top of page

NË KAFENENË E PLEQVE


Myslim Maska

   Zakon i imi ky: kafenë e mëngjesit e pija në “Kafenenë e pleqve”, pranë pallatit ku banoja. Si gjithmonë, me kompiuterin”Lap top”në dorë, hyra duke i  përshëndetur pleqtë dhe u ula në tavolinën time, në krahun ë djathtë të hyrjes pranë vitrinës. Avokati, miku im i nderuar menjëherë sa më pa, erdhi drejt meje duke kënduar me zë të ulët sipas melodisë së operës“Aida” të Verdit:

“Edhe pse jeta është një budallaçkë,

   Prapëseprapë e duam marrëzisht”…

Qesha dhe e ftova në tavolinë.

   -Jo, jo,- m’u përgjigj prerazi,- jo, se edhe ti ke punë, edhe unë kam punë. Porosita për ty një dopje uiski dhe bajame të pjekura, sepse nesër festoj tetëdhjetë e pesë vjetorin elindjes. Besoj se do më vish.

    -Patjetër,- i thashë unë dhe, duke u ngritur në këmbë, e përqafova dhe e urova.

   -Tek largohej drejt tavolinës së tij, e ndoqa me vëmendje, duke hapur kompiuterin mekanikisht. Nuk mund të them se qe i bukur, por qe shpirt njeriu, tepër fisnik dhe simpatik. Për më tepër, nga të paktët të mençur që kisha njohur. Isha njohur me të rastësisht, aty nga fillimi i ardhjes sime në këtë kafene, afërsisht para shtatë- tetë vjetëve. Sebepi qe libri i tij “Njeriu dhe Krimineli”, i cili më pëlqeu aq shumë sa bëra një shkrim dhe e botova në revistën më të njohur shkencore kryeqytetase. E veçanta e librit ishin idetë krejt të reja në këndvështrimin e botës së mistershme të njeriut, në raportin koshiencë - subkoshiencë. Absolutisht ndryshe nga ç’i shihte Frojdi, Jungu dhe sidomos Ralti. Artikulli im u bë shkaku i një sërë shkrimesh të tjerë seriozë. U njohëm nga afër me të. Shkëmbyem vizita të shumta familjare, sa gratë tona, edhe pse me diferencë të madhe moshe e me kombësi të ndryshme, u bënë shoqe të ngushta. Kushedi sa herë lozëm tavëll dhe shah me avokatin. Ishte kaq shumë i ekuilibruar, saqë nuk mbaj mend dhe një rast që të nxehej, kur unë qellimisht me padrejtësi, i rrëmbeja ndonjë figurë shahu.

              *  *  *

   Ndeza cigaren dhe ngrita gotën e uiskit të uroja nga larg për tetëdhjetë e pesë vjetorin e lindjes, mikun tim të nderuar, avokatin. U trishtova gjer në dhimbje kur pashë që avokati, miku tij i ngushtë arkitekti dhe historian dhe poeti, bile, dhe mjeku i famshëm psikiatër, shkurt, të gjithë miqtë e mi në tavolinën përballë, i kishte pllakosur mjegulla.   Sepse mu dukën atë çast si me vështrime të përhumbura, të kredhur tek hiçi, ose tek  gjithçkaja, ndoshta tek Zoti apo tek djalli. Ku t’a di! Ndoshta brenda filxhanit të kafesë, i cili nxinte tmerrësisht si ferri, si jeta tek i marri…”Ta hajë dreqi!”- thashë me vete i nervozuar dhe, në çastin që desha t’i thërrisja në emër avokatit, sepse ngela në këmbë   më shumë se një minutë me gotën e uiskit në dorë. Pronari i kafenesë më paska vënë re, qënka shkulur nga banaku dhe e paska prekur në sup avokatin të përhumbur kushedi  se ku, duke i treguar me gisht nga unë. Mbasi e urova, duke e shkundur nga përgjumja ,u ula në karrige dhe hapa kompiuterin. Ç’të shoh! Mes rreshtave të tregimit që po shkruaja, një vajzë bukuroshe ma bënte me dorë, në fillim pak e mjegullt, por, pasi fërkova sytë, për një çast shtanga! Një bukuroshe e rrallë, e ulur në një karrige plastike të bardhë, me flokët ngjyrë gri, ndoshta të lyer sipas modës së fundit, më buzëqeshi me ëmbëlsi duke më thënë:

   -Mirëmëngjes, zoti Serian!

   -Mirëmëngjes! - iu përgjigja aq i hutuar që ma dinte emrin, saqë instiktivisht ndeza cigaren, ngaqë nuk dija ç’të bëja. Pikërisht atë çast ajo paska dalë nga kompiuteri dhe qënka ulur në karrigen përballë meje.

