“Në lumë bie shi”


Artesa Osmanaj

V Ë SH T R I M

Shkruan: Artesa OSMANAJ:

PESHA E LIRIZMIT POETIK DHE MESAZHI FILOZOFIK I VARGUT

(Sejdi BERISHA: “Në lumë bie shi”, poezi, botoi Club Kultura Pejë, 2015)

Në kështjellën e letërsisë, përkatësisht poezisë, poeti Sejdi Berisha ka vendosur mur (poezi) të fuqishëm që me mesazhin filozofik, atij njerëzor dhe pedagogjik e të begatuar me shijen dhe refleksionin e fortë estetik, nëpër periudha i bën ballë kohës. Portreti letrar i Sejdi Berishës, është i njohur dhe i gjithanshëm. Ai, me sukses ka hyrë dhe lëron në zhanrin e poezisë, publicistikës, gazetarisë, eseistikes, monografisë, kritikës letrare dhe në atë të dramës, dhe në secilën prej tyre nuk është udhëtar i rastësishëm. Por, dua të veçoj, në atë të poezisë është krijues, që rrugëtimin e jetës së njeriut e shndërron në lapidar të përjetshëm, të cilin secili lexues ka dëshirë ta vizitojë dhe të jetë gjithnjë pranë tij. Poezia e tij i ngjanë strallit dhe dritës së diellit, dhe si i tillë, e, i palodhur, me mjaftë sukses arrin caqet e shijeve poetike. Librit me poezi “Në lumë bie shi”u paraprinë vargjet, mund të themi emblematikë: “Flini flini/ Dielli ka arritur/ Në kupë të qiellit…!”.

Këto tri vargje shpërfaqen si një këshillë metaforike, duke pasur parasysh gjumin si dukuri dhe diellin si simbol. Autori, mjeshtërisht na ka ofruar mbase edhe dhuruar këtë varg trinom, si një vërejtje se çfarë na dhuron gjumi, dhe dielli do t’i kundërvihet këtij pasiviteti, i cili ka ikur në kupë të qiellit! A mos është ky ngacmim i lehtë ideor për të na trokitur secilit në mendjen tonë se gjumi krijon një pasivitet ndërsa diellin e kemi një shenjë të një lindjeje jetësore?! Me siguri se kjo pyetje mbetet si diçka zvarrë tek secili për të medituar, menduar e komentuar për gjithçka...


Emocionalja, gërshetimi dhe fisnikëria poetike si elemente e veçanti shumëdimensionale krijuese

Poezia e shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha, ka ndjesi, prekje emocionale, ka një sublimë të gërshetimit estetik, gjë e cila gjithnjë ruan fisnikërinë poetike me elemente shumëdimensionale. Ai guximshëm përplaset me dallgët e jetës (këtë e hasim pothuaj se në tërë krijimtarinë e tij, në tridhjetë e tri vepra) dhe mjeshtërisht i vendosë në vargun e çiltër plot frymë jete, plot frymë atdhetare, plot frymë gjallërie e aromë dashurie.

“Janë do kohëra që nuk dinë të flasin”, në realitet janë kohëra me dallgë dhe valë që vazhdimisht e ndjekin autorin, për edhe ku thotë: Janë do dallgë deti /që pas meje vrapojnë/ Janë do këngë/ Që kurrë nuk këndohen/Janë do gjëmë që nuk më hiqen qafet” !

Në këtë poezi, autori me mjeshtri vargëzimi të thellë përdorë një gjuhë metaforike që shënjon dallgët e jetës, këngët e jetës dhe gjëmat që e përcjellin jo vetëm autorin. Faktikisht, “gjamet” simbolizojnë plagët dhe dhembjet e përditshme, që autori nuk mund t’u ikën pa i ndier mirë e thellë në vetveten e tij. Por, këto nuk janë veç dhembje, ka edhe diçka tjetër: “Janë do lule/ Me aromën e tyre/ Çuditërisht më përqafojnë. Pra, autori nuk i përkulet dhembjes, por atë e madhështojnë edhe lulet, shpresa dhe vizioni i së nesërmes.

Figurativititeti i “Ikjes nga vetvetja” dhe modernja e rrëfimit për “çelësin e dyerve të mbyllura”...!

Duke lexuar poezitë e Sejdi Berishës, në librin “Në lumë bie shi”, që janë të ndara në dy cikle: “Ikja nga vetvetja”dhe “Asgjë nuk mbetet”, lexuesi ecën dhe “lundron” në një lumë të gjatë kreativiteti, figurativiteti, dhe në jetë hulumton dhe e gjen një thesar të rrallë poetik. Kjo vërehet që nga poezia e parë e deri në fund me përdorimin e fjalëve-figura, aty këtu rimave, thellësisë së mendimit etj., autori kap realitetin me dukuritë e tij duke e renditur nëpër rrathët figurativ ku kalon në tri kohët e ekzistencës jetësore; herë “fluturon” në të shkuarën, më shumë në të sotmen dhe vizioni i tij prek edhe të nesërmen si shpresë si qëllim si vizion dhe dritë e lumturi e njeriut. Poezitë e cikleve përkasin shumë me titullin e tyre, së pari “Ikje nga vetvetja”, ashtu edhe “Asgjë nuk mbetet”, ku në ciklin e parë edhe tenton të “ikën” nga vetvetja , shkruan, mirëpo brenda një rrethi metaforik prapë është në vetvete, mu aty ku edhe valët përplasin!

