top of page

NË DITARIN E ISUF RASHËS


ZALL DARDHA NË DITARIN E ISUF RASHËS


Nga Ilmi DERVISHI

Shtëpia Botuese “M&B” boton librin e 7-të të bashkë autorëve Halil Rama dhe Sakip Cami

Artsiti i Madh i Dardhës, Dibrës dhe gjithë Shqipërisë, Hazis Ndreu - “Nderi i Kombit”, kur donte të shkruante dhe botonte libra për traditën dhe alegorinë dibrane, njeriun e parë që takonte në Zall Dardhë dhe e pyeste rreth projektit të tij krijues ishte Isuf Rasha



“Nëse dëshiron të njohësh një njeri lexo ditarin e tij. Nëse dëshiron të njohësh një periudhë kohore historike lexo ditarët dhe shtypin e kohës.

Nëse ke mbajtur ditar tregon se je njeri i rregullt, i vëmendshëm, parashikues, optimist, krahasues, dhe vizionar.

Një nga të rrallët, por edhe të veçantët njerëz me botë të madhe shpirtërore është Isuf Rasha. Këtë e thonë ditarët e tij, që fatmirësisht bashkëshortja Hyrie dhe gjashtë djemtë e tij i kanë ruajtur si sytë e ballit. Janë ditarë shumë të thjeshtë , të vegjël, blloqe të vegjël, me një shkrim të imët, por me kaligrafi, që flasin shumë.…

Pikërisht mbi bazën e këtyre ditarëve, bashkëautorët e mirënjohur Halil Rama dhe Sakip Cami hulumtuan dhe pas një pune të mirëfilltë studimore-shkencore shkruan dhe botuan librin (monografi).

Kjo monografi i kushtohet njërit nga të rrallët, por edhe të veçantët njerëz me botë të madhe shpirtërore, siç ishte Isuf Rasha, shprehur kjo edhe në ditarët e tij…


Bashkkohësit për Isuf Rashën


Për vlerat e rralla dhe profilin krijues të I.Rashës flasin bashkohës të tij, personalitete të mirënjohura si: Beqir Shehu, Xhelil Cibaku, Isuf Xhediku, Muharrem Gjoka, Shuaip Methasani, Dr.Lazam Gjoka, Nazmi Shira, Agim Bara, Gëzim Cala, Shaqir Çerpja, Ilmi Dervishi, Gani Murati, Ferit Çerpja, Mexhit Poleshi, etj.

Në 8 kapitujt e librit me 320 faqe, botim i “M&B”. veç të tjerash përshkruhen në detaje toponimet e të gjitha fshatrave të Njësisë Administrative Zall Dardhë…

Ish shefi i Seksionit të Arsimit dhe Kulturës të rrethit Dibër Beqir Shehu, në parathënien e këtij libri, ndër të tjera shkruan se: “Bashkautorët e mirënjohur Halil Rama dhe Saklip Cami (pas botimit dhe promovimit të monografive për kompozitorin Muharrem Xhediku, gjeneral Rrahman Parllaku, për Sefer Efendiun - Kazazin e Bajram Ndreun e Zall Dardhës), nëpërmjet ditarit të Isuf Rashës nxjerrin në pah vlerat e tij, ndërkohë përshkruajnë jetën dhe veprimtarinë e personazheve, duke na dhënë edhe copëza jete të malësorëve dernjanë, ku lexohen traditat dhe virtytet e popullit të kësaj krahine, si njerëz të punës e atdhetarë, por edhe si njerëz të përkushtuar për dije e të suksesshëm në të gjitha fushat e jetës”.

Ndërkohë Muharrem Gjoka - “Mjeshtër i Madh” dhe President i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu” - “Nderi i Kombit” , ndër të tjera shprehet se: “Artsiti i Madh i Dardhës, Dibrës dhe gjithë Shqipërisë, Hazis Ndreu, kur donte të shkruante dhe botonte libra për traditën dhe alegorinë dibrane, njeriun e parë që takonte në Zall Dardhë dhe e pyeste për pjektine tij krijues, ishte Isuf Rasha”.

Në këto pak radhë po perifrazojmë edhe ish-shefin e seksionit të Kontroll-Revizionit të Komitetit Ekzekutiv të Dibrës, Xhelil Cibaku: “E veçantë në veprimtarinë e tij ishte koherenca në trajtimin e problemeve. Si një intelektual bashkëkohor nuk merrej me cikërrima, por me bazën reale ku duhej mbështetur analiza e mbarëvajtjes apo problematikave të kohës. Ai konkurronte kudo dhe në çdo rast me virtytin dhe vlerat shumëdimensionale që e karakterizonin”.

Shuaip Methasani, intelektuali mbi 85-vjeçar që nga shunmëkush konsiderohet si simbol i urtësisë dhe menAurisë dibrane, në opinionin e tij evidenton pikërisht virtytin e Isuf Rashës si burrë i kuvendeve, ku i dëgjohej dhe I zinte vend fjala.

Përveç kapitujve “Ditari” dhe “Bashkëkohësit për Isuf Rashën” këtë libër e bëjnë interesant edhe kapitujt “Ditari”, në kapitullin “Njeriu I thjeshtë Isuf Rasha, me veprimtarinë e tij mbeti në kujtesën e njerëzve” spitasin tituj intrigues e impresionies si: “Kontrolli tendencioz”, “Kur gjuanim lepuj, me Hekuran Isain e Ndue Gjinin...”, ““Ndëshkimi” pse vrau tre qentë e kooperativës - Si e mbrojti Skënder Dema?!”, “Nëpër kantieret e punës në të gjithë atdheun”, “Projektues i xhadeve dhe rrugëve të brendshme të fshatrave”, “Pasioni pas pemëtarisë, vreshtarisë dhe verërave” etj.


