top of page

NË HAGË AGRESORI SHNDËRROHET VIKTIMË DHE VIKTIMA AGRESOR…


ZYBA HYSEN HYSA

Kam lexuar në bibël për djalin plangprishës, i cili mori pasurinë e babait, iku nëpër botë dhe e prishi për qejfe, por kur mbeti rrugëve, u kthye i turpëruar në shtëpi, i ati i përmalluar për birin e përqafoi dhe bëri gosti të madhe, ndërsa djali tjetër që punoi bashkë me babanë dhe shtuan pasurinë, u zemëru keqas me të atin, por i ati e kundërshtoi duke i thënë, se duhet të gëzohemi që u kthye shëndoshë e mirë, se kishte qene ai i pakujdeshshëm që i besoi pasurinë, kur ai ishte ende i vogël, nuk kishte kontribuar në shtimin e saj, ashtu si djali i madh.

Jo më kot e nisa këtë shkrim me diçka që shkruhet në bibël (ndjesë që nuk e shkruajta në ligjëratën e drejtë, por s’e mbaj mend fjalë për fjalë) për të tërhequr vemendjen, se çdo shqiptar që del nga udha e Perëndisë, jemi ne përgjegjës, se askush nuk erdhi i ditur në këtë botë dhe pushteti është më i vështirë sesa të ngreshë kala mbi shkëmbinj, ndaj politikanët tanë duke qenë përballë një funksioni që as në ëndërr s’e kanë parë, kërkojnë modele për të qënë funksionarë dhe duke qenë vende me eksperiencë të vakët, imitojnë politikanët e vendeve tjera, të cilët janë bërë milionerë, POR ATA JANË BËRË MILIONIERË PARA SE TË MERREN ME POLITIKË…

E keqja jonë është, se duke i dashur, se i kemi bijtë tanë, nuk kujdesemi pasi i vemë në karrike që ata të mos gabojnë rëndë, deri si “djali plangprishës” që djersën e të atit, e shkoi kot së koti, por “T’u tërheqim veshin me dashuri” të mos arrijnë që bota barbare të lakmojë pasurinë e tyre dhe bëjnë lloj – lloj inskenimesh, për t’i fituar të gatëshme.

Politika në përgjithësi është e pabesë që bazohet në strategji me taktika të holla, por me rastin tonë, politika botërore me një gurë, vret dy zogj; edhe merr pasurinë e tyre (e konfiskon), por edhe shtyp të drejtat dhe liritë njerëzore të shqiptarëve për të qenë të lirë në trojet e tyre.

Strategjia politike shekullore me shqiptarët ka qenë mashtrimi përmes joshjes së pushtetit dhe pasurisë, që më pas t’i kenë në dorë, për ta marrë “joshjen” shumëfish dhe për të denigruar racën tonë hyjnore, e cila beson tek të huajt, siç beson Perëndisë.

Unë e kam thënë shumë vite më parë, përderisa nuk kemi një shtet – komb, nuk duhet të ketë parti politike opozitare, por parti kombëtare, se në kushtetutën e RPSH sanksionohet me ligj bashkimi kombëtar, por duke u ndarë në parti politike opozitare, harrojnë misionin e madh historik, si gurëthemeli i ngritjes së kështjellës kombëtare dhe merren me “Më the, të thashë” dhe bëjnë lojën e “Pleshtit” për të siguruar poste dhe pasuri në kurris të një populli që i do bijtë e vet, por me një dashuri të verbër, pa u kujdesur për ta, pasi i vë në pushtet.

Këtu më vjen ndër mend një rrëfenjë për një nënë të varfër e mësoi djalin të vjedhë vezën e komshiut, e kur u rrit, u bë hajdut dhe e futën në burg. Kur e dënuan më varje, nëna qante me lot të birin, por ai thotë: “Mos qaj tani, ti më çove në litar, se ti nuk më mësove të mos vjedh”!

Kështu, e pse kanë shumë borxhe popullit, politikanët tanë këtej dhe matanë kufirit që na vë bota, janë bijtë tanë, të cilët me heshtjen tonë i kemi bërë të pakujdesshëm të përvetësojnë më shumë sesa u takojnë, por e keqja s’qëndron këtu, por nga akuzat e rënda që u bëhen në Hagë, si përfaqësues të “një ndërmarrje kriminale” siç është quajtur UCK – ja dhe me këtë veprim diskriminues, realizojnë edhe marrjen e pasurisë së tyre, edhe fundosjen e vlerave kombëtare dhe pavarësinë e Kosovës…

Asnjë shqiptar i ndershëm, në këto situate s’ndjehet mirë, nuk është moment me nxjerrë mllefet dhe mangësitë e tyre gjatë ushtrimit të detyrës si udhëheqës të Kosovës për kaq vite, por të mbështesim kauzan për të cilën luftoi populli i Kosovës e sigurisht edhe ata që e udhëhoqën, me gjithë gabimet, që sigurisht në luftë ka gabime, si dhe në paqe, por të thuash “Ndërmarrje kriminale” UCK – së, sigurisht duhet të jesh vetë krimineli, për të hequr lëkurën e ujkut e t’ia veshësh deles dhe ujkut, t’i veshësh të deles!

Është e kotë të kërkosh ndihmë Europës, se jovetëm Europa, por gjithë bota e di genocidin që është bërë historikisht ndaj shqiptarëve, duke përdorur si mashë, herë Serbinë, herë Greqinë, herë Italinë dhe gjatë fushatave shfarosëse, është kjo Europë që i nxit dhe po kjo Europë që u mbulon krimin, se vetë Europa është ngritur mbi krimin ndaj popullsisë autoktone.

Shpesh “faturën” e krimeve ndaj shqiptarëve e dërgojmë Rusisë, kjo jo se nuk e meriton, sigurish ajo është “Nuse Lale”, por përgjegjësia bie mbi Europën, si pjesë e së cilës jemi edhe ne, por për të shkarkuar përgjegjësinë, na lë jashtë vetes, duke lozur me ne si me fëmijët dhe ne mbesim gojëhapur, se “DO SHKOJMË NË EUROPE” PIKA NA RËNTË MU NË MES TË KOKËS, QË KURRË NUK DITËN NGA DUHET TË SHKOJMË! E VETMJA RRUGE JONA ESHTE, TE SHKOJME DREJT VETES!

Më vjen turp, kur lexoj akuzat e shqiptarëve ndaj të arrestuarve dhe burgosjes së Misionarëve politikë të UCK - së në Hagë! Nuk e vë në dyshim, që ka vend për të ngritur zërin, por si more vëllezër e “shisni” vëllanë në tregun ndërkombëtar, kur blerësit të bëjnë gropën edhe ty, që vihesh në anën e tyre!?

Ndarja në parti politike e një populli naiv, është varrosja e tij për së gjalli, se të ndashë popullin në parti, do të thotë ta bësh armik të njëri – tjetrit, se kaq horizont kanë, nuk e kuptojnë, se të mbështetësh një parti politike, do të thotë, të gjesh veten në programin e saj e pasi mbarojnë zgjedhjet, qeveria ka përgjegjësi për të gjithë shtetasit, jovetëm për ata që e votuan, por ky hendek në vendin tonë thellohet më shumë pas zgjedhjeve, duke hequr njerës nga puna, duke diskredituar politikanët aq shumë, saqë nuk kuptohet kur ata kanë bërë diçka të mirë dhe kur kanë vepruar keq.

Asnjë politikan nuk denoncohet, se akuzat merren përherë politike dhe ajo që ka sjellë fatalitet tek ne dhe në Kosovë, nuk kemi parti politike opozitare mes politikanësh, por vetëm mes admiruaeve të tyre e kjo na bën që të heshtim dhe duke heshtur, kur duhet të flasim, i mësojmë përfaqësuesit tanë të vjedhin dhe të na rjepin për së gjalli e kur bota i arreston, në vend të dalim në mbrojtje, përsëri vazhdon dueli popullit, i cili vetëm në shkatërrim të çon!

Unë jam për të shkuar para ligjit cilido që shkel ligjin, por para ligjit të shtetit tim, jo në Hagë, se ne nuk jemi në krahun e uzurpuesit, pushtuesit, por në krahun mbrojtës!

Ku janë personat përgjegjës së MBROJTJES SË LIRISË DHE TË DREJTAVE TË NJERIUT, APO FLENË MBI PARA MARRAMENDËSE QË MARRIN PËR TË SHNDËRRUAR AGRESORIN NË VIKTIMË DHE VIKTIMËN NË AGRESOR DHE TERRORIST!?

Ata shqiptarë që i thonë vetes shqiptarë, sot duhet të ndjejnë thika në shpirt, se jemi përballë një akuze të përgjithëshme, kjo akuzë është kundër çdo shqiptari që kërkon lirinë dhe të drejtat e ligjëshme si njeri i kësaj toke që për fat të keq, është pushtuar nga barbarët.

Unë nuk kuptoj një gjë: Kur ishte koha e luftës, jovetëm u mbështet lufta, por edhe u ndihmua nga NATO, kur të dënohen të gjithë ata që mbështetën, të fundit do jenë ata që nisën luftën, se sipas kohës që po ndrit pas kaq vitesh, nëse ata që mbështetën, nuk ndalojnë maskaradën e radhës ndaj shqiptarëve, nuk mund të quhen MIQTË TANË, ata janë më të rrezikshëm se armiku i deklaruar!

Këto janë praktika mesjetare dhe më vjen keq që bota nuk ka ndryshuar, as mendime, as veprime, as strategji ndaj nesh, na ndihmojnë për të na future në zjarr, më pas na braktisin, ashtu siç bëri në vitin 1430 Venediku me Gjon Kastriotin, ku e ndihmoi të merrte Selanikun e në anën tjetër lidhi marrëveshjen me Turkun për ta dorëzuar prapë e forcat turke jovetëm morën Selanikun dhuratë nga Venediku, por plackitën gjithë kështjellat e Gjon Kastriotit, të cilët ishin duke festuar fitoren e Selanikut…

Po kështu u veprua edhe me Gjergj Kastriotin, e ftoi Papa për Kryqëzatë Krishtere për unifikimin e kishave (sipas nënshkrimit të tekstit të unifikimit të kishës 1439, në Konstancë) dhe pasi mblidheshin fonde nga popullsia e Gadishullit Ilirik (banuar atëherë nga raca jonë) ose Papa shpallej i vdekur, ose ndërrohej, fondet vidheshin dhe Gjergj Kastrioti përballej vetëm kundër Turqve e Papa dhe Venediku lidhnin marrëveshje të fshehta me turqit…

Për të mos e zgjatur, e gjithë historia jonë është e tillë, ne besojmë, ata bëjnë sikur besojnë, bëjnë sikur ndihmojnë dhe kur vjen puna për përballje, jemi të vetëm përballë të gjithëve!

Për këtë arësye, unë (do të thoni cila jam unë) thjesht një shqiptare që përpiqem ta shikoj të sotmen me lente që vështrojnë të kaluarën, për të dalluar qartë të tashme e për të vajtuar të ardhmen, nëse vazhdohet kështu.

POLITIKANËT TANË, QË MARRIN MBI VETE DREJTIMIN E DY “VILAJETEVE” TË SHQIPËRISË DHE KOSOVËS, NËSE NUK KANË NË PROGRAMIN E TYRE, BASHKIMIN E KOMBIT DHE FORMIMIN E SHTETIT – KOMB, ASNJË SHQIPTAR TË MOS I VOTOJË!

BASHKËKOMBASIT E MI, VOTONI CILIN POLITIKAN TË DONI, POR PASI E ZGJIDHNI, MOS PRISNI 4 VJET TA RRËZONI, POR NDIQNI HAPAT E TIJ DHE KUR AI DREDHON, MENJËHERË RRËZOJENI, MOS I LINI TË MERRET BOTA ME TA, SE NË HAGË NUK DËNOHEN PERSONA, POR PËRFAQËSUESIT TUAJ, PRA NË NJË FARË MËNYRE, GJUKOHEMI TË GJITHË DHE DËNOHEMI TË GJITHË!

TIRANË, MË 13 NËNTOR 2020

150 views0 comments

Komentarze


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page