Në gjurmët e një diskutimi në fillim të shek. XX


    Prof Dr Eshref Ymeri

    Shkak për hedhjen në kompjuter të shënimeve në vijim u bë miku im i vjetër Fotaq Andrea, ish-ambasador, specialist i njohur i frëngjishtes, përkthyes i talentuar dhe profesor i shquar i hulumtimeve rreth jetës dhe krijimtarisë së eruditit të madh evropian Faik Konica dhe i vjeljes skrupuloze të fakteve nga penat e arta franceze për shqiptarët.

    Në ditët e fundit të janarit Fotaqi më dërgoi tre libra nga Strasburgu ku jeton dhe punon. Të tre librat janë përkthime të tij nga frëngjishtja. I pari titullohet “Nevoja jonë për ngushëllim nuk ka të ngopur” dhe ka për autor shkrimtarin suedez Stig Dagerman (1923-1954).

    Ky është një libërth me 64 faqe, në të cilin përfshihen shtatë ese. Është një vepër befasuese. Të gjitha esetë janë një “kartolinë” aforizmash të mrekullueshme për nga kuptimi i tyre, aq më tepër që autori ka qenë fare i ri në moshë. Këtu po ndalem vetëm në dy prej tyre, të cilat kanë një tingëllim mjaft aktual për mënyrën e qeverisjes së vendit tonë gjatë kohës që Rama vazhdon të mbajë postin e kryeministrit:

    “… një autoritet i përkohshëm që u ngjall frikë administruesve të vet, duhet të jetë objekt i një mosbesimi shpëtimtar”.

    “…shteti demokratik i epokës bashkëkohore përfaqëson një varietet krejt të ri të çnjerëzimit që ngjason si dy pika uji me regjimet autokratike të periudhave të mëparshme. Parimi “përça e sundo” sigurisht nuk është braktisur…”.

    Libri i dytë mban titullin “Para gijotinës”, me autor Alber Kamy (Albert Camus - 1913-1960).

    Thelbin e përmbajtjes së këtij libri e zbulon ish-Kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Rasell Xhonston (Lord Russell-Johnston - 1932-2008), në një letër falënderimi publik që i dërgonte Fotaq Andreas në gusht të vitit 1999 për përkthimin e kësaj vepre. Asokohe Fotaqi ishte Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, Përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës. Në atë letër thuhet:

    “Lexuesit shqiptar, që në jetën e përditshme ndoshta përplaset me problemet e pasigurisë e të krimit, i rekomandoj këtë vepër të Alber Kamysë. Në të ai do të përqendrojë më shumë vëmendjen rreth një çështjeje të ndjeshme e me rëndësi të madhe etike. Do të dëshiroja që ai të kuptonte se, përballë këtyre problemeve, dënimi me vdekje nuk është zgjidhja dhe se në shoqëritë tona demokratike që duan të jenë të qytetëruara, lufta kundër krimit lypset të bëhet me mjete, të cilat respektojnë dinjitetin thelbësor të çdo qenieje njerëzore”.

    Pra, në këtë libër, Alber Kamy ngrihet kundër dënimit me vdekje, sepse kur një gjykatës, - siç shkruan ai, - jep një dënim me vdekje, ai “vihet në fronin e Zotit”.

    Libri i tretë, i cili më nxiti posaçërisht për këto shënime, ka si autor Faik Konicën dhe titullohet “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale”.

    Këtë vepër, të botuar në Bruksel në vitin 1904, koniciologu i shkëlqyer Fotaq Andrea, ai që ka krijuar atë që mund të quhet “shkenca e koniciologjisë”, e ka sjell në gjuhën shqipe me një përkthim të përsosur. Përkthimin Fotaqi e ka paraprirë me një ese-parathënie po aq të shkëlqyer.