Këto poezi moderne, mund të lexohen nga disa kënde e mënyra, ku brenda tyre ka gjëra të dukshme dhe aso që mbërthehen përmes figurave stilistike. Poeti në mënyrë metaforike ikën nga vetvetja, por gjithnjë dhe përherë është brenda mendjes dhe shpirtit të vet, por “ikjen” e ka provokim, e bërthamë shprehjeje e kuptimi socio-filozofik. Poezia “Zbrit në dihatën time”dëshmon thellë nervin poetik figurativ të etjes për dashurinë e pastër, të çiltër. Ndërsa, çelësi te poezia “Lemza”ka një simbolikë të "çuditshme”, ngase lemza, në kuptimin metaforik është grishje e momentit ku për dikë është portë e mbyllur për dikë është portë e hapur...!

Sejdi BERISHA

Por për poetin është çelës që hap rrëfime: “Ku gjendet ai çelësi i dyerve të mbyllura/ I dhomave për rrëfime/ Shumëkujt ndoshta i nevojitet”. Autori, sigurisht aludon tek njerëzit të cilëve u mungon rrëfimi, frymëzimi, por tërthorazi nënkuptohet, çelësi u takon poetëve, krijuesve dhe të gjithë atyre që e duan njeriun, që e kultivojnë dhe e mbrojnë njerëzoren. Dinamika meditative dhe shpirtërisht përcëlluese e poezive të tij e rrëmben lexuesin dhe e “detyron” atë t’i lexojë disa herë ato. Me fuqinë e mendjes dhe të të shprehurit, autori i shkrinë ndjenjat fisnike që ka për atdheun, për jetën, për njerëzit... Ky libër i cili shënon ngritje dhe forcim të këndimit poetik dhe të mendimit filozofik në letërsi, edhe nga kritika është cilësuar si vlerë e dëshmuar. Autori ka ca poezi, ku mendimet e veta i shpreh në vetëm katër pesë vargje, dhe duket sikur këto poezi mbartin më shumë një filozofi poetike se sa ndjenjë. Pra, poezia e Sejdi Berishës reflekton këshillë, porosi, urti, humanizëm, dhembje, e pse jo, edhe rebelizëm.

Dhe, duke iu kthyer vetvetes, ai, shpërfaq ide tek lexuesi, herë si udhërrëfim, herë si meditim e herë si ndjenjë...! Në shumë poezi hetojmë “lecka” kujtimesh të një fëmijërie të ngarkuar me gjithçka; me dhembje, nostalgji dhe me mall, por edhe: ”Lecka kujtimesh/ Të ngarkuar me libra të pashkruar/Vështirë…“ (Poezia: “Lecka kujtimesh”).

Në vargun e krijuesit Sejdi Berisha, nuk mund të ikën as urbanja dhe ruralja, dhe sikur të dyja janë një urë e fuqishme për të provokuar lexuesin. Peja, vendlindja e autorit, ku ai u rrit, jetoi dhe punoi e punon, është guri që i peshon thellë në shpirtin e tij. Kështu, shumë nga poezitë e tij ndërtohen me nga një fjalë-titull, e që duket se autori e pëlqen edhe këtë formë vargëzimi. Edhe dashuria si lajtmotiv ka hartën e vet ideore, sepse poetit i duhet: Më duhet zjarri/Edhe hidhërimi/Edhe ledhatimi/Edhe loti/Edhe kënga/Edhe terri/Edhe drita/Edhe tradhtia/Edhe ikja e ardhja/Për ta lexuar dashurinë/Kështu/Sa bukur bëhet rrugëtimi” (Poezia:”Lexim dashurie”).Pra, autori e lexon dashurinë me alfabetin e dashurisë , të çiltërsisë, humanizmit por edhe të dhembjes...

Vargu dhe poezia e shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA, nuk ka rimë, por ka ide , nuk ka varg të matur por ka ndjenja dhe peshë të shprehjes dhe mendimit filozofik, ka meditacion të thellë dhe provokativ, aty këtu-këtu edhe rrëfim poetik. Pra libri poetik “Në lumë bie shi”është një pasuri letrare mbase edhe kulturore që disponon me një gjuhë të pasur figurative, me metaforën e thekshme, me personifikim, simbolikë, me krahasim dhe ironi të tëholluar, ku secila e ka rolin dhe mesazhin e vet....


#sejdi #berisha #artesa #osmanaj

39 views

Shkrimet e fundit