Publicistika dhe prirjet letrare të Isuf Rashës


Ndonëse nuk është ndonjë autor i njohur, në labirintet e laboratorit krijues të Isuf Rashës, (të shprehur në formë ditari) gjen dhjetëra artikuj problemorë, poezi, skica etj., (disa të botuar në gazetën lokale “Ushtima e maleve”, por shumica të pabotuara), ku reflektohen fakte historike, por edhe shqetësimi për mbarëvajtjen e punëve në ish kooperativën bujqësore të Zall Dardhës së tij të largët.

Pikërisht kryellogaritari i një ekonomie bujqësore provinciale, që jo vetëm i kishte të koleksionuara, por edhe të mirëstudiuara revistat “Shkenca dhe jeta” dhe “Bujqësia”, do të ishte udhërrëfyes në aplikimin e metodologjisë së punës shkencore, duke mundësuar një ambientim të ri në studime, një cytje drejt përvetësimit të njohurive bashkëkohore dhe aplikimit të tyre në praktikën e përditshme, në sektorë të tillë si pemëtaria, blegtoria, bletërritja (gjuetia, parashikimi i motit e infermieria) apo deri dhe te projektimi e ndërtimi i rrugëve të ndërmjetme mes fshatrave të Dardhës, studime këto të botura në shtypin e kohës. Me fjalë të tjera, Isuf Rasha ishte intelektuali bashkëkohor, i cili edhe në kushtet e rrethanat e izolimit total, në një ekonomi provinciale, hartonte dhe zbatonte projekte që konsistonin në doza optimale të materialeve teorike, për t’i dhënë rëndësi punës praktike, nga e cila krijonte bazamente të qëndrueshme për vepra po të qëndrueshme, disa prej të cilave i hasim edhe sot pas më shumë se tri dekadash, si blloku i pemëve (sipër shtëpisë së tij) apo dhe ndonjë rrugë ndërlidhëse fshatrash…


Jo më në Zall Dardhën e largët, por ndoshta edhe këtu në Tiranë, metropolin shqiptar, rrallë mund të gjesh një bibliotekë aq të pasur, si ajo që i la trashëgim familjes së tij Isuf Rasha. Pikërisht, intelektuali bashkëkohor, që kishte lexuar (e madje konspektuar), Tolstoin, Shekspirin, Dostojevskin, Uilliam Folkner, Çarls Dikens etj., dalëngadalë, nëpërmjet leximeve, përjetimeve e asosacioneve, do të formonte profilin e tij letrar. Dhe jo vetëm kaq. Nuk është rastësi që në arkivën e tij personale gjejmë koleksionin e të gjitha nr. të revistës “NËNTORI”, si dhe shumicën e nr. të gazetës “DRITA”, nga ku ai, jo vetëm lexonte letërsinë e kritikën letrare bashkëkohore, por edhe mësonte rreth stilistikës së të shkruarit letërsi. Ndonëse krijimtarinë e tij nuk e publikoi, nuk është rastësi që atë e ruajti me fanatizëm në “sepetet” e familjes, me bindjen se një ditë ajo do të “zbulohej” e, madje, do të gjente dritën e botimit. Brenda “arsenalit” të tij krijues, mjafton qoftë edhe poezia (e lënë në dorëshkrim “RREBESHET E SHKUARA MË NUK KTHEHEN”, për të konkluduar në peshën e fjalës, gjuhën e pasur e mjetet shprehëse brilante të një poeti të talentuar. Ligjërimin e tij poetik e gjejmë të sintetizuar qoftë edhe në vargjet: “Dikur në këto brigje qe zënë dielli/Errësira kishte bllokuar edhe qiellin/ Errësira, skamja, padituria/ U duk sikur në këto male kanë zënë rrënjë…

Ndonëse e donte dhe dashuronte jetën, ai iku për në botën e përtejme para më shumë se dy dekada, duke lënë pas një trashëgimi të pasur dokumentare. Mjaftojnë qoftë dhe dhjetra ditaret e lënë në dorëshkrim (nëpër blloqe a fletore të asaj kohe), për të kuptuar punën e tij të thelluar studimore, duke përshkruar gjer në detaje fakte e ngjarje historike të zonës së Zall Dardhës me histori të lavdishme, për toponiminë, për Simpoziumin e organizuar në Zall Dardhë nga zona e Reçit dhe Dardhës me rastin e 75 vjetorit të pavarësisë, etj. Pikërisht, referuar këtyre fakteve, bashkautorët e mirënjohur Halil Rama dhe Sakip Cami, e kanë skalitur më së miri profilin krijues të Isuf Rashës në këtë monografi, ndaj dhe meritojnë mirënjohjen e gjithë dernjaneve e të miqve të familje së njohur Rasha të Zall Dardhës. Në harkun kohor të një dekade ata kanë botuar dhe promovuar edhe gjashte monografitë: “Muharrem Xhediku-kompozitori i tangos shqiptare” (2010); “Rrahman Parllaku – Një legjendë në kufirin e dy kohëve” (2014); “20 vjet OBVL” (2014); “Bajram Ndreu i Zall Dardhës, biri i shquar i një familje të madhe” (2015); “Histori brezash të familjes së shquar Kazazi të Durrësit” (2017) dhe “Gjenerali që sfidoi kohërat” (2019).


59 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page