    Në fundin e shek. XIX dhe sidomos në vitet e para të shekullit XX, kishte filluar një diskutim i ndezur rreth krijimit të një gjuhe artificiale për komunikim mbarëbotëror. Ithtarët e krijimit të një gjuhe të tillë ishin të ashtuquajturit “esperantistë”. Konica, si një filozof i shquar i gjuhësisë, si një erudit i pakundshoq, del në mbrojtje të gjuhëve natyrale, duke iu kundërvënë “esperantistëve” me një rreptësi shkencore të admirueshme, sepse gjuha “esperanto”, - thekson ai, - si “gjuhë artificiale e përbotshme ul nivelin e intelektit,.. është gjuhë kufomë… që zhduk letërsinë, artin e të shkruarit, këtë botë të pafund e suvjektive”.

    Megjithatë, gjenialiteti i mendimit të tij, Konicës ia diktonte të vinte në përfundimin se njerëzimi, në perspektivë, do të kishte nevojë për një gjuhë komunikuese në nivel ndërkombëtar, të cilën ai, gjithsesi, e vlerësonte si një “gjuhë ndihmëse” dhe absolutisht jo si gjuhë që të zëvendësonte gjuhët kombëtare. Konica ishte i mendimit se si gjuhë ndërkombëtare në të ardhmen mund të shërbenin ose frëngjishtja, ose anglishtja, ose gjermanishtja.

    Rrjedha e ngjarjeve gjatë një periudhe mbinjëshekullore vërtetoi në praktikë se Konica ka pasë bërë një parashikim me të vërtetë gjenial. Prandaj Fotaqi, në ese-parathënien e vet, thekson:

    “Sot, kur ka kaluar mbi një shekull që nga botimi i këtij libri dhe kur International english mbisundon si gjuhë komunikuese botërore (më 2017 anglishtja flitej si gjuhë zyrtare nga 75 kombe dhe 2 miliardë vetë), ky parashikim i Konicës del më se i vërtetuar”.

    Problemi i komunikimit në një gjuhë ndërkombëtare pati lindur asokohe edhe gjatë diskutimit për përparësinë e saj në përkthimin e njëkohshëm ose përkthimin sinkronik (simultaneous interpretation) në konferenca ndërkombëtare. Një diskutim i tillë u bë shumë i mprehtë kur përkthimi sinkronik u përdor për herë të parë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919.

    Problemet e përkthimit sinkronik në atë konferencë, në një mënyrë shteruese, i ka trajtuar autori spanjoll Jesús Baigorri-Jalón (1953), përkthyes i anglishtes dhe i frëngjishtes. Ai ka qenë profesor titullar i përkthimit gojor në Departamentin e përkthimit me shkrim dhe me gojë të Universitetit të Salamankës. Është diplomuar në Fakultetin e filozofisë dhe të letërsisë dhe po në Universitetin e Salamankës ka marrë gradën shkencore “doktor” në fushën e përkthimit. Është autor i mjaft artikujve shkencorë dhe i dy librave për përkthimin me gojë:

    “De Paris a Nuremberg” (Nga Parisi në Nuremberg), i botuar në Granada në vitin 2000 dhe i përkthyer në frëngjisht dhe në anglisht.

    “Interpreters at dhe United Nations: A History” (Përkthyesit në Kombet e Bashkuara. Një histori). Këtë libër e ka botuar Universiteti i Salamankës në vitin 2004.

    Në librin e parë bëhet fjalë për diskutimet që u zhvilluan para fillimit të asaj konference. Diskutimet u vërtitën rreth çështjes se cila duhej të ishte gjuha zyrtare që do të përdorej aty, do të kishte një apo disa gjuhë zyrtare. Paraprakisht, le të kthehemi prapa në kohë.

