top of page

Në majë


Mali i Vashës*

Mali i Vashës*

Fatmir Terziu


E zhvesh natën

mbi furkën e ngulur majëkrahi

nga mushti i bardhësisë si shapkë

tjerr fustanellën

në vallen që zbret pikiatë

në mendjen time

tek „Mali i Vashës“.


* Është një majë mali në verilindje të rrethit të Elbasanit, që quhet "Mali i Vashës".


Vetmia


Retë janë shuplaka të hapura

mjelin sytë e tu të lodhur nën rrudha

mbirë nga ditët me hije,

dhe koha e vrenjtur pa diell,

shtrydhen nga çdo dhimbje

mbushen në qiell.


Çdo re e njeh shtrydhmën e saj.

Edhe kur dehet në një tryezë të majmur

edhe kur e zë nata në errësirë,

mbi sofrën e lagur.

Çdo re e ka në heshtje një zë

ka frikë të hyjë në të.


Shpirti yt mbeti një re e vetmuar

pa hijen e saj.


Ulërin në heshtje.


Në majë

Në majë mbijnë hijet si kadife

zënë rrënjë

dhe asgjë më shumë,

dehja e drurëve me aromën e freskët

i vë në gjumë.

Tani në majë ka hije të tjera,

grisin mëngët e tyre

shtrojnë shtrate të vjetra.

I vetmuar në historinë e racës sonë,

në majë të malit,

një gjemb,

fryhet përditë e më shumë

prej hallit.

Në majë të nduket syni

është pikëllimi i së kaluarës

jo i yni.

23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page