top of page

NË KËRKIM TË LIRISË


SHPENDI TOPOLLAJ

LEA YPI NË KËRKIM TË LIRISË PËRMES ABSURDIT

(Rreth romanit “Të lirë”)


Kur nga Shtëpia Botuese “Dudaj”, doli në dritë romani i Lea Ypit “Të lirë”, dikush, nuk e di pse, dhe ndofta pa e lexuar fare atë, përhapi fjalë këtu në Durrës se vajza e Zafos, ish deputetit të të djathtës, çuditërisht, ka shfaqur në të bindjet e saj politike, të cilat në kundërshtim me sa pritej, qenkan… të majta, duke nënkuptuar me këtë; komuniste. Kjo ndofta qe dhe reklama më e mirë që u bë nxitje për mua për ta lexuar atë. Lea, ajo pionieria e vogël me përparëse të zezë dhe shallin e kuq në qafë që si rezultat i fantazisë në dizajn të Fatma Xhaferajt, pozon në kopertinë mbi mustaqet e Stalinit, tani është rritur dhe bërë goxha profesoreshë e Teorisë Politike në London School of Economics, pra një intelektuale që e nderon si familjen e saj ashtu dhe vendin tonë. Në pamje të parë, duket se jemi para një autobiografie, por gabohemi; në çdo faqe të këtij libri kemi biografinë e vetë Shqipërisë në dy kohë. Me një kujtesë të pagabuar prej fëmije kureshtar, ku nuk mund të shmangej edhe nga naiviteti i moshës, ajo sjell pasazhe nga koha kur sistemi socialist, me një kokëfortësi të pashoqe, vijonte propagandën e tam - tameve tipike si rendi më i përparuar në botë dhe pretendimin megalloman se kishte krijuar njeriun e ri, deri sa kjo gënjeshtër që e besonte edhe vetë, e detyroi të japë shpirt. Pasnëntëdhjeta, periudha e demokracisë, patjetër që i dha krahë shpresës se liria e fituar do të sillte ndryshime rrënjësore si në jetën e njerëzve ashtu dhe në dinjitetin e tyre. Të dy sistemet kishin ardhur me parrulla joshëse, njëra me atë të lugës së floririt dhe tjetra “si e gjithë Evropa”. Nga euforia e shdërrimit dhe ndofta nga mosnjohja, masa e gjerë as që i dha rëndësi thënies së burrit të madh të vendit ku është Lea, Winston Churchill që e kishte përcaktuar kapitalizmin si jo njerëzor dhe socializmin çnjerëzor. Se sipas tij “Defekti i natyrshëm i kapitalizmit është ndarja jo e barabartë e të mirave. Virtyti i natyrshëm i socializmit është ndarja e barabartë e mizerjes së tij”. Këto dhe të tjera konkluzione, nuk është se u shfaqën para vendosjes së këtyre rendeve. Ato ishin përfundime të periudhave afatgjata që lanë shenja të mëdha në psikikën dhe vetë jetët njerëzore. Sisteme që formësuan historinë botërore dhe të shteteve të veçanta. E vërteta është se qysh në kohën e tij, filozofi grek Platoni (427 - 347 p.e.s), i jepte një vend të rëndësishëm botës së ideve, prej nga fillimisht vinte shpirti, prej nga burojnë tre të mirat e famshme; dituria, urtësia dhe guximi, të cilat nga harmonia e tyre lindin drejtësinë. Për më tepër, ai shkoi deri te Kallipolisi që duhej ta kishte mbretin filozof. Ka ndodhur kjo një herë në Bizant, por nuk pati sukses. Mesjeta iu kthye sërish këtyre problemeve në ndërtimin e shtetit model (kujtojmë “Qytetin e diellit” të T. Kampanella që për mendimin e lirë i kaloi gati nja tre dekada në burg), por edhe ajo nuk ia doli, siç dështuan më pas, deri në kohët moderne të gjithë ata që premtonin parajsën në tokë. Por dështimi i dështimeve, mbetet synimi për të ndërtuar shoqërinë e re pa shtypës e të shtypur që predikonte teorija marksiste - leniniste dhe që thonë se tek ai prifti domenikan i kishte fillesat. Se teoritë dhe doktrinat politiko - filozofike, në analizë të fundit, vlejnë për lakmitarët e karrierës sa për t`u hedhur hi syve njerëzve, për t`i tërhequr ata pas vetes derisa të kapin pushtetin. Se dhe pastaj ende u duhen, sidomos diktatorëve, për maskim dhe përligjje të mjerimit, padrejtësive dhe krimeve që bëjnë gjoja në emër të asaj doktrine që tani sa për sy e faqe e kanë përqafuar të gjithë. Autorja Lea Ypi, për