   -Mirëseerdhët! – i them i emocionuar dhe i habitur njëkohësisht, duke i dhënë dorën. Pas pak, me dinakëri e pa m’i ndarë sytë, me një lëvizje të kokës, të shoqëruar me dorën edjathtë, hodhi mbrapa, mbi shpatulla, flokët ë bukur gri si të thinjur, duke zbuluar gjinjtë marramendës, që mua atë çast m’u dukën si dy shportëza të florinjta të thurura me rreze dielli. Ndërkohë, për të mos e dhënë veten para saj, që po më verbonte, i bëra me shenjë nga tavolina pronarit të kafenesë, që t’i sillte një dopje uiski, gjë që ajo e pranoi me kënaqësi. Më qe kyçur goja. Herë – herë shihja bukuroshen përballë meje i ngazëllyer, herë rreshtat e tregimit që më ngatërroheshin në  ekranin e kompiuterit. Ajo, mesa duket, ekishte kuptuar gjendjen time dhe nisi të më fliste pa mbarim gjëra të çuditshme, të ngatërruara e të padëgjuara. Unë pohoja me kokë pa ia ndarë sytë dhe herë pas here ktheja  ndonjë gllënjkë uiski, që e shoqëroja me bajame të pjekura.      

  

-Të mërzita, më duket, megjithëse duhet tua them se ju shkrimtarët jeni shumë xhentil e të edukuar me të gjithë: Me fatkeqë e me të lumtur, me të dështuar e me të suksesshëm, me të shëmtuar e të bukur dhe sidomos me vajzat shumë të bukura si unë,- dhe heshti pakëz, kur shqiptoi fjalinë e fundit. Unë, si idiot që jam, kushedi se ç’gjest paskam bërë që asaj i paska rënë në sy, sepse, në të vërtetë, mua s’më pëlqeu fare që i kishte hyrë aq shumë vetja në qejf. – Ty,- vazhdoi, - kur thashë “ vajza shumë të bukura si unë, t’u duk mëndjemadhësi, arrogance, vetëmburrje, vetëhyrje në qejf, etj…etj., por ja që kështu është. Unë kam një bukuri të jashtëzakonshme, absolute, asgjësuese. Ti dhe ca të tjerë si ty, shumë të paktë sigurisht, e dini shumë mirë këtë gjë.”

   Unë u skuqa gjer në vesh nga lavdërimi që më bëri dhe, pa ia shqitur sytë, pasi ktheva një gllënjkë uiski dhe rregullova një fjalë në rreshtat e tregimit që më ngatërroheshin në ekranin e kompiuterit, i paskam thënë:

   -Jo, s’po e mendoja fare këtë,- dhe më erdhi turp që e gënjeva. Ajo, edhe pse e kuptoi gënjeshtrën time, s’e dha veten dhe vazhdoi:

   -Po për çfarë po mendonit?- Për dhuratën e nesërme në tetëdhjetepesë vjetorin e avokatit?

   -Ju njiheni me avokatin?! – pyeta i tronditur.

   -Oho, që të vegjël, më saktë, që kur lindi.

   -Po talleni  me mua?

   -Jo, jo. Sinqerisht jua them, as nëpër mend s’më shkon të tallem, në mënyrë të veçantë me ty.

   -Po ti je e shumta shtatëmbëdhjetë- tetëmbëdhjetë vjeçe, ndërsa avokati nesër mbush tetëdhjete e pesë vjeç. Si ta kuptoj “e njoha qëkur lindi” dhe më thoni…”se nuk talleni me mua”,- por këtë e thashë me vete...

   - Po unë s’kam moshë, -  më tha,,- duke më shkelur syrin e më buzëqeshi me dinakëri.

   - Avokati është miku im më i mire dhe më i mençur, që kam njohur ndonjëherë. Asnjëherë s’më ka folur për ju. Më duket paradoksale të ma ketë fshehur këtë lidhje dashurie.

   -Të ka folur, të ka folur te libri i tij i famshëm “Njeriu dhe krimineli”. Dashuria e vërtetë është memece, pa gojë. Është thjeshtë instikt dhe ndjenjë. As do dhe as njeh kufinj moshorë. Dashuria e vërtetë është një mrekulli që të verbon, të djeg, të përvëlon, befas bëhesh hiç, pluhur, asgjë. Ndoshta gjithçka në një tjetër formë etj.etj. Ta përmenda këtë thjeshtë për ta kujtuar. Është apo s’është kështu?

   -Po, po, keni të drejtë,- pohova ashtu kot, ndërsa në mendjen time një vorbull e tërë mendimesh përplasej e grishej dhe i nervozuar qënkam kthyer nga banaku, sepse banakieri ende s’ia paska sjellë dopion e uiskit.