    Që prej zbardhëllimës së marrëdhënieve diplomatike në Evropë, latinishtja ka pasë shërbyer si gjuhë e shkruar, rrjedhojë logjike kjo e statusit të saj si gjuhë e perandorisë romake dhe e pasueses së saj, kishës katolike. Përdorimi i latinishtes mbeti si normë deri në shek. XVIII jo vetëm në sferën e letërkëmbimit, por edhe në atë të bisedimeve mes diplomatëve që nuk e njihnin gjuhën e njëri-tjetrit. Gjuha e dytë më e rëndësishme në procesin e këtyre marrëdhënieve, ishte frëngjishtja, e cila qe përdorur gjithnjë e më shumë gjatë kryerjes së shkëmbimeve ose lidhjes së marrëveshjeve në periudhën e hershme të shekullit XVIII, megjithëse latinishtja pati vazhduar të përdorej deri kur shpërtheu revolucioni francez. Prestigji i frëngjishtes ishte, para së gjithash, rezultat i veprimtarisë domethënëse diplomatike që zhvillonte Franca në periudhën e sundimit të Luigjit XIV (Louis XIV -1643-1715). Kësaj periudhe i pati paraprirë aktiviteti i kardinalit Rishelje (Richelieu - 1585-1642), i cili i pati dhënë shtysë shërbimit diplomatik, të shoqëruar me përdorimin e frëngjishtes që kishte shërbyer si model për vendet e tjera të Perëndimit.

    Midis gjërave që përmenden për suksesin e frëngjishtes, është edhe arsyeja që ajo është një gjuhë tejet e saktë, e pastër dhe elegante, e përshtatshme për bisedime dhe dokumente diplomatike. Ky ishte një argument që e patën përdorur jo vetëm francezët, por edhe disa amerikanë frankofilë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919. Sado e çuditshme të duket, këto arsye nuk u përmendën më, sapo anglishtja fitoi statusin e ngjashëm me frëngjishten.

    Statusi i frëngjishtes, si një gjuhë vetëm e diplomacisë, mbeti i pandryshuar gjatë shek. XIX dhe në dy dhjetëvjeçarët e parë të shek. XX. Ajo vazhdoi të përdorej pothuajse në çdo takim dhe marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare, si edhe në marrëdhëniet ndërqeveritare. Ndërkohë, anglishtja po fitonte terren ca nga ca, me rritjen e autoritetit politik të Britanisë së Madhe dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më në fund, anglishtja mori sipërinë dhe frëngjishtja e humbi privilegjin e gjuhës së diplomacisë gjatë përgatitjes së Konferencës së Parisit.

    Rei Steinërd Beiker (Ray Stannard Baker - 1870-1946), i njohur si gazetar, historian, biograf dhe shkrimtar, ka qenë sekretar shtypi i Presidentit Uillson (Thomas Ëoodroë Ëilson - 1856-1924). Në vitet 1922-1923, ai ka botuar në tre vëllime veprën me titull “Ëoodroë Ëilson and Ëorld Settlement” (Udrou Uillsoni dhe popullimi i botës). Në këtë vepër është interesant kreu me titull “Beteja e gjuhëve” (Battles of languages).

    Megjithëse ballafaqimi kishte kohë që kish nisur, beteja vendimtare mes frëngjishtes dhe anglishtes u bë pak ditë para fillimit të konferencës, kur të gjitha rregullat e procedurës së konferencës qenë përgatitur tashmë. Të gjitha rrethanat i patën çuar delegatët francezë në përfundimin se frëngjishtja duhej të ishte gjuha zyrtare e konferencës dhe e teksteve të marrëveshjeve, jo vetëm për shkak të peshës së saj me një traditë të kahershme në gjuhën e diplomacisë, por edhe për arsye se Franca kishte qenë teatri kryesor i luftës. Kjo i jepte frëngjishtes një peshë të padiskutueshme në krahasim me gjuhët e tjera.

    Delegatët e fuqive të tjera kishin shtruar çështje për diskutim gjatë takimeve përgatitore. Koloneli Eduard House (Edëard House - 1858-1938), kryekëshilltar i Presidentit Uillson për politikën dhe diplomacinë evropiane, me një telegram të 20 nëntorit 1918 që e dërgonte nga Parisi, njoftonte presidentin se autoritetet franceze dëshironin që frëngjishtja të ishte gjuhë zyrtare e konferencës. Ai theksonte se kjo, deri në njëfarë shkalle, do të ishte një padrejtësi për vendet anglishfolëse që përbëjnë shumicën.

