top of page

Në atë moment ne ishim një


Në atë moment ne ishim një


TREGIM


-A jeni zëri i mendjes suaj? – rrëshqiti fletën e parë dhe tështima kapërceu sinjalin e frikës.

-Shëndet! Pa të tjerat rregullohen, le ta firosim këtë flamë. Le të na hapen sytë..., - ishte përgjigjja me rënien e gjethes së parë në stinë tjetër.

Ndërkohë shiu kishte pusullën e vet. Hidhej e sillej mbi mal. E mali e priste me krahë të hapura, edhe pse dyshimi vinte nga lart, pikërisht atje Lart, shiu kishte ndërruar takt. Ishte ndryshe. Ndryshe binte shiu në majë. E sakaq dukej se kjo ishte e shkuar…

Pas së shkuarës, pra, pas rënies së shiut mali thirri emrin e radhës, duke e joshur me pika shiu që shkëlqenin gjithnjë, dhe që ledhatonin aq butë nën shoqërinë e rrezeve të ndriçuara nga dielli. Dukej sikur e gjitha ishte lëshuar si ato faturat marramendëse, të harruara e të mbufatura, që vijnë nën derë si gjethet e stinës së rënies së gjetheve, jo të kësaj që thuhej se ishte stina e luleve. E kush e kishte parë drejt e në sy këtë stinë?

Të lëshuara gjerë e gjatë, si krahë të bekuara nënash, pemët, vetëm ato e mbronin trupin e tij, nga ajo që ishte sipër gjetheve të tyre. E ai ngjitej. Vazhdonte të ikte në lartësi. Ngjitej. E shihte se tashmë askush nuk pyeste, as për ato pika që kishin mbushur Tokën pellg, as për ato që mbanin në kurrizin e tyre pemët e tilla, gati të shtrira e të mpira.

Por, ndërsa arriti atje, pikërisht në atë mal të lartë, humbi në mjegull. Lartësia ishte maskuar e tëra. Diku kishte veshur bizhame larushe, diku çarçafë të bardhë, diku kanatiere e diku këmisha të holla e të mëndafshta, ku reklamonin truptha të hollë e të gjatë në modë. Kokërza të ngritura, buzë të fryra e të ndezura flakë. Kërkoi me duar e me këmbë, se sytë i kishte thuajse të zënë, duke u përshkuar prekjen, aq sa mund ta quaje të tillë në atë distancë verbërie, madje diku edhe nëpër luginë dhe në mendjen e tij e kapërcente prekjen si narciziste.


Nuk donte ta besonte ringjalljen e Narcizit në atë lartësi. Ishte mjaft lart, sikurse e kishte të qartë. Dhe atje ishte poshtë… Poshtë…

Dhe nga poshtë këmbëve të tij u ngrit si avull vetë dëshira për t'u takuar me diellin. Ishte më në fund diçka që i turrej, e prekte, e ngashërrente, e ndjente, e ishte më në fund, pra, më në fund duke e puthur në faqe. E puthte dhe e puthte me një kënaqësi të madhe.

Atëherë vetëm atëherë, ai u ndje, u shkund dhe bërtiti: „Më në fund jam në shtëpi, shpirti im është i lirë tani mund të mbështes kokën për të fjetur!“

-Të priftë e mbara!- rrëshqiti fletën e dytë dhe Fryma u kopsit duke bërë detyrën e lodhjes.

-Ja edhe lodhja u ndje. U bë ajo që bën vetëm lodhja.- E fletët shkuan në palitjen e tyre të përshpejtuar. Ishte duke shfletuar papushim. Papushim…

Në fund e pa se kishin mbetur pak fletë. Ndoshta aq pak …, aq pak fletë. U shkund në atë avulli, dhe qeshi me të madhe, qeshi, duke e stër-pjekur të qeshurën me një maturi të madhe.

E filloi të fliste. E filloi të pyeste…

-Valët e baticës?

-Ka raste kur shikoj rrugën tënde dhe …

-Skica e fytyrës tuaj është lumineshente.

-Hyri nga sytë tuaj?

-Po mbytem.

-Thellë?!

-Duke më konsumuar e tëra. Ah kjo, ah kjo si …, si valët e baticës. Më tërhiq në thellësitë e universit. Ndërsa vetëdija ime zbret në boshllëk. A mund të të pyes a kam nën kokë ndonjë jastëk?

-Diplomatike, kjo pyetje. Megjithatë delikate.

-Kujdesu për sytë, dhe… butësisht kthehu përsëri në tokë!

-Ku e kuptoj këtë? Ku e kuptoj, ku e ndjej këtë zë?

-Në atë moment ne ishim një. Në atë moment ne ishim një. Në atë moment ne ishim një!

76 views0 comments

留言


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page