   -S’ka gjë,- ndërhyri menjëherë dhe befas kërceu nga karrigia si një kaprolle dhe u nis drejt Banakut. Tek ecte e pashë me vëmendje nga koka te këmbët. E brishtë, e imët, delikate, me një fustan të bardhë si një kometë vezulluese. S’di pse m’u duk atë çast sikur qielli kishte rënë në kafenenë që llamburinte e ndrinte. Me dopion e uiskit në dorë vajza bukuroshe shkoi të uronte avokatin për tetëdhjetë e pesë vjetorin e lindjes. Nga afiniteti dhe intimiteti se si perkëdheleshin dhe putheshin, i dhashë të drejtë se ata njiheshin prej kohësh. I shihja vjedhurazi nga tavolina ime tek flisnin e qeshnin pambarim, një Zot e di se ç’thoshnin, ndoshta çuçuriçka dashurie. Dhe nuk e di pse atë çast shpirti m’u mbush me një ngashërimë të thellë dhe qava hidhur për avokatin. Ekrani i kompiuterit qe mbushur me re të zeza dhe shira, ndërsa rreshtat e tregimit gjarpëronin si vetëtima. Pastaj s’mbaj mend asgjë. S’dija ku ndodhesha! Si i murosur, me kokën e mbështetur mbi dorën e majtë, paskam ngelur i ngërthyer e me vështrim të ngrirë në ekranin e kompiuterit. Pronari i kafenesë më paska tundur nga supet duke më thënë:

   -Zoti Serian, ende këtu? Avokati vdiq. Befas përplasi kokën mbi tavolinë. Sapo e morën dhe e çuan në shtëpi.

   -Jo! – i thashë unë prerazi, i befasuar dhe i revoltuar. – Jo, avokati është gjallë. Avokati sapo u fejua. Nesër do vënë kurorën në kishë.

   -U fejua?, me clën?

   -Me atë,- i them unë,-me atë bukuroshen e marrë, që erdhi e u ul në tavolinë përballë meje. Dy herë të thashë t’i sillje uiski dhe nuk e di pse s’ia solle, gjersa u detyrua të vinte në banak tek ty.

   -Këtu, sot, s’ka shkelur këmbë vajze. Asnjë bukuroshe s’ka ardhur sot në kafene. Bile, edhe ti s’e ke pirë uiskin që të qerasi i ndjeri, avokati,- tha duke më parë në sy i shqetësuar dhe i habitur. E doja shumë ,- vazhdoi  dhe nisi të qajë me ngashërim…

   Unë ngrita kokën dhe e zhbirova me vëmëndje. Më mëshironte! Ndoshta më merrte për të çmendur. Më urrente! Sepse nuk iu gjenda pranë, sipas tij, mikut tim më të ngushtë në çastin më tragjik. Megjithatë, e kaloi  me një rrahje miqësore shpatullash me pëllëmbë dhe një “mirë, mirë”.

   -Ktheje uiskin që të ka ngelur, mere kompiuterin dhe ngrihu. Tani do t’a mbyll kafenenë e do të shkojmë bashkë tek shtëpia e të ndjerit. Iu binda si një robot. U ngrita dhe dola në rrugë. Bënte shumë ftohtë. Mbaj mend që vura kompiuterin “Lap top”mes këmbëve, u mbështolla mirë, ndeza cigaren dhe, kur u nisa për ngushëllim tek shtëpia e të ndjerit, mikut tim të nderuar, avokatit, s’kisha bërë as dhjetë – dymbëdhjetë hapa, kur në rrugicë, njëzetë metra më tej, pashë avokatin dhe vajzën bukuroshe, që putheshin marrëzisht. 

695 views4 comments

4 Comments


sotir.mimi
sotir.mimi
Jul 17, 2020

Xing.

I gjithë tregimi është konceptuar në përvojën e tejkalimit të iluzionit optik, në atë të një ëndrre deri në shfaqjen e të mbinatyrshmes. Urime autorit!

Xing.

Like

Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Jul 16, 2020

Kjo mënyrë thurje me fijet e magjikes është bërë tashmë veçori principiale e stilit tënd krijues i dashuri Myslim. E kalamend lexuesin sa në krahët e tokësores në të ëndrrës dhe e mrekullon me imazhe të rralla që vetëm fantazia i mundëson e realizon.

Shumë urime dhe përqafime! Kozma Gjergji.

Like

Nuk mund të ndodh ndryshe kur leximi shkon aty ku shija e leximit kthehet me estetikën dhe formën e duhur e të bukur diskursive. Nuk është thjesht lexim... F. Terziu

Like

Noke Abilekaj
Noke Abilekaj
Jul 16, 2020

100 herë ta lexoj këtë tregim, 100 herë do mbetem i qepur pas tij dhe do bie në mendime.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page