Në magjinë e një xhami të madh në qendër të Londrës
Nga Fatmir Terziu
Kërkoi Bota të shplodhej prej ngjarjeve të kohës
në ndenjësen e pluhurt që hedh dita në të ngrisur në horizont
e shtoi dihamat e dhimbjet trupore mbrëmjeve
duke mos kuptuar ikjen e përkohshme të syve
ndonëse duart, këmbët, dhe pjesët e tjerë të lëvizshme
imitonin harrakiret e japonezëve të moçëm
për të mbushur gazetat,
e televizionet e mbetura pa gojë,
s'e duronte më njëngjyrshmërinë Bota
po shfletonte albumin e shekujve në heshtjen
e fletëve të zverdhura të gjumit
ku mendja zgjedhonte vetëm foljet
që e shpinin tashmë vetë Botën në njëjës
në shtrëngimin e grushtit
ku patjetër i duhej të përzgjidhte një tjetër Migjen
pasi në albumin e tillë nuk kishte mbiemra,
pseudonimet ishin në dosje të tjera,
ndërsa emrat iknin si gjethet e thata duke dyzuar pranverën
në stola ku flokë të thinjurra të mbetur rastësishëm
gënjehen sikurse lulekumbullat e çelura
në pëshpëritje të ëmbëla sythash
të fshehura pas diellit mes reve,
që luajnë tango me (pa)vëmendjen
kur zogjtë pozojnë nëpër tela
e lepujt ikin larg nga ferrat,
ndërsa bëhen ushqim për gjahtarët
s'ka më kuaj troje
kuaj të tjerë lëvizin pa ndroje
të ngjyer majtas,
të lyer djathtas,
ku Bota kërkon të shplodhet
në magjinë e një xhami të madh në qendër të Londrës
duke pikturuar mëngjesin e larushtë
që mbledh të gjithë ëndrrat e kohës
e i bën fjalorë të prushtë,
fateve të tilla që i janë shkruar Botës,
me një kusht
që nesër të mos jetë më si një e sotme e ftohur
dhe e nesërmja të mos zgjohet si një Botë e lodhur.
Comments