    Britanikët e kishin përcaktuar pozitën e vetë fare qartë, siç bënte të ditur Moris Henki (Maurice Hankey - 1877-1963), ndihmësi kryesor i Kryeministrit britanik Lloi Xhorxh (Lloyd George - 1863-1945). Ky i kishte dhënë udhëzime Henkit që anglishtja të vendosej në konferencë në pozita të barabarta me frëngjishten. Francezët e mbrojtën me thonjë e me dhëmbë statusin e frëngjishtes, si e vetmja gjuhë zyrtare e diskutimeve. Megjithatë, arsyeja që Britania e Madhe, zotërimet (dominionet) britanike dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin luajtur një rol aq të rëndësishëm gjatë viteve të luftës, e shtonte më shumë peshën në argumentet e tyre në të mirë të anglishtes.

    Ministri francez Pisho (Stephen-Jean-Marie Pichon - 1857-1933) nguli këmbë që frëngjishtja të ishte gjuhë zyrtare e diskutimeve dhe e rezolutave. Ai ishte i mendimit se delegatët mund të përdornin gjuhën e tyre amtare që do të shoqërohej me përkthimin në frëngjisht. Kryeministri anglez propozoi që frëngjishtja dhe anglishtja të njiheshin si gjuhë zyrtare të konferencës. Ministri i jashtëm Italian Sonnino (Sidney Costantino Sonnino - 1847-1922) shprehu parapëlqimin e tij për frëngjishten, si të vetmen gjuhë zyrtare, por ai tha se në qoftë se do të ketë më shumë se një të tillë, atëherë ai kërkoi që këtë status ta gëzojë edhe italishtja. Uillsoni e mbështeti idenë e kryeministrit britanik, duke theksuar me këmbëngulje se anglishtja ishte gjuha e hapësirave rreth Paqësorit. Kryeministri francez Klemanso (Georges Benjamin Clemenceau - 1841-1929) ishte mjaft i shqetësuar nga zhvillimi i diskutimeve. Nga njëra anë, ai e pranonte që anglishtja ishte një gjuhë me një përhapje shumë të gjerë dhe që kishte qenë instrument i institucioneve liberale. Nga ana tjetër, ai mendonte se latinishtja, e cila në të kaluarën qe pranuar si gjuhë zyrtare në marrëdhëniet diplomatike, tani duhej zëvendësuar me frëngjishten, sepse kjo kishte një përparësi të madhe në saktësinë e saj të skajshme, shumë e dobishme kjo për dokumentet zyrtare. Për këtë arsye, ai propozoi që tri gjuhë - anglishtja, italishtja dhe frëngjishtja - të përdoreshin si gjuhë zyrtare në konferencë, por në rast mosmarrëveshjesh, përparësinë ta kishte teksti në frëngjisht.

    Në këtë kohë, ndërhyri Uillsoni, duke paraqitur një tjetër këndvështrim për këtë problem. Ai e pranoi se frëngjishtja kishte qenë gjuha e diplomacisë në Evropë, por tani kishte dalë në skenë një tjetër fuqi e madhe që nuk ndodhej në Evropë dhe që flet anglisht. Ai propozoi që frëngjishtja dhe anglishtja të jenë gjuhë zyrtare të konferencës.

    Në marrjen e vendimit, ndikoi një arsye me peshë: as Uillsoni, as Lloi Xhorxhi nuk flisnin frëngjisht, ndërkohë që kryeministri francez Klemanso kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara, ishte martuar me një amerikane dhe anglishten e fliste shkëlqyeshëm. Më në fund, duke e kapërcyer ndjeshmërinë franceze, u vendos që të dyja gjuhët të ishin zyrtare. Teksti i marrëveshjes u shumëfishua në njërën faqe në anglisht dhe në faqen tjetër në frëngjisht.

    Santa Barbara, Kaliforni

    04 mars 2020

    37 views

    Shkrimet e fundit