Përndryshe: Një ‘pjesë e dytë’ e shënimit letrar “Pse legjendarizohen disa krijues?”
Disa mendësi imponuese, që trashëgohen kohësh, vazhdojnë të kërkojnë hapësirë e vëmendje vend e pa vend. Ato nderen në të gjitha sferat dhe përkushtimet e shoqërisë së sotme; në mënyrë të veçantë, në letërsi dhe arte. Njëfarësoj këtë temë (të ashpër) jam përpjekur ta zhvilloj edhe në një shënim të mëparshëm me titullin “Pse legjendarizohen disa krijues?”
Mendoj se ndryshe nga jeta politike, mbase dhe ajo mediatike, gjithaq edhe nga aktet dhe qasjet qeveritare, në letërsi dhe arte nuk mund të ketë struktura të ngurta, rangje; kushdo vjen me emrin dhe arritjet e tij. Ngecja në disa emra (sipas interesave politike, klanore e ndonjëherë edhe krahinore) është një tepri që shoqëritë e përparuara nuk e praktikojnë. Ne, po. Prirja për të krijuar rangje, klane, si dhe për t’u fiksuar në disa emra, është një përvojë që, siç u tha më lart, vjen nga e shkuara. Në ato kohë, krijues që për shkak edhe të afërisë që kishin me struktura shtetërore e partiake dhe duke qenë se u shërbenin atyre drejtpërsëdrejti - disa, për hir të së vërtetës, ishin edhe të talentuar - veçoheshin nga të tjerët në mënyrë abuzive. Kritikë dhe estetë binin përmbys mbi ta, për të ‘zbuluar’ vlera që i kishin, por edhe aso që s’i patën asnjëherë. Ndërkaq, në analiza të tjera apo më mire në ‘raporte’ formale për zhvillimin e letërsisë dhe arteve, shumë krijues përplaseshin me dhunë në lloj-lloj etiketimesh masive, ku nuk shihej ‘nevoja’ për veçanësi e stile. Kështu, thuhej apo shkruhej me njëlloj patetizmi të shtirur: poetët e Durrësit, poetët e Lezhës, poetët e Tepelenës, poetët ushtarakë, poetët nga klasa punëtore, etj.
E vërteta është që në ato ‘etiketa’, rrinin shtrënguar e ngucur si jo më keq poetë dhe shkrimtarë që me kohë do të veçoheshin në letërsi për arritjet dhe stilin: R. Marku, B. Hoxha, P. Risto, Sh. Kapisyzi (Rama), P. Ruka, etj. Ndër ata që u ngjitej epiteti ‘ushtarakë’ apo ‘nga klasa punëtore’ kishte gjithashtu poetë të mirë dhe njerëz me kulturë, si H. Milloshi dhe H. Koçiu e Z. Morava, etj. Sado që themi, gjithnjë do të themi, se përfshirja në letërsi e arte është një akt për së pari vetjak, këto anësi e fiksime e penguan zhvillimin në fushat përkatëse, sajuan gara të pandershme, devijuan pikësynimet letrare dhe e veshën kritikën me tipare që (më e pakta) tregonin hipokrizi.
