Me Ari Mesarenë, kemi qenë kolegë prej të paktën dhjetë vitesh deri në fund të regjimit monist në përëndim. Ai jepte estetikë në Arte, unë seminaret e estetikës në Filologji.
Është njeri me gusto dhe sqimë dhe përiudha e regjimit monist dhe tjetra që erdhi më pas, nuk ia prishën imazhin tek studentët dhe kolegët e miqtë e tij. Me origjinë është nga një familje emigrantësh përmetarë që u kthyen në kohën e mbretërisë në Tiranë dhe u morën me tregti. Për shkak të lidhjeve dhe pjesëmarrjes në luftë të njerit prej xhaxhallarëve të tij, ata që erdhën në pushtet prej malit, pra komunistet, nuk ia zunë shpesh në gojë origjinën tregtare të familjes.
Çdokush ka rrëfime të sekreteve te tij në jetë, më tha pak ditë më parë ,kur ishim ulur në një nga lokalet moderne pranë stadiumit të madh në Tiranë .
Kishin kaluar jo pak, nga ndërrimi i sistemeve. Plot njëzet vite. Kishim marrë nga një uiski me bajame dhe sillnim e risillnim kujtime nga vitet e kaluara po edhe nga zhvillimet e fundit që askush nga ne të dy nuk i pëlqente.
Nga lokali vinte një muzikë e italiane e viteve ’70 dhe të dy ishim zhytur në melodinë shumë të njohurtë saj, kënduar nga një prej ikonave të këngës italiane të atyre viteve kur ne, si pedagogë të rinj, fare pak dallonim nga studentët tanë në moshë po, edhe në shije muzikore.
Unë si gjithmonë, nisa të fishkëlleja melodinë, si dikur kur dëgjimi i një kënge të bukur të kohës në radio, na dukej se shqërohej më një si dritë hyjnore lumturimi …Ishin çaste fatlume aso mohe, kur dëgjonim pikërish hite të tilla .
E bukura nuk ka moshe, nuk ka kohë. Nuk ka regjime…ka vetëm hapësirë.
***
Befas, Ari e ndërpreu rrjedhën e bisedës me një pauz, si me një thikë të padukshme dhe sikur pa dicka në ajrin e asaj padite të ngrohtë tetori. Po shikonte me ngulm në ajër, në një drejtim të pacaktuar.
U kthye vrik nga unë.
-E di cfarë?....M’u duk si një fytyrë e njohur dikush, që sapo kaloi tani, me një bicikletë për dore…
-Po. Edhe?
-Dhe më solli si sot, një makth të dikurshëm. Një makth që nuk e artikulova me zë asnjëherë, Kurrë deri më sot….As Vitas, nuk ia kam thënë.-tha duke përendur Vitoren, gruan.
- Asnjëherë…As atëherë, as tani, kur fëmijët, djali dhe vajza janë martuar dhe janë jashtë, si shumica…
Po heshtja duke e ndjekur me vëmendje. Nuk doja ta cytja për të mos treguar kuriozitet të tepruar.
Por Ari, nuk di pse, këtë buzëmbremje kur jashtë përtej xhamave frynte era e tetorit tiranas që po luante me gjethet e gështejave të egra rënë trotuarit, vlonte nga dëshira për të rrëfyer një makth të dikurshëm… Një peng a ngërç iu ravijëzua edhe në fytyrën pak më parë të qeshur nën tingujt e këngës italiane të Çelentanos.
-Eehh, ç’rëndësi ka , Ari ! Si në çdo kohë, çdo njeri ka makthet e veta ,-dhe kërkova ta ndërronim bisedën.
-Jo!-tha prerë ai dhe mori një cigare , e rrotulloi disa herë me gishtat e të djathtës dhe mes tymit si prej një mjegulle dimri, nisi të hapë një nga deriçkat e dikurshme të kujtesës së tij.
***
Jo larg. As treqind metra në vijë ajrore prej kësaj tavoline…,-tha Ari.
-Kisha mbaruar leksionin dhe me biçikleten kineze, i lodhur, po kaloja si gjithmone nga Liceu për t’u khyer në shtëpi, te 21 Dhjetori. Po fishkelleja Domeniko Modunjon, “La distancia es como el viento “. Sikur mbaja ritmin e biçikletës me të.
E dija që Vita ishte kthyer nga shkolla në Kombinat ku jepte mësim dhe më priste se atë pasditë do të shkonim në një ditëlindje të njerëzve të saj.
Më kishte marrë uria.
Kur, befas, nga trungu i nje prej rrepeve si të rreshtuar të rruges së Liceut duke shkelur mbi gjethet e rëna, u shfaq një njeri që më doli para. Frenova. Ma zuri rrugën dhe m’u afrua gati në fytyrë. Dy gjëra më ranë në sy: hunda e madhe kërrute e tij dhe pardesyja gri. Përmbi hundën kërrute kish ngjeshur një kapelë po gri.
Befas, m’u afrua. Sytë ia pashë mirë….ishin ngjyrë hire…them.
-Ngjyrë hiri..
-Jo. Ngjyrë hire. Hire djathi…I shkurtër .Rondokop….S’e di pse, qysh në momentin e parë thashë me vete. Si një vemje…..!
-Eeej, profesor,-m’u drejtua. –Mbaje pak.
Frenova i habitur. Ndonjë ndërhyrje për studentët, mendova…Për ndonjë të afërm a fëmijë të tij. Kushedi!
-Nuk më njeh, heee? Eh, aty,… ne Univeristet, punoj si të thuash, edhe unë…”
-Jo. Nuk jemi parë ndodnjëherë . Po urdhëro…keni ndonje problem?
-Hiç, professor...Mos u shqetëso.Kam vetëm një porosi…
Në atë çast vura re dhëmbët e tij. Ishin shumë të mëdhenj, të verdhë dhe të ngrënë si copa stërralli në ngjyrë dylli.
-Porosi?!...Po, nga kush?...
-Po! Po po…Shiko profesor Ari…Ju, duhet të paraqiteni në rajonin e policisë, domethënë në sektorin e sigurimit , në drejtorinë C, në Zyrën XN….
-Unë? Në polici? Përse?....-.dhe ngrita supet.
-Asnjë gjë, profesor! Vetëm, mos harroni!…Kam tre ditë që ju pres në këtë rrugë sepse, ne, e dimë mirë ,shumë mirë, që kaloni këtej, në kthim…ja, fiks ne këtë orë….Pra, pas tre javësh …Si sot, të hënën…Në orën 9 fiks. Këtë, mos e harro, ju lutem!-tha ai prerë.
Në çast s’di pse më vetuan në mendje, skena filmash me kanosje nga mafia italiane….Ti e mban mend atë kohë…Ishte arrestuar atëherë, tre dite me pare nje dirigjent. Si gjithmonë, për agjitacion e propagandë.
Aso kohe, ti e di, se flitej shpesh për një vale arrestimesh që lidheshin gjithmonë me ndikimet e puçistëve, me ndikimet e huaja…Po krihej gjithka, me krëhër hekuri nga regjimi….
Ndjeva ftohtë. Era që shpërndante gjethet e thata të rrepeve të vjeshtë së tretë, m’u fut në trup sikur të mos kisha as xhaketë e as këmishë e pulovër.
Gati po dridhesha nga e ftohta, nën pardesynë fëshfëshe.
Siii? Mendova në të dhjetat e sekondës? Kanë tre ditë që më presin në këtë rrugë!? Sepse, e dinë mirë ku kaloj, çdo ditë, fiks kësaj rruge të bukur. pas punës ...?!Si ka mundësi?!...
-Nuk kuptoj…-i them.njeriut me dhëmbë te verdhë. -Të shkoj më mirë nesër, në orën 9-të? Pasi kam një orë bosh nga leksionet….?
-Jo, profesooor! Jo!-tha hunda kërrute që tani kaq pranë, m‘u bë se nuk kishte veshur një pardesy gri, porse e kishin futur në një thes të madh me ngjyrë gri…për t’u maskuar….
Edhe pak dhe mbi Tiranë do të afrohej buzëmbrëmja.
Kaq tha dhe, pas një “Pafshim!” nëpër dhëmbë, u dha këmbëve pas rrepeve të rrugës si drejt askundit apo, drejt erës që tani fishkëllente ritualin e saj të mesnëntorit.
Kaq!
U mbyll ajo pasdite.
***
-Pastaj? Ç’u bë pastaj?
-Pastaj? Heee…Ç’të them. U plandosa në shalën e biçikletës dhe ecja pa mendje. Kuturu. Nëpër bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Po kjo ç’ishte? Në ajrin e Tiranës ato kohë, ne mesin e viteve ’70, kishte muaj që ndjehej një frikë qe i kish kapluar pothuaj te gjithë.
Duke e ndjekur rrëfimin e Arit, befas, u kujtova menjëherë se atëbotë, disa muaj pas plenumit të Katërtit të partisë ose, plenumit të zi të saj, frika, si jë copë e madhe kallkani të zi, kish pushtuar heshturazi nje pjese te madhe edhe te pedagogëve. Disa flisnin shpesh me zë të ulët me njeri-tjetri. Sikur pëshpërinin.
Termi “mbledhje reflektimi” shoqërohej ngado si një re e zezë. Nuk isha anëtar partie, ti e di.
Tek e dëgjoja shokun tim, m’u përhit ako kohë e zymtë e atyre viteve të gurta.
Por shumëçka nga ato “të reflektimit” zbardhej të nesermen vesh me vesh. Në shume raste, sy më sy, pa folur, kur “relfektimi” shoqerohej tek-tuk me pranga…Ashtu, sy më sy e vesh me vesh…..Të rejat perhapeshin menjëherë, që nga Blloku, si me shpejtësinë e dritës. Fill pas mbledhjeve që gatuheshin në godