
(Kujtime)
Qysh në rininë e hershme pata fatin të lidhem shpirtërisht me majat e virtyteve e të traditave dibrane, që kanë lartësi sa mali i Korabit, ku për afro dy muaj bëra praktikën si student i fundvitit të tretë të Fakultetit të Gjeologji-Minierave të Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Atë verë të vitit 1963 isha i vetmi student me pedagogët e ndjerë Vangjel Melo dhe Eduard Sulstarova. Atëhere Marash Hajati botoi në gazetën „Puna” një faqe të tërë për shpeditën tonë, me titullin e madh: „Tre vetë shtigjeve të Korabit”[1]. Në faqen tjetër u botua një shkrim i imi.
Bazën e kishim në Pllajën e Radomirës, buzë Përroit të Gramës, afër një stani. Ishim të pajisur me nga një lejë të posaçme, të nënshkruar nga zëvendësministri i parë i Punëve të Brendshme gjeneral leitnant Mihallaq Ziçishti dhe drejtori i Drejtorisë së Kufirit, koloneli Pertef Pumo.
Kur ia paraqitëm kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Rrethit të Dibrës, nënkolonelit Sulë Manoku, ky na tha se mund t’i binim kufirit piramidë më piramidë. Kjo e drejtë na ishte dhënë ngaqë do të rilevonim e do të bënim hartën gjeologjike të zonave të pashkelura. Herë pas here zbrisnim edhe në fshatrat kufitare, nga Bellova deri në Kastriot e Maqellarë. Në katundin Cerjan zumë miqësi me Habib Hakajn, vëllai i dëshmorit Shemsi Haka, emrin e të cilit e mban një rrugë në Tiranë. Habibi, kryetar i këshillit të fshatit, na jepte me qira edhe mushka sa herë që kishim nevojë për to.
Nuk më shqitet nga koka një bisedë në atë shtëpi bujare. Më i moshuari i Hakajve na pat lënë gojëhapur kur pat ngritur një dollì krejt të pazakontë: „Mos m’u mbarofshin hallet!”. Dhe, duke e parë të nevojshme të na sqaronte, pat shtuar: „Po m’u mbaruan hallet, kam vdekur. Dashtë Zoti të jenë halle të përballueshme”.
Tani do të na tronditte me një tjetër dëshmi. Matanë kufirit kishte një pjesë të farefisit, që nuk e kish parë prej pesëmbëdhjetë vjetësh. As letra, as kartolina, kurrgjë. Në një moment ngrohjeje të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, familjes së tij, të lidhur ngushtë me Luftën Nacionalçlirimtare, iu premtua se do t’i jepej mundësia të çmallej me të afërmit. Gëzim i papërshkruar!
Një javë të tërë s’vuri gjumë në sy, derisa ia behu çasti i shumëpritur! Ditën e takimit u veshën me rrobat më të mira dhe i mbushën hejbet me dhurata, që ua ngarkuan dy mushkave. Edhe për këto kishin blerë këmborë të reja e stoli të posaçme. Me të sosur në kufi, burra, gra e fëmijë, i kontrolluan deri në pikat më intime të trupit. Pastaj u thanë të rrinin në rresht tridhjetë metra larg brezit kufitar. Të afërmit e anës tjetër ndodheshin sakaq bash në buzë të kufirit dhe kërkonin të rrokeshin përqafe me Hakajt. Por këta nuk kishin të drejtë tjetër përveçse t’i përshëndesnin nga larg (nuk mund t’u jepnin as dorën atyre që rronin në një vend revizionist!).
[1] Për gazetën „Puna” shkrova dëndur reportazhe, skica, tregime, përshkrime etj, kur isha student, por edhe kur punoja si inxhinier gjeolog. Publicistja e njohur, e ndjera Shpresa Kamani (Leka), sekretare e kolegjumit të gazetës së mësipërme, dinte të mbante lidhje të qëndrueshme pune me një rrjet të gjerë bashkëpuntorësh, nga të gjitha fushat, pra edhe me intelektualët e prodhimit. Ndër këta, binte në sy pena e mprehtë e inxhinierit të minierës së qymyrgurit në Memaliaj, Gafur Shametit, i cili, në një periudhë të caktuar, u përfshi në veprimtarinë shtetërore, duke u zgjedhur edhe deputet.
Comments