Ajo shoqëri pra, edhe pse në dukje ndiqte ‘parimet’, ishte e ndarë në klasa e… rangje dhe, për fat të keq, ky sistem vlerësimi u trashëgua edhe në tranzicion; është edhe sot e kësaj dite një mekanizëm që prodhon pareshtur fjalë dhe (lus mos jem i gabuar) hile. Ka ardhur koha që Kritika të shpërndajë mjegullën e sajuar në vite për shkak të klaneve e prirjes për të krijuar rangje. Ajo lipset të shohë me seriozitet çfarë është arritur dhe nga kush, brenda dhe jashtë Shqipërisë; por duke mos e tepruar me ata apo ato që, sipas disave, janë ‘rang’. Druaj se duke u prodhuar më shumë lëvdatë se kritikë artistike, disa krijues janë zmadhuar në kurriz të të tjerëve, që do të thotë se atyre u është bërë aq shumë vend në çdo faqe dhe episod të kulturës, janë zbukuruar e ndriçuar kaq shumë, saqë pothuaj kanë krijuar njëlloj skorjeje në rrugët - edhe kështu të ngushta - të Letrave Shqip e të artit në tërësi. (“Shkëlqimi vdes në çastin që ka lindur, e thjeshta i mbetet botës trashëgimi.” J. V. Gëte)
Këto nënvizime u ripanë nga autori i këtyre radhëve pas asaj që ndodhi në Tiranë, kur sopranoja e njohur E. Jaho shprehu pakënaqësinë e vet që nuk po ndiqej me interesimin e pritur nisma e saj për të ndarë eksperiencën me artistë të rinj. Dua të ndalem pak këtu. Kushdo që shkëlqen në botën e huaj, sigurisht, meriton respekt dhe ka çfarë të ofrojë edhe në terrenin shqiptar. Por duke qenë disa në zenit, nuk ka pse të zvogëlohen apo lihen pasdore të tjerët; jeta do rrjedhë me të gjitha ngjyrat dhe përvojat. Mendoj se ndoshta e teproi artisti tjetër i njohur J. Gjipali; por le të themi se edhe njëlloj ‘Deus ex machina’ ndonjëherë krijon në terren kontrapunkt (counterpoint). Do t’i pranojmë gjërat pa bujë të tepruar, pa lejuar qoftë edhe një fije cënimin e asaj çfarë është arritur ndërkaq. Kështu, s’është e drejtë që disa shkrues metafizikë, duke marrë shkas edhe nga ky episod, u përpoqën të hedhin baltë mbi gjithë sa është botuar e shfaqur në këto dekada të fundit në Shqipëri. S’ka humor, s’ka filma, s’ka ashtu, s’ka kështu, shprehej një nga ‘analistët’ e Tiranës, me një pathos që të kujton fjalët e Kafkës: “Siguria që kanë, rrjedh nga marrëzia e tyre.” Më vjen keq nëse kjo nuk kuptohet, por emocionet janë për një copë herë. Nuk mund të mohosh si kokoroç arritjet e asnjërës kohë; dhe unë s’e di pse jemi kaq kokëfortë e kaq kokëbosha, dreqi ta hajë. (Me modesti, ky ishte edhe mesazhi i librit tim “Shqipëria në dy kohë”, me të cilin publiku njihet tashmë). Disa mendësi e fiksime duhet t’i largojmë nga vetja dhe nga të tjerët.
Meqë jemi këtu, siç kam shkruar dhe më parë, i vlerësoj shumë disa emra të spikatur të artit e të letërsisë shqipe, përfshirë ata që, siç kam shkruar më parë… janë legjendarizuar: Kadare, Agolli, Spahiu, Zeqo, e ndonjë tjetër. Ndërsa, me raste, jam shprehur në mënyrën më pozitive e vlerësuese për ta, do të ishte e ndershme dhe profesionale të ndaleshim edhe në episodet ‘problematike’ të krijimtarisë së tyre, çka është ende një tabu. Dhe nuk është fjala vetëm për krijime të së shkuarës. Edhe disa nga veprat e tyre të pas ‘90-ës, qofsha i gabuar, anipse janë shkruar me mjeshtëri dhe kanë skema letrare të sakta e gjuhë tejet të pasur, prapë diçka i largon nga përsosja; diku u mungon qasja tërësore dhe romani ngjan si një tregim dosido; diku gjetkë, ‘kthesat’ e forta sa i takon ndjesive ideologjike, i ‘zhburrërojnë’ autorët; në disa vjersha, lexuesi hyn e nuk del dot për shkak të mbilojës metaforike; të tjera aso janë të zhytura dukshëm në mësime e në moral… Sa për lexuesit, kur nuk janë në gjendje të kuptojnë, ata e ngjyrosin situatën me ‘madhështinë’ e krijuesit; kur e kuptojnë menjëherë se çfarë thuhet e cili është përfundimi, duartrokasin në emfazë. (“Për zemrën është mirë të jetë naive, por jo për mendjen.” A. Frans)
