top of page

NË HOTELIN FANTASTIK ...


NË HOTELIN FANTASTIK “FANTAZIA DE LUXE”

Përshkrime udhëtimi nga Luan Çipi

Është dita e tetë, që të ardhur nga Shqipëria, po kalojmë familjarisht çaste të paharruara relaksimi, në hotelin fantastik me 5 yje ultra all inclusive, “Fantasia De Luxe” në Rivierën e Republikës Turke, në qytetin Kemer. Jemi këtu, së bashku me gruan time, si dhe vajzën tonë, burrin e saj dhe me mbesën e dashur 17 vjeçare, të ardhur të tre, posaçërisht nga Holanda, ku banojnë dhe punojnë prej disa vjetësh, ndërsa ime mbesë, për të cilën jam krenar se zotëron 4 gjuhë të huaja pa e harruar gjuhën e dashur shqipen, atje vazhdon shkollën.

Zbritëm në Aeroportin e Antalias, pas një ore e dyzet minuta udhëtim të rehatshëm me një avion Çarter të Kompanisë Albania Aierlines, të nisur nga Rinasi. Pasi morëm bagazhet dhe vendosëm vulat në pasaportat, ju drejtuam sheshit të daljes. Nga tabelat në gjuhën shqipe, u orientuam dhe u ndalëm para një kabine të posaçme ku na priste agjenti shqiptar i transportit hotelier. Pritësi i autorizuar, një i ri shqiptar nga Shkodra nga familja Alibali, kishte studiuar në Universitetin Turk dhe tani ishte përfaqësues i një Kompanie Turke Transporti, Ai na adresoi te autobusi përkatës me numrin 13 dhe kur mbërriti turisti i fundit i Zonës së Kemerit erdhi edhe vet dhe na shoqëroi gjithë rrugës, duke na dhënë shpjegimet paraprake deri në destinacionet e secilit, në hotelet përkatëse. Hotelet që zinin hapsirat detarea në autostradës Antalia-Kemer ishin njëri me i bukur se tjetri. Hoteli ynë i shumëpritur, ku pas një ore udhëtim zbritën 8 turistë nga Shqipëria, me sa duket, ishte destinacioni i fundit.

Nga larg e pamë hotelin madhështor të rrethuar nga tri anë me gjelbërim të dendur. Hoteli është i vendosur në rajonin Camyuva, 10 km. nga qyteti i Kemerit dhe 65 km. nga aeroporti i Antalyas. Ay është shtrirë në gjatësi buzë detit dhe pushton 235 ml plazh, ndërsa të gjitha mjedisit janë projektuar dhe ndërtuar cilësisht dhe me materiale të zgjedhura bashkëkohore, ku dallohen shtresat dhe dekoret prej mermeri, suvatimet uniforme, veshjet dhe lyerjet me ngjyra të pëlqyeshme dhe punimet e bukura në dru dhe ndriçimi i këndshëm artificial, kombinuar me ndriçimin natyror dhe me mjedisin e gjelbëruar për rreth. Sa hyn në territorin e Hotelit një qendër zanore, drejtuar nga doxhej të kualifikuar, dëgjohet të përhap muzikë të lehtë të zgjedhur nga repertori botëror, për ti kënaqur pa përjashtim të gjithë bujtësit e ardhur nga e gjithë bota.

Hoteli ka gjithsej 351 dhoma standard dhe të llojeve të ndryshme, sipas kërkesave të porositësve . Shumica e dhomave janë me ballkon dhe me dritare të mëdha, shumë prej tyre me pamje nga deti, me banjo personale me vaskë e dush. Dhomat janë të pajisura me tharëse për flokët, ajër të klimatizuar qëndror, telefon direkt, mini bar (ujë, lëngje dhe birrë, në ftohës që rimbushet çdo ditë), kasafortë, tapete në dysheme, TV satelitor me kanale muzikore, si dhe abazhurë, pasqyra, monumente dhe buste dhe korniza me panorama pikturash tërheqëse.


Pritja e ngrohtë nga personeli i shërbimit dhe akomodimi i shpejtë, na ra në sy menjëherë. Karakteristikë e këtij hotel, siç e konstatuam në vijimësi, ishte sjellja dhe shërbimi cilësor i përfshirë në gjithçka. Kujdesi i përditshëm dhe i vazhdueshëm duket, jo vetë te mikpritja shembullore dhe sjellja korrekte e personelit të shumtë e të kudo ndodhur, po sidomos te shumëllojshmëria e ushqimeve të freskët dhe të gatuara cilësisht dhe që shërbehen me bollëk gjatë gjithë ditës për mëngjes, mëngjes i vonshëm, zemër, dreka, pasdite, darka në bufetë me lëngje dhe kafe, minibar te dhomat, lëngje të freskëta për mëngjes pandërprerje, akullore, pije alkoolike të zgjedhura masive pa pagesë suplementare dhe pije të rralla dhe verëra të shtrenjta me pagesë direkt.