t`i trajtuar këto çështje, natyrisht që nuk flet me stilin gazetaresk, sikur po jep leksion para studentëve, por duke bërë letërsi, ajo flet artistikisht. Nga ana tjetër, ajo nuk merr përsipër të analizojë strukturën politike, ekonomike, shoqërore e psikologjike të shoqërisë në tërësi, apo të japë shifra bindëse. Nuk synon as të rreshtojë krimet e panumërta me të cilat ai sistem mbushi Shqipërinë. Ato njihen tashmë. Nuk pretendon të shkruaj historinë. Ajo ka të tjera mjete, nga ato që arti i të shkruarit i ka me shumicë; mjaft të kesh njohuritë e duhura, talentin dhe patjetër kulturën e kultivuar. Lea i ka të treja këto cilësi, pasi është lindur e rritur në një familje intelektualësh ku edhe për gjëra të vogla nuk flitej me rëndomësi. Prindërit dhe gjyshja, mbesë Pashai, dhe e vetmja vajzë në Liceun francez të Selanikut, me shumë takt, përpiqen të mos e përfshijnë vajzën ende nxënëse, në vorbullën e telasheve dhe andrralleve që vetë atyre u kish hapur njolla nga gjyshi i burgosur dhe ai kolaboracionisti kryeministër. Ata në shtëpi flasin me kode si p.sh. “Ahmeti e mori diplomën” ose “Avniu u diplomua në B.” ose “Emineja i filloi studimet në S. por më pas u transferua në M.” Dhe këtu bëhej fjalë për burgje të llahtarshme, për Burrelin, Spaçin e Maliqin. Ata duan që ajo të mos ndikohet dhe të mos krijojë asnjë kompleks frike dhe inferioriteti mes shokëve dhe shoqeve. Dhe ajo e ndien veten kudo të barabartë. Flet lirshëm me ta dhe nuk sheh ndonjë mungesë lirie. Ajo ndihet e lirë, pasi suaza e temave të fëmijëve aq është. “E urdhërova veten të mendoj si mësuese Nora. Ne kishim socializmin. Socializmi na jepte liri. Protestuesit (në vendet kapitaliste - shën. im), gabonin rëndë. Askush nuk kishte pse kërkonte liri”. Mësueset Nora dhe Mushka janë të mjaftueshme për të treguar sesi partia - shtet trullos njerëzit me dogmat e saj qysh në bangat e shkollës. Fëmijët besojnë kollaj dhe patjetër që kjo ndikon në formësimin e tyre mendor dhe shpirtëror. “E shihni këtë? - thotë mësuesja duke treguar dorën - Kjo dorë do të mbetet e pamposhtur… Sepse kjo dorë ka shtrënguar dorën e shokut Enver. Nuk m`u bë ta laj atë natë pas Kongresit. Ashtu e lashë për ditë të tëra. Por ama forca më mbeti këtu pasi e lava. Kjo forcë nuk do të më braktisë kurrë. Fryma ime do të jetë fryma e Partisë. Deri ditën kur të jap shpirt”. E si mund t`i vënë në dyshim vogëlushët fjalët e saj? Mangësitë, ata nuk i shohin politikisht, se nuk e kanë idenë se ç`është politika. Këto, ata i kalojnë me harenë e moshës, me lojrat e tyre, me një çantë shkolle të kuqe, me bukën me sheqer, apo ndonjë kaush akulloreje të falur nga magazinieri aty pranë. etj. Edhe kur rritet dhe nis të kuptojë, ajo me pak sforco vijon të ndihet e tillë. Edhe ajo si gjithë të tjerët, nuk i shmanget dot shpëlarjes së trurit. Për të mjafton të mësojë mirë, të sillet me edukatë dhe të lexojë letërsi. Por syrit dhe veshit të saj nuk i shpëtojnë bisedat e të rriturve. Natyrisht edhe ata nuk janë të gjithë njësoj. Dikush rron me nostalgjinë e së shkuarës, dikush pajtohet dhe e përligj të tashmen, dhe dikush tjetër shpreson tek e ardhmja, siç ndodh edhe brenda familjes së saj. I bën përshtypje dita e 5 Majit, kur shokët e Partisë shkonin vizita te familjet e dëshmorëve apo partizanëve, ku shoqet e saj i prisnin me lule në duar dhe bënin fotografi. Kurse ajo nuk kishte hiçkurrëgjë. Kështu vazhdon derisa e mëson të vërtetën e atij Kryeministrit të dikurshëm që ajo nuk e kishte njohur kurrë, i cili nuk paskej qenë rastësisht me të njejtin emër. Dhe Lea ashtu si qëndrimet edhe emrat i vendos siç janë realisht. Nuk fsheh asgjë dhe nuk fshihet pas asgjëje. Ajo nuk e ka pasur të vështirë të zbukurojë, të mos thotë diçka që nuk i pëlqen apo t`i mëshojë më shumë meritave e lëvdatave të njerëzve të saj të afërt. Por jo; i ka përshkruar personazhet e saj ashtu siç janë, siç i ka njohur nga afër, me të mirat e të këqiat e tyre. Nuk i paraqet prindërit e saj si heronj, as si kampionë të demokracisë. Ata shpesh kanë dhe moskuptimet e tyre dhe ajo nuk druhet të na i rrëfejë. Është skajshmërisht e sinqertë në çdo gjë që thotë. Tani që u rrit dhe i pa të vërtetat e hidhura në sy, mjaftohet t`i qesëndisë ato me një ironi të hollë e mjaft të këndshme. Kujtoj lidhjet gjithë sforcime me botën e jashtme nëpërmjet TV, ndodhia e kanaçes së Koka- Kolës, radhat diskredituese, letrat e çamçakizit, qëndrimi i trembur ndaj turistëve, shitësja “Meduzë”, dyqani i dollarit, apo ajo kategori të huajsh që e adhuronin vendin tonë. “Për ta (Shqipëria - shën. im), ishte i vetmi vend në botë që kishte arritur të ndërtonte një shoqëri socialiste parimore, pa u fëlliqur me kompromise. Ata admironin gjithçka tonën: qartësinë e parullave prej guri të ngulura në toka malore, disiplinën e punëtorëve në fabrika, përgatitjen e pionierëve, besnikërinë e kuajve që tërhiqnin me modesti karroca në rrugët plot baltë e gropapamjen besimplotë të fshatarëveqë fshikullonin me kamzhik kafshët punëtore. Madje edhe mushkonjat tona kishin diçka të veçantë, thuajse heroike në sytë e ëndërrimtarëve - se si e thithnin gjakun barazisht, pa mbajtur me hatër askënd…” Lea Ypi nuk është as Roza Luksemburgu e as Klara Cetkin që të flasë me zjarr, të demaskojë dhe të ngrejë masat peshë kundër padrejtësive. Ajo që ngjau, nuk kthehet më. Dhe kjo që po ngjet nuk është e përsosur. Lea vijon të tjerrë fatin e familjes së saj dhe të vetën në demokraci, pa e ndarë atë nga të tjerët dhe gjithë vendit. Përshkruan ditët e para të demokracisë, 97 - tën, fajdet dhe ajo që pasoi etj. etj. deri tek ardhja e forcave të huaja për të vendosur qetësinë e paqen dhe të ekspertëve për të na mësuar se si kapet peshku. Trajtimi që u bën atyre historive dikujt mund të mos i pëlqejë. Për më tepër ndokush edhe mund të rrudhë buzët dhe me teorizimet që ajo bën apo referimet filozofike apo studimi i Marksit edhe pse prindërve u dha fjalën se do ta anashkalonte atë filozof, të mos jetë në një mendje. Përvoja botërore na ka vërtetuar se pak rëndësi ka se kush filozof zgjidhet. Ata të gjithë, në mënyrën e tyre predikojnë të mirën e përparimin. Rëndësi ka se si zbatohet ajo filozofi. Se a nuk ishte vetë Marksi që thosh se “Në qoftë se karakteret njerëzore varen nga rrethanat, t`i bëjmë rrethanat sa më njerëzore”? Po ku përfunduam ma rrethanat “njerëzore” që sollën qeveritë komuniste!? Nuk përjashtohet që dikush edhe pa e lexuar fare, ta akuzojë Lean për të majtë. Por ajo nuk do vente të trokiste derë më derë e të pyeste se si mendoni ju që ta shkruaj librin unë. Ajo e pohon vetë: “Gjërat ishin ashtu, pastaj u bënë kështu. Unë isha dikush, pastaj u bëra dikush tjetër”. Sidoqoftë ajo mbetet besnike e filozofisë “Mendoj pra jam”. Dhe në qoftëse, një libër i kësaj natyre ka ngjallur diskutime apo ka hapur debate, do të thotë se autorja ia ka arritur plotësisht qëllimit. Së fundi; duke qenë se jemi në fushën e letërsisë, duhet pranuar se me këtë roman të sajin të parë, i cili do të botohet në disa gjuhë të huaja, autorja Lea Ypi, jo vetëm që ia ka dalë të paraqitet me dinjitet, por edhe të premtojë akoma më shumë. Atyre që duan t`ia ulin vlerat dhe meritat kësaj autoreje (e cila nuk është më ajo pionieria me përparëse të zezë dhe shallin e kuq), duke i vënë në dyshim bindjet e saj, le t`i kujtojmë miqësisht shprehjen e famshme të Virgjilit, filozofit që u mor edhe me misteret e natyrës njerëzore: “Sic vos, non vobis”, pra “Kështu ju, jo për ju”.

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page