Mendoj, është detyra e Kritikës të mos tundohet vend e pa vend nga ‘rangu’, por të ulet këmbëkryq në vepra dhe emra të tillë me rëndësi për kulturën mbarëkombëtare, duke shenjuar arritjet, por edhe problemet reale. Kjo do të ishte në të mirë të vetë autorëve, por dhe të panoramës artistike në përgjithësi. Mirëpo, për çudi, gjithnjë në kufijtë e fiksimit, njerëz të artit, të letrave e të botimit, madje edhe asi me një barrë përvojë, japin e marrin për të forcuar rangjet: njëherë bërtasin që të propozohet për çmimin Nobel një shkrimtar i zakonshëm, një prozator si shumë të tjerë; njëherë tjetër përdorin për dikë termin e pavend ‘rilindas’ e kështu më tej, gjithnjë duke u dorëzuar tek emocionet a thjesht miqësia dhe duke praktikuar njëlloj patetizmi që nuk i vlen askujt. Të jetuarit në klan apo në rangje, mund të jetë favor ose kënaqësi për disa; madje pellgu plot komplimente ua bën atyre mendjen ujem, i zhvesh që të zhyten në njëlloj argëtimi e ngazëllimi të përbashkët me autorët gjithnjë të gudulisur. Mendoj ndryshe; që ky mentalitet është vetëskllavërues. (“Jam gati që kravatën më të mirë, t’ia fal kalit që më parë të dalë.” S. Esenin)
Dukuria e krijimit dhe bindjes ndaj rangjeve - shpresoj, nuk e teproj - është shkatërruese për vlerat a kontributet letrare dhe artistike të të tjerëve, sa edhe për vetë zhvillimet në këto fusha. Dëgjoja një autor që u ankohej punonjëseve në një nga libraritë më të njohura në kryeqytet… pse nuk ishin në ‘rangun’ dhe vendin e duhur librat e tij (!) “Po ja, i përgjigjej njëra nga punonjëset, kemi vënë librat e Dritëroit…” Bravo! Por a është kjo një çështje simpatish vetjake, meritash të ngurtësuara, fiksim? Askush nuk mëton të cënojë emrin dhe veprën e të tjerëve, për më tepër të autorëve që me talentin dhe kujtimet e tyre janë vërtet të rëndësishëm për kulturën mbarëshqiptare. Por nuk mund të ecet edhe më tej duke bërë sheshazi dallime e favore dhe duke përkëdhelur (vetëm) disa, pa kuptuar çfarë po ndodh sot realisht në letërsi e arte. Dorëzimi përpara disa emrave, për hir të emrave, rrëfen prapambetje dhe mungesë profesionalizmi.
Në kinema, për një kohë të gjatë gjithashtu u konstatua mendësia e ‘rangjeve’. Disa emra i paraqiteshin publikut si Perëndi, kurse shkruesi që përmenda më lart nuk gjen asgjë me vlerë në filmat e prodhuar pas vitit ‘90 (!) Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, të tjerë kinoregjisorë hynë ndërkohë në artin dhe në tregun e filmit. Gj. Xhuvani ishte ndër të parët që shkoi bindshëm përtej arritjeve të mjeshtrave të mëparmë të filmit; ai e theu konceptin e ‘rangut’ me disa punë vërtet të realizuara më së miri dhe ku bien në sy: përzgjedhja e subjekteve; realizimi i veprës në të gjithë elementet e vet; ndërtimi i mizansenave në mënyrë profesionale; përkryerja e akteve dhe ngulmimi në lojën e aktorëve, etj. Kjo, sigurisht, mund të thuhet edhe për regjisorë të tjerë, që hynë në këtë zhanër pas vitit ‘90: B. Bisha, P. Vasi, B. Alimani, E. Budina, F. Koçi, etj. Filmat e autorëve të rinj, jo vetëm falë kohës, por edhe bindjeve më të thelluara, profesionalizmit e formimit të tyre, bashkëpunimit me artistë të huaj, etj., janë më të hapur në gjithçka, janë më realistë, më të mbrujtur në art. Madje edhe filmat që sollën në këto vite disa nga më të njohurit e zhanrit, P. Milkani e Dh. Anagnosti - përkatësisht “Trishtimi i znj. Shnajder” dhe “Gjoleka, djali i Abazit” - janë, kështu mendoj, më të mirët në krijimtarinë e tyre.