Në Hotelin Fantazia De Lux ka disa restorante dhe bufe që shërbejnë pa pagesë suplementare dhe me konsum të pakufizuar në sasi dhe kohë. I tillë është Restoranti Kryesor, i vendosur në një sallë tejet të madhe dhe që shërben edhe si bar bufe e hapur, Restoranti Italian, i specializuar për pica Napolitane dhe ku luhet gjithë kohës muzike e zgjedhur Italiane, Restoranti i Peshkut, Restoranti Turk dhe Restoranti i Sofisë me kuzhinë Kineze.

Po kështu të ofrohen pa kufizim: Plazhi në pishinat dhe në det me shtretërit, peshqirët dhe çadrat e diellit; sporti dhe argëtimi në pishinat e jashtme dhe të brendshme, pishinë për fëmijët, rëshqitëse në ujë për ta; qendra fitnesi, sauna, banja turke, tereni për tenis, ping pong, volleyball, basketball, biliardo, volleyball plazhi, sportet ujore pa motor, internet në zona të shumta, program argëtues gjatë ditës dhe program artistik në mbrëmje, si dhe mini klub për fëmijë me programe argëtuese, etj.

Shërbime të tjera me pagesë janë: Vizitat dhe ndihma korente mjekësore, masazhe gjithfarëshe në séanca të posaçme, solarium, larje dhe hekurosje rrobash, kujdestar për fëmijët, floktari, telefoni, fax, qendra tregtare dhe makina me qira, sportet ujore me motor, ndriçimi për tenis natën dhe pajisjet, si dhe shkolla e zhytjes.

Karakteristikë dalluese e këtij hoteli-shkollë është kujdesi dhe programet për shërbimin dhe dëfrimin e fëmijëve. Kjo nis që me kushtet përjashtuese e lehtësuese në pagesë për ata 2 dhe 5 vjeçar, si edhe për më të riturit, po edhe me pishinat e veçanta, labirintet rrëshqitëse, këndet e lojnave, kuzhinën dhe kompletet e vetëushqimit e deri te shfaqet artistike.

Në Hotelin Fantasia de Luxe çdo mbrëmje organizohen shfaqie të bukura artistike. DJ të kualifikuar drejtojnë edhe shfaqe me turistët të organizuara bukur dhe me larmi temash. Ne asistuam në disa prej tyre dhe ngelëm mjaftë të kënaqur. Në fillim bëhet apeli i kombësive dhe të pranishmit nga salla përgjigjen në korr të entusiasmuar dhe të kënaqur nga preferenca, njëkohësisht krenar se e vendosin në prezencë atdheun e tyre të dashur.

Shfaqa nis me fëmijët që dalin në skenë me veshje apo simbole të vendit të vet secili dhe kërcejnë e këndojnë, si të ishin të së njëjtës botë. Ata shoqërohen nga orkestra me këngë të zgjedhura e të njohura thuajse nga të gjithë. Fëmijët një gjysmë orën e tyre të përditshme e përfundojnë duke kaluar në një shteg të gjatë, ndënë duart e kryqezuara, si në harkun e një ure, të prindërve të tyre, që janë ftuar edhe ata në skenë, për mbylljen e shfaqjes entuziaste.

Pas kësaj del në paraskenë regjisori përkatës dhe angazhon publikun me numra të improvizuar, duke i ndarë spektatorët në grupe, sipas vendvendosjeve dhe duke i angazhuar në lojë që të gjithë. Në një rast regjisori zgjodhi 4 vajza të bukur me kombësi të ndryshme dhe në rolin e miseve, i ftoi ato në skenë, për të demonstruar aftësitë e tyre si modele dhe për të pozuar në 4 qëndrime të zgjedhura nga secila.

Një juri e caktuar nga publiku bëri klasifikimin e tyre dhe fituesja u shpërblye me një tufë lule, që pasi përsëriti spektaklin e vetimprovizuar, doli nga skena, shoqëruar me duartrokitje e brohoritje.

Shfaqjet në vazhdim jepen të ndryshme çdo natë, sepse nga njerëz të interesuar specialistë të turizmit Turk, ftohen për debutim grupe me famë botërore kërcimtaresh, akrobatësh, klounësh, orkestrantësh e këngëtarësh, të cilët qarkullojnë me radhë në hotelet e pafund të Rivierës Turke dhe i mahnitin me virtuozitetin e tyre të pranishmit, duke i bërë të pëlqyeshëm, pavarësisht se interpretojnë në gjuhët e shteteteve të tyre: Turke, Ruse, Ukrainase, Moldave, Armene, Kaukaziane, Azerbaxhiane, etj.

Në një pasdite, të joshur nga reklama e Ridvanit, një shitës i inkuadruar në shërbimet me pagesë të hotelit tonë, na u mbush mendja të vizitonim për të blerë në një tregtore të madhe në qytetin e Kemerit, një, apo disa pallto lëkure.. Kështu, Ridvani, miku ynë i ri dhe i dashur na shpuri në atë pasdite me makinën e vet në Kemer, direkt e te porta e tregtores së madhe “Tigers Leather”. Sa mbërritëm, personeli i saj, që ishin edhe pronarë të firmës që nga viti 1964, zbritën të gjithë dhe na rrethuan plot buzëqeshje e konsiderata (i kishte njoftuar Ridvani në telefon, duke i thënë se gjoja po vijnë disa bosa Shqipërie). Aty kishte me shumicë mallra vërtete cilësore, veshje 100% lëkurë tigri e llojesh të tjera, xhaketa, peliçe, kostume, që siç thanë ata, konkurrojnë me gjigantët e botës së sotme. Menjëherë, si i zbritën nga raftet llojet e kërkuara nga ne, na ftuan për kafe e çaj dhe na komplimentuan në të gjitha anët. Ishte vërtetë mall i mirë, po çmimet shumë më të larta nga analogët përkatëse p.sh. të Kanadasë, eksportues i rëndësishëm i veshjeve prej lëkure. Përfundimisht shitësit, me gjithë fjalët e mira nuk i zbritën çmimet në kufijtë e pëlqyer nga ne. Na u desh të largohemi të vetmuar, duke i lënë të zotët e shtëpisë “turi varur” As shitësi me moshë më të vogël nuk na përcolli dhe nuk na uroj “mirëseardhjen”. Besoj se kishte të drejtë, se turisti kërkon gjithnjë zbulime të reja aventurash, vendesh dhe njerëzish dhe zor se do kthehemi më aty.

Një tjetër kënaqësi e veçantë dhe që e provuam për here të pare në jetën tonë, ishin seancat e masazhit trupor. Zbritëm me ashensor në katin nënëdhe dhe na futën disa minuta në saunën me temperature të lartë. Këtu kaluam séancën përgatitore të nxehjes dhe zgjerimit të poreve të trupit. Seanca e dytë ishte hamami turk, ku fillonte masazhi dhe fërkimi me dorashkë dhe pastrimi e larja e trupit. Në proces u futen njëkohësisht 4 veta dhe unë rashë në dorën e specialistit turk Spartak, me përvojë 13 vjeçare, që u tregua një mjeshtër i vërtetë dhe me virtuozitet, për një kohë të gjatë, nuk rreshti të më masazhonte, duke më dhënë kënaqësi të pa treguara, që nga thembrat e këmbëve, pulpat, kofshët, trungun, qafën, krahët dhe deri gishtat e duarve. Pas një periudhe çlodhje dhe relaksimi u zhvillua procesi i masazhit me vaj, që zgjati edhe më shumë, duke i kaluar me kujdes të gjitha pjesët dhe muskujt e trupit.

Në datën 14 korrik 2011, ditën kur unë mbusha 77 vjeç, qysh në mëngjes, përfaqësuesi i personelit drejtues të Hotelit Fantazia De Luxe, trokiti në dhomën time dhe më solli një tortë. Ata kishin konstatuar ditëlindjen nga dokumentet e regjistruara dhe erdhën për të më përcjellë urimet. Pas tyre mbërritën dhe të afërmit e mi dhe të tjerë shqiptarë e gjitonë të dhomave pranë. Mëngjesi nisi me këngën tradicionale të urimit, që tani është njësuar në shumë vende të botës. Pasi hëngrëm mëngjesin e pasur, në tavolinën qëndrore të sallës së madhe, mbushur me lule dhe pjatanca, një tjetër surprizë më priste: Në një anije me vela më ishte rezervuar vendi për një udhëtim bregdetar 6 orësh. Bregut të detit soditëm pamjet e bukura me hotelet e shumtë turistik, njeri më i bukur se tjetri dhe ndalem në disa gjire deti të përshtatshme për notim. Po në anije hëngrëm dhe drekën, kryesisht me peshk të freskët të pjekur me kujdes në skarë nga kuzhinieri i anijes. Pas dreke, shoqëruar me muzikë të zgjedhur, u kërcye, u këndua dhe bëmë fotografi. Gjatë rrugës në det u kryqëzuam dhe u përshëndetëm me dhjetëra turistë, që kishin mbushur bregdetin me turiste, si dhe me anije dhe motoskafë, që tërhiqnin rrëshqitës deti, apo balona ajror me një apo dy persona. Kjo, dita ime e përvitshme, këtë herë ishte e jashtëzakonshme dhe më mbushi me ndjesi të paharrueshme. Dhe unë, pa ia humbur vlerat k kësaj ditë, ndër të rrallat e jetës sime, do desha t’i jepja fund këtu reportazhit tim “Fluturimi në Turqi”

Pjesë e Librit të Luan Çipit “Nga Llogoraja në Niagarë”

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page