ardhme më të mirë, krahas dhembjeve dhe tragjizmit të kombit që i përket duke konfirmuar dhe transformuar ato përjetime në art të vërtetë.
Megjithatë, arti i saj nuk mbaron këtu. Kënga e saj është religjion, besim, art, përjetshmëri që ngjallë shpresën edhe ashtu të humbur gjatë shekujve nën sundimin e të huajve.
Qartësia e këtij fenomeni është evident, kur kemi parasysh traditën muzikore që ka populli i ynë i lashtë që nga Ilirët e deri në ditët tona, i cili ka kultivuar një muzikë të bukur dhe dinjitoze dhe kështu ndjekim gjurmët parahelenike, duke legalizuar mënjanimin e idhujve në krijimtarinë personale, duke e shndërruar në magji muzikore ritmin e jetës bashkëkohore.
Shpesh ajo, në interpretimet e saja, nuk ndjek rregulla të përcaktuara, ajo e ndjen këngën, e ndjen fjalën e thënë përmes melodisë dhe krijon imazhe të reja, qëndrim, rregull, duke u bërë bashkautorë e këngës, si fryt i perceptimit të saj të subjektit artistik, ku ndihet mesazhi përmes vokalit të saj kumbues, rrëqethës por plotë lëvizje në kompleksitetin e interpretimin të saj të shkëlqyer, që paraqet sensasion të fenomenit tingëllor.
Ajo, pra, artistja e jonë e madhe, përmes këngës na rrëfen ngjarjet dhe parafytyrimet të reja, me sens të veçantë të shprehjes artistike të transformuar në një sfond tingëllor shpirtëror të njeriut të shqetësuar.
Të gjitha këto mbresa dhe përshtypje që i thamë më lartë, na vijnë kur dëgjojmë tani incizimet e saja të këngëve të realizuara dhe të incizuara në një teknikë larg atyre të sotmes, bëjmë pyetje: sa zë paska të kultivuar paska pasur, ku spikat tonalitetet e shumta, duke shpalosur hyjnizimin tingëllor të zërit të saj befasues, të fort, të guximshëm dhe krenar.
Më në fund vlerësimet e shumta të muziktarëve të njohur, kritikëve muzikor të fascinuar me interpretimet e saja kanë bërë jehonë, që u transmetuar jo vetëm nga individi te individi, por edhe më shumë, nga se me vlerat e saja interpretuese tingëllore krijojnë një spektakël dhe shpërthim jo vetëm lirik ndjenjash, por ajo epizoi këngën shqipe, kur më së shumti kishim nevojë.
Ajo na fali këngën, kurse poetët i thurën vargje e kompozitorët kompozuan këngët kushtuar asaj dhe vetëm asaj- Bylbylit të Kosovës dhe Hyjneshës së këngës, pra Divës sonë të këngës dhe interpretimit që është vlerë nacionale, dhe po e mbarojmë ketë shkrim me thënien e Rilindësit tonë Naim Frasherit: ‘’ ç ‘vlerë t’ i venë vetes një komb, atë e venë dhe të huajt’’.
Biografi e shkurtër
Nexhmije Pagarusha u lind më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës në Kosovë. Është artiste shqiptare. Kur flitet për të përdoren në një frymë shumë epitete si: Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, Ema Sumak Shqiptare, Madam Baterflaj, Fyti i Kristalte, etj. Mori shumë çmime, ndër të tjera "Këngëtare e Shekullit".
Veprimtaria e saj muzikore 40 vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon, sepse ajo këndoi thuaja në të gjitha zhanret. Është e njohur për interpretimet e saja të shkëlqyera në muzikën popullore, por ajo në anën tjetër këndoi me sukses edhe arie të operës .
Nexhmije Pagarusha ishte edhe si aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.
Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar si këngëtare në radio në Kosovë.
Ajo ishte në kohën e krijimtarisë së saj nga të gjithë kritikët e artit, njohësit e muzikës popullore dhe adhuruesit e saj shumë e çmuar.
Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria, dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.
”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqit me tekstin e poetit Rifat Kukaj.
Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht askujt nga organizatorët teknik nuk ju kujtua të regjistrojnë këtë koncert! Për fat të keq po ashtu nuk janë të evidentuara të gjitha koncertet dhe i tërë repertori i këngëve të kënduara nga ajo, pasi që siç ka thënë ajo një herë, për të ishte vetëm muzika me rëndësi, ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.
Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.
Pas 16 viteve larg skenës, u paraqit në vitin 2000 me këngën "Për ty", në një emision të Ardit Gjebreas, i cili e shtyri të bëjë këtë.
Ishte në jurinë e festivalit Kënga Magjike 2005. Aktualisht është këshilltare e lartë për muzikë në Radio Kosovë dhe në Radio Blue Sky.
Krijimtaria
Disa nga këngët e saj:
“Baresha“ ”Ani mori nuse” ”Mora testin” “Kur më shkon si zog n'hava” “Kur më del në derë” ”Ke selvitë” “Ç'u ngrit lulja në mëngjes” “Çil njat zemër plot kujtime” “Dallëndyshe” “Një lule” "Zambaku i Prizrenit"
Interpretoi në filmat dhe shfaqjet teatrale:
“Dasma e përgjakur”, (1967) “Jugovizioni” (1973) “Gëzuar viti i ri” (1976) "E kafshoja terrin" (1977) "I ikuri". (1980) "Tre vete kapërcejnë malin" (1981) "Lepuri me pesë këmbë" "Fluturimi i Micakut" "Daullet e të çmendurve", "Rexha i nënës në grazhd të kalit" "Vrasësit bëjnë dasmë natën" (1997)
Comments