NJË JETË E KTHYER NË KUJTESË POETIKE
“Jeta në vargje” titullohet vëllimi poetik i autores fierake Mirjana Kina me banim në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Libri është shkruar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht duke hapur kështu rrugën për nji lexues më të gjerë e më të kompletuar, vendas e të huaj. Që në kontaktin e parë me poezitë e këtij vëllimi, të bie në sy origjinaliteti i tyre, frymëzuar nga problemet e ndryshme të jetës, ku trajtohen kryesisht motive familjare dhe ato të emigracionit. Në strukturën e tij, shtjellohet spiralja që lidh shpirtërisht dy gjysmat e jetës së autores: lirika intime ku futet malli për vendlindjen, për fëmijërinë, prindërit, njerëzit e dashur, dhe gjithëshka që ka lën pas dhe përjetimet e përditshmërisë në vendin e huaj që tashmë është bërë atdheu i saj i dytë. Në pjesën më të madhe të këtyre poezive, lexuesi “zhytet” në një tekst poetik me ngarkesë të plotë emocionale, të cilat poetesha na e jep me sinqeritet dhe ndjeshmëri të lartë perceptive.
Fëmijëria është porta e argjendtë e mbetur përjetësisht e hapur në zemrën e poeteshës, nji portë që mbledh brenda saj flladet më të freskëta të nostalgjive. Ajo ndriçon mes kujtimeve të shumta si gur i çmuar ngjyrosur me ngjyrat më të ndezura të fatit të saj.
“Fëmijëria ime, katër gurë të çmuar/ Katër ngjyrat e fatit.”
Nga kjo portë ajo vështron kujtimet e bukura të së shkuarës dhe ndjen mallin e pashuar për njerëzit e dashur, veçanërisht për prindërit e saj që i la me zemër të djegur nga migrimi i largët. Shumë autor shkruajnë për prindërit e tyre duke shprehur adhurimin e natyrshëm që shpesh kalon në shenjtërim. Ky është kumti i brezave por, tek Mirjana, portreti i babait jepet në perceptim përvuajtjeje, në një vazhdimësi shpirtërore ku e kuqja e gjakut, shfaqet si nji trashëgimi mundi e sakrifice për jetën. Ky vështrim e bën mjaft jetësore këtë poezi dhe krijon nji nga vlerat më të rëndësishme të vëllimit. Babai ka lënë gjurmë të thella në edukimin e saj, jo vetëm me këshillat dhe shembullin e tij të urtësisë e mençurisë, por edhe me zemërimin e beftë për gjërat që ndonjëherë nuk shkonin edhe aq mirë në jetën e së bijës. Ndërsa tashmë ajo mbledh nëpër kujtime ”Copëra zemërime të babait/ Për notën e matematikës.” Me kalimin e viteve, pikërisht atëherë kur fëmija bëhet vet prind, e kupton vuajtjen e atit për bijtë e tij. “Sot e kuptova se pagjumësia/Imiton sytë e babait.”- shkruan ajo.
Ndërsa nëna i bëhet vetja e saj e dytë dhe e ndjek në çdo çast të jetës. Por autorja nuk e vizaton gjithmonë të qeshur e të gëzuar. Ajo e portretizon atë në nji çast të përbashkët midis të dyjave, nënë e bijë, në nji çast të trishtë të dhimbjes që shkakton ndarja e madhe e emigracionit. “Kur qan ti,/ Pesha e maleve më shum rëndon.” Ishte shtatori i vitit 1998, shtatori i udhë timit të saj të parë për në SHBA dhe “Oqeani i përpiu të gjitha.” Më pasë, e dërrmuar ajo ndjen se, “Malli e kaloi shpejtësinë e dritës” dhe se ndarja është e barabartë me pabesinë, nji pabesi e re e shfaqur sidomos pas vitit të mbrapshtë të 97 -ës. “Alo – bir a ke mall? Pabesia e jetës kjo ndarje.”
Tema familjare përfaqësohet me nji numër më të madh poezish, nëpërmjet së cilave, Mirjana ndërton korelacionet midis dy kohëve, të shkuarës dhe së ardhmes.
Një vend të gjerë zë familja e saj e re, jeta bashkshortore, gëzimet që sjell ajo së bashku me fëmijët e lindur, e jo vetëm.
“I mblodha buzëqeshjet e tua/ Dhe krijova buqeta ëndërrash/ I mblodha puthjet e tua
Dhe parashikova ditët që do të vijnë .” – shkruan ajo në nji poezi kushtuar bashkëshortit.
Por jeta familjare nuk është gjithmonë nji rrjedhë ideale. Në marrëdhëniet e çiftit zen vend edhe grindjet e lehta, të cilat kapërcehen me durim e mirëkuptim reciprok. Prandaj ajo me sinqeritetin e saj shkruan se jo rrall të “Gërvishet bardhësia e gëlqeres në sy.” Ndërsa zhgënjimi i pësuar nga ëndërrat e bukura përrallore që thurte për jetën në rininë e saj, befas krijojnë ca thyerje të trishta që të dëshpërojnë deri në pezm. “Fjetëm me ëndërra pë rrallore/ U gdhim endacak.”
Në këtë kapitull përfshihen edhe poezija për vjehrën. Është interesante se pak nuse ju këndojnë vjehrave të tyre, por Mirjana këndon me dashuri e respekt të thellë, botën e pasur të asaj gruaje fisnike e cila nëpërmjet vështrimit zhbirues të syve e “pushton” të tërën. Është më tepër një poezi psikologjike që portretizon figurën e një gruaje me autoritet dhe figurë imponuese.
“Ajo kishte një fytyrë / Tepër ëngjëllore,/ Por kishte ca sy qiellor/ Që dinin vetëm të pushtonin/ Dhe unë atë ditë/ Isha e pushtuar dyfish.”
“Kënga buron nga dhimbja.” - Thoshte shpesh Dritëro Agolli. Dhe dhimbja është nji fill i kuq që përshkon e mban lidhur thuajse të gjitha poezitë e këtij vëllimi. Ndoshta prandaj dhe jan aq të ndiera e gjurmëlënëse kur i lexon. Veçanërisht kur Mirjana shkruan për Ervisin, djalin e ndier, që u nda nga kjo botë në vitet më të bukura të rinisë. “Ti na the lamtumirë!/ Nuk gjejmë forcë për ta pranuar./ Fjalët humbën fuqinë/ Të largojnë dhimbjen e përjetuar.”
Krahas punës së përditshme, emigracioni e ka përfshirë autoren edhe në një angazhim social të përkushtuar. Ajo është aktivizuar në Shoqatën “Bijtë e Shqipes” që operon në Filadelfia, vullnetarisht për 9 vjet, për mësimin e gjuhës shqipe, për fëmijët e emigrantëve. Ky përkushtim e bën atë nji aktiviste dhe pjesëmarrëse në vullnetarizëm, duke dëshmuar për të nji dimension të ri patriotik dhe batdhetar. Midis poezive të tilla të bije në sy poezia kushtuar festës së organizuar për nder të ditës së flamurit. Është nji kronikë poetike e spërkitur me dashuri për atdheun, me krenari për shqiponjën dykrenare dhe me dhimbje për largimin nga toka e dashur e të parëve. Kjo ditë, i përbashkon shqiptarët rreth simbolit të atdheut duke krijuar kështu edhe vazhdimësinë me traditën e hershme krijuar nga Noli e Konica. Është dita ku ata ndihen atdhetar më shumë se kurrë, ku festojnë më shumë se kurrë, qajnë dhe këndojnë më shumë se kurrë para flamurit.
“Kë nduam me ty/Qamë me ty/Harruam hallet/Me muzikë shqiptare/Kë nduam krenarinë tënde.”
Në këtë fokus, libri mer nji tingëllimë të theksuar atdhetare dhe rrit vlerën sociale të poezisë.
“Jeta në vargje”, është jeta reale e një gruaje, e nji nëne, nji bashkëshorteje të përkushtuar ndaj familjes dhe shoqërisë, ndaj të shkuarës që vibron si puls malli dhe së ardhmes së preokupuar, për të cilën edhe ka sakrifikuar të kapërcej oqeanin. Nga kjo pikëpamje, ky libër është nji jetë e ngritur në këngë, nji jetë e kthyer në kujtesë poetike.
Nuri Plaku
Comments