Në këtë ditë, kujtohen gazetarët të cilët janë sulmuar, janë abuzuar, frikësuar dhe....


DITA NDËRKOMBËTARE PËR T’I DHENË FUND

PANDËSHKUESHMËRISË SË KRIMEVE KUNDËR GAZETARËVE

Nga Frank Shkreli

Dita Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Krimeve kundër Gazetarëve (2 Nentori, 2020) është një ditë që shënohet çdo vit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, (OKB-së), nga qeveritë anëtare të OKB-së dhe nga organizata mbrojtëse të lirisë së shtypit dhe të drejtave të gazetarëve. Është një ditë që bota i kushton vëmendje krimeve të dhunëshme kundër gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias, në përgjithësi. Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), me qëndër të Vjenë, tha me ketë rast se mosndëshkimi me të cilin kryhen krimet kundër gazetarëve, anë e mbanë botës, vazhdoi të rritet edhe këtë vit pasi qeveritë e ndryshme kanë dështuar të hetojnë krimet që bëhen e janë bërë kundër gazetarve.

Sipas burimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe enteve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare të cilat merren me mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë së fjalës, gjatë 14-viteve të fundit, janë vrarë rreth 1500 gazetarë, vetëm e vetëm, se kanë kryer detyrën e tyre, duke raportuar lajmet dhe duke informuar publikun. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Kina, Turqia, Saudi Arabia, Egjipti dhe Rusia burgosin më së shumti gazetarët për punën që bëjnë, në krahasim me vendet e tjera.

Në këtë ditë, kujtohen gazetarët të cilët janë sulmuar, janë abuzuar, frikësuar dhe kërcënuan nga qeveri të ndryshme dhe grupe kriminale të lidhura me qeveritë due prëfaqsues të tyre. Shumë prej tyre humbën jetën në mbrojtje të së vërtetës. Ja dhe disa shifra trishtuese, sipas UNESCO-s 2020, në lidhje me krimet kundër gazetarëve në botë: Në dekadën e kaluar, një gazetar është vrarë diku në botë, mesatarisht, çdo katër ditë. Viti 2019 tregon numrin më të ulët të vdekjeve të regjistruara nga UNESCO në dekadën e fundit (vetëm) 57 vdekje. Në vitin 2019, numri më i lartë i sulmeve fatale ndodhi në Amerikën Latine dhe rajonin e Karaibeve, ndërkohë që ky rajon përfaqëson 40% të vrasjeve totale të gazetarëve, të regjistruara në mbarë botën, pasuar nga Azia dhe rajoni i Paqësorit, me 26% të vrasjeve. Shumica e gazetarëve u vranë në vendet pa konflikt të armatosur, sipas UNESCO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, mbrojtëse të drejtave dhe lirive të gazetarëve, anë e mbanë botës.

Këto ente ndërkombëtare të gazetarëve thekësojnë se, “në nentë nga dhjetë raste” të këtyre krimeve, vrasësit e gazetarëve -- anë e mbanë botës -- nuk ndëshkohen për krimet e tyre. E mosndëshkimi i këtyre krimeve ndaj gazetarëve, nënvijojnë këto organizata, inkurajon vet autorët e krimit për të ndërmarrë vrasje të tjera dhe njëkohësisht krime të tilla kanë një efekt tronditës edhe në shoqërinë ku ndodhë krimi, por edhe në radhët e vet gazetarëve që dekurajohen që të kryejnë detyreën siç ua kërkon etika gazetareske, duke raportuar të vërtetën. Mosndëshkimi krijon dhe inkurajon mosndëshkimin dhe shpeshëherë ka si pasojë edhe përkeqësimin e gjëndjes në vend, përfshirë prishjen e rendit dhe të qetësisë, si dhe shkeljet e rënda ligjore dhe turbullirat politike.

Ekspertët dhe entet ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve thonë se sado të tmershme që janë këto shifra për krimet kundër gazetarëve, ato nuk përfshijnë një numër shumë më të madh gazetarësh -- anë e mbanë botës -- të cilët çdo ditë pësojnë sulme fizike, shpesh fatale, përfshirë tortura, ndalime arbitrare, frikësime dhe kërcënime të llojllojshme nga policia dhe ndër autoritetet më të larta qeveritare. Ata thekësojnë, gjithashtu, se gratë dhe femërat gazetare përballen edhe me më shumë rreziqe, në kryerjen e profesionit të gazetarisë, përfshirë edhe dhunën seksuale ndaj tyre.

Është e turrpëshme për cilëndo shoqëri që sulmet ndaj gazetarëve të kalojnë të pandëshkuara. Mosndëshkimi i sulmeve dhe i krimeve kundër gazetarëve dhe përfaqsuesve të medias, i dërgon mesazhin edhe shoqërise, në përgjithësi, që të mos ketë besim në gjyqësorin dhe as në mbrojtjen e ligjit dhe të respektimit due zbatuimit të drejtave universale të njeriut, në përgjithësi. Mosndëshkimi i krimeve kundër gazetarëve, por jo vetëm ndaj gazetarëve, inkurajon krime edhe kundër grupeve të tjera të interesit, duke vendosur në këtë mënyrë një kulturë mosndëshkimi dhe mos tolerance, në cilëndo shoqëri qoftë. Prandaj, qoftë Amerika, qoftë, Shqipëria, Kosova, Franca apo Gjermania, Rusia ose Kina, ose cilido vend qoftë, pa liri të vërtetë të shtypit nuk ka as liri të tjera dhe as demokraci të vërtetë. Dhe pa ndëshkim të krimeve dhe sulmeve kundër gazetarëve – vetëm e vetëm se kryejnë detyrën e vet për të informuar publikun me fakte dhe objektivisht -- nuk ka as liri të vërtetë të shtypit dhe as zbatim të drejtave të tjera bazë të njeriut -- pa marrë parasyshë se për cilin vend flitet.

“Kur gazetarët janë në shënjestër për t’u sulmuar për punën që kryejnë, shoqëritë në tërësi paguajnë një çmim të rendë. Nëse nuk i mbrojmë gazetarët, mundësia jonë për të qenë të informuar dhe për të marrë vendime të bazuara në prova dhe fakte, pengohet rëndë. Kur gazetarët nuk mund të bëjnë punën e tyre në siguri, ne humbasim një mbrojtje të rëndësishme kundër pandemisë së keqinformimit dhe dezinformimit, që është përhapur në internet” vitet e fundit, u shpreh Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Krimeve kundër Gazetarëve.