NË JAVËN EVROPIANE
MIKE DHE MIQ,
meqenëse jemi në javën Evropiane, ju ftoj të bëjmë sëbashku virtualisht, një guidë kulturore nëpër shtetet e Evropës, ku jetoni, apo keni shkuar për arësye të ndryshme. Sipas dëshirës ju mund të postoni këtu një foto mbresëlënëse, një poezi, një këngë, një pjesë instrumentale, pikturë..., për ta bërë këtë javë sa më domethënëse, për të qenë sa më unikë në vlerat dhe kulturat e kombeve të Evropës, pjesë e së cilës jemi të gjithë. Udhëtim të mbarë, sëbashku, miqtë e mi!
(Ps: Sot po sjell dy poezi, një nga poetja italiane Alda Merini dhe një nga miku ynë poet, me banim në Patra të Greqisë, Iliaz Bobaj) Iliriana juaj, Brooklyn, NY, 5 maj 2020
ALDA MERINI -
ATO SI UNË ...
Ato si unë dhurojnë ëndrra, edhe në vetë pa 'to mbeten. Ato si unë japin Shpirt, se një shpirt i vetëm është pikë uji në shkretëtirë. Ato si unë të shtrijnë dorën dhe të ndihmojnë të ngrihesh, edhe duke rrezikuar të bien vetë me fytyrë. Ato si unë shohin përpara, edhe pse zemra u mbetet gjithnjë pas disa hapa. Ato si unë, kërkojnë një kuptim të të qenit, dhe kur e gjejnë, përpiqen t’ia mësojnë atij që mbijeton vetëm. Ato si unë, kur dashurojnë, dashurojnë për gjithë jetën dhe reshtin së dashuruari vetëm që, ca pjesë të drobitura të qenies, në duart e jetës t’i lënë të prehen. Ato si unë ndjekin një ëndërr: dikush t’i dojë për atë që janë dhe jo për atë që ai do të donte të ishin. Ato si unë kërkojnë në gjithë botën vlera që tashmë kanë rënë në harresën e shpirtit. Ato si unë do të donin të ndryshonin, por që ta bëjnë, do të duhej edhe një herë të lindnin. Ato si unë ulërijnë në heshtje, që zëri të mos u ngatërrohet me lotët. Atyre si unë fare lehtë mund t’ua shqyesh zemrën, sepse e di: do të të lënë të ikësh, asgjë pa kërkuar. Ato si unë dashurojnë shumë, edhe pse e dinë: nga dashuria do të marrin veç thërrime. Ato si unë ushqehen me aq pak... dhe me këtë pak ndërtojnë gjithë vetveten. Ato si unë kalojnë të pavërejtura, por janë të vetmet që vërtet të kanë dashur. Ato si unë do t’i kujtosh, në vjeshtën e jetës, me keqardhje për gjithë ç’mund të të kishin dhënë dhe ti e ke flakur.
ILIAZ BOBAJ
BOTA SHEH ËNDRRA TË KËQIJA...
Bota sheh ëndrra të këqija, në kohën tonë kjo ndodh më shpesh, nëpër rrëpira i shket këmba dhe botë e mbrapshtë po shkon në dreq. ............................................................... Nuk di ç'ka ndodhur, bota jonë, s'do më lulnaja dhe lëndina, udhën e vet e ka braktisur, rrugon mundimshëm mbi gremina. ....................................................... Virtytet hedh tek hedhurinat dhe nuk e prish aspak qetësinë, tashmë kjo botë e tjetërsuar, si pasuri ka varfërinë. ................................................... Janë ca vrastarë, që prapa shpinës, botës i vënë thikën përditë, si regjisorë të zinj, tinëzarë, risjellin në skenë tragjeditë. ......................................................... Dhe s'janë si tragjeditë e lashta, me të Eskilit s'ngjajnë aspak, nuk ngjajnë aspak me të Shekspirit, të vrasin pa një pikëz gjak. ......................................................... Ndaj bota sheh të tilla ëndrra, përhumbur te kjo humbëti, veç unë shoh ëndrrat më të bukura, ëndrra të bukura, se kam ty... ........................................................
Comments