Në zhanre të ndryshëm, problemet janë po ato ose të ndërsjellta. Sekush kishte sajuar në rrjete (ditë më parë) një postim me disa autorë që ‘kanë krijuar’ filmin vizatimor. Dhe aty mungonte A. Muharemi, jo vetëm piktor i spikatur dhe origjinal, por me një dinamikë mbresëlënëse në filmin vizatimor, sot edhe më imponues, me çmime dhe qasje në festivalet më serioze të botës (!) Kjo ishte, si ta themi, e kundërta e episodit me sopranon e njohur. Dhe unë e ndjej që duhet ta përsëris: Pa bujë, pa patetizëm, por me realizëm. Më tej, interpretimet rreth kohërave, krijimeve, famës, distribuimit, etj., janë terma e çështje të tjera, që gjithashtu lypin shumë vëmendje.
Shpresoj që këto nënvizime të vlejnë sadopak për mediat e në veçanti për TV-të, për Kritikën Artistike, për institucionet dhe për gjithë mekanizmin e distribuimit të librit, artit si dhe politikën e ‘lojës së emrave’ në tërësi. Duke i ‘zbritur’ në tokë ‘krerët’ e një kohe tjetër, por edhe artistët që kanë bërë emër jashtë vendit, nuk se i zhveshim ata nga vlerat dhe meritat; përkundrazi i vendosim bindshëm dhe me sinqeritet profesional në kuotën e duhur. Duke risjellë në vëmendje ata që kanë spikatur, por mbase nuk u bëhet vendi i duhur, prapë mbetemi në po ato parime: Rangjet, endja drejt tyre, nuk duhet të jenë më pengesë për zhvillimin dhe zgjerimin e hapësirave për letërsinë dhe artet dhe as për ta pohuar ndryshimin. Dhe në këtë mes, nuk ka asgjë për t’u trishtuar, as për t’u fyer. Jeta nuk rri në një vend; gjithkujt i duhet gjetur vendi (pa hipokrizi). Tash jemi në një epokë tjetër, pavarësisht mungesave të rënda në mendimin estetik dhe në problematikat e tregut.
Më në fund, të qasesh për të pohuar disa të vërteta në këtë lëmë, nuk është e lehtë; por duhet. (“Nuk ka ar që të paguajë sinqeritetin.” K. Goldon) Lexuesit dhe spektatorët shpesh nuk dinë nga të shkojnë për shkak të presionit të grafomanëve nga njëra anë, dhe snobëve nga ana tjetër. Por edhe çuarja e tyre me përdhunë te rangjet, nuk se është më mirë. Duhet të gjejmë mënyrën për ta ngritur letërsinë e artet dhe interesin e publikut ndaj tyre në një kuotë në përshtatje me kohën dhe vlerat reale e në dinamikë. Kjo kërkon një rizgjim të institucioneve dhe kritikës artistike, por edhe përfshirjen më mirë në krijimtari e kritikë të emrave që e kanë një vizion dhe që mund të ndryshojnë diçka në këtë temë të ashpër.
Comentários