top of page

NË APOGJEUN E…



Poezi nga Kozma Gjergji



NË APOLONI


Turistë e vizitorë të shumtë

Ndalin gjatë

Në mjediset me statuja

Nudo,

Pa krahë,

Pa fytyrë,

Pa kokë…

I prekin me kuriozitet

Dhe bëjnë foto,

I përkëdhelin e bashkëbisedojnë

Si t'i kenë të afërm e miq,

Mbase ngaqë ndjehen

Pjesë dhe vazhdim

I të njëjtit dëmtim.



PJEKURIA


Në apogjeun

E rrugës së vetë

Dielli

I përqarkon

Më mirë sendet,

Sheh më thellë

Dhe ngroh e shkëlqen

Më tepër.



NDËSHKIM


Ndëshkim

Të dëgjosh mburrjet

E kallirit mustaqelli pa bukë

Që është më i larti

Dhe ka miqësi me qiellin.

Të dëgjosh

Vidhin e krekosur

Se vetëm tek ai

Korbat ngrenë dashurinë.

Të dëgjosh

Gomarin të gomaroi

Si më i dituri

Për të pallur e palluar…



DHIMBJE


Për ditë fusha

Ngrihet mal

E bie përmbysë

Në varre të rinj.

Hapësira si shami

Pikëllimi…



HESHTIN FABRIKAT


Heshtin fabrikat e punës

Të partive gjëmojnë,

Artikuj vreri, gënjeshtrash

Me bollëk prodhojnë…



KALLINJTË


Rënduar nën ëmbëlsinë e kokrrave

Kallinjtë si myzeqarët në valle lëkunden

E para tokës mëmë me nderim përkulen.

(Nga cikli i botuar në revistën "Nëntori 1982)



MILITANTËT


Disa u bën të rëndësishmë

Si fishekë

Me barutin e urrejtjes,

Të tjerë

Si njerëz të gurëve

Me të cilët

Goditën

Kundërshtarët politikë,

Ndërtuan pa leje

Dhe ngritën biznese.



TË HUMBA…


Të humba dhe mbeta

Si natë e braktisur nga yjet.

Teksa të mendoj

I lë sytë të verbohen në

Vetëtimat e hireve të tua.

Të humba…

Çibuku i trishtimit

Tymos tepër hidhur.



EMIGRANT


Fjalë që do të thotë:

Klithmë sirene,

Puthje e gjatë,

Ankth,

Hartë djerse mbi shpinë…



LAJKA


Në buzë ka mjaltin,

Në zemër helmin.



PUTHJA


Edhe vulë e dashurisë,

Edhe maskë e hipokrizisë.



DALLGËT


Ç'potere bëjnë

Në cektësi!!!



SHIU


Kolona zanore

E melankolis

Për diçka që iku

Pa kthim.



MIQËSIA


U thye befas

Si gota e çmuar.

Tani ndjehem si

Llampë neoni e djegur

Në një koridor bosh.



MREKULLIA


Vetëm

Demokracia jonë

E zbuloi

Mrekullinë

Sesi të bëhesh

Pasanik pa rrogë.


Kozma Gjergji.

96 views6 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page