top of page

NË HYRJE TË PALLATIT


Edmond Llaçi

Me gjithëse sa herë hynte dhe dilte nga hyrja e pallatit, tek u jepte të tria atyre plakave nga një përshëndetje, ajo nuk e mori mundimin të ndalej ndopak për të shkëmbyer ndonjë fjalë.

Koha përgjatë të tridhjetë ditëve të muajit kur vinte nga jashtë atdheut ndoshta do të ishte e mjaftueshme për tu çliruar nga streset dhe emocionet e mbledhura nga jeta e vrullshme të qytetit ku jetonte por nuk do të ishte vetëm ajo arsye. Për këtë gjë asaj nuk do t’i bënte përshtypje çka ndodhte përreth. As edhe shikimet e atyre plakave të cilat ishin gati të përditshme të ulura në stolin e vetëm të ndodhur diku aty pranë hyrjes së pallatit. Teksa po përpiqej të kalonte çelësin në brendësi të bravës, të portës së pallatit, ktheu kokën prej tyre. Shikimi i saj u dha dritë syve të atyre zonjave në moshë të madhe tek po krekoseshin edhe më shumë mbi atë stol të drunjtë. Në atë moment, në vend që ta shtynte portën në brendësi hyrjes ajo e tërhoqi duke u dhënë shpresë atyre. Por në të njëjtën kohë, në atë ç’ka bluante në kokën e saj, me një mbërthim të fortë të buzëve shfaqi atë të moskomunikuarit të vazhdueshëm. Ato plaka përsëri nuk do të mësonin gjë prej saj. Dhe do të ishte përsëri kërcitja e portës tek po mbyllej nga brenda që ato të tërhiqeshin në botën e tyre të përditëshme.

Do të kalonin disa ditë ndoshta një javë që ato të mos përballeshin me të. Me qetësinë e tyre do të përpiqeshin të krijonin ndopak një ide mbi jetën e asaj gjitone të re e cila kishte afër tre muaj që banote aty. Të vetmen gjë që dinin, kishin mësuar se hyrjen ku banonin e kishin të tyre, nuk ishin qiraxhinj. Për këtë kishin shpresë se një ditë do të ishte vetë ajo që do të kërkonte për t’u njohur. Por asgjë. Përballimi me të do të ishte dalja ose hyrja e shpejtë e saj në pallat. Se qysh e tek ato kishin mësuar për zotërimin prej saj edhe të një shtëpie në fshat dhe ndoshta kjo ishte arsyeja që ajo sëbashku me të shoqin nuk shfaqeshin aty. E njëjta situatë do të vazhdonte dhe atyre zonjave tepër të moshuara do t’u shuhej shpresa për të këmbyer ndonjë llaf me gjitonen e tyre të re. Do ta shikoni shpesh të nxituar dhe të lodhur e cila kuptohej në të ecurin e saj. Përshëndetja e shpejtë që ajo lëshonte nuk do të ishte e mjaftueshme por me durim ato do të shfrytëzonin situatën më të mundëshme të dëgjonin sadopak zërin e saj, të cilat kishte rast që mendonin se mund të ishte shurdhmemece.

Mes javë ishte ajo ditë kur përpara hyrjes të pallatit u ndal një mjet tip veturë e targë të shtetit fqinj. Prej saj doli gjitonia e re e cila duke rregulluar rrobat mbi trup debatonte me të shoqin e saj i cili me duar ende mbi timon nuk po reagonte në gjithçka që ajo po i thoshte. Nuk u mor vesh se për ç’farë po diskutonin por atyre plakave tek përgjonin mbrapa dritareve u lindi kureshtja. Prej saj ndjen urdhërin që po i jepte të shoqit për diçka. Ai hezitoi për një çast por doli duke përplasur portën. Duke marë dy çanta prej bagazhit u drejtua për nga hyrja e pallatit ndërsa ajo shkoi dhe u ul tek stoli. Nuk kaloi shumë, ato një e nga një, pa marë parasysh se ç’farë mund të ndodhte shfrytëzuan pjesën bosh duke u ulur pa bërë zurmë. Ishte një moment tepër interesant pasi mes gjendjes psikologjike të çastit që po kalonte gjitonia e re dhe kureshtjes të tepërt të tria plakave, ajo as që nuk e ndjeu praninë e tyre. Nuk kaloi shumë dhe vëmëndjen u a hoqi zhurma karakteristike e çelësit dhe hapja e portës. Ai, i shoqi i saj doli vrullshëm duke u drejtuar nga mjeti. Të njëjtin veprim bëri edhe ajo duke u ngritur pa i përfillur ato plaka të çuditëshme. Por aty, mes asaj distance të shkurtër, nga stoli tek makina, do të ndalej për të reaguar kundrejt asaj pyetje pa vënd të njërës prej tyre. Mori frymë thellë për të sistemuar të gjitha andrallat që i vërtiteshin në kokë duke u kthyer prej tyre. Si tja bëj filloi të flas ajo. Më mori shpirtin shtëpia në fshat. Kemi disa vite rrjesht, të gjitha për bukuri. Me drita, me ujë. Kopështet për bukuri. Qetësi e Zotit na pushton nga të gjitha anët. A e dini se si e kemi ngritur. Çdo gjë i kemi çuar me gomar. Është i vetmi gomar që ekziston në fshat dhe pleqtë e mbetur. Të rinj nuk ka. Gomarin e kam blerë diku larg pasi asnjë nuk guxon të mbaj, janë të gjithë pleq, me çfarë do ta ushqejnë. Ngarkim shkarkimet, llaç e tulla me këto duar i kam bërë. U përpoqa ta siguroja ose më saktë t’u a falja gomarin por asnjë prej tyre nuk pranoi. Më thoni si tja bëj dhe pa pritur përgjigje prej tyre u nis drejt makinës. Hapi derën dhe duke u ulur pa e hedhur shikimin prej atyre plakave të çuditëshme sikur nuk do të kthehej më aty, tërhoqi me forcë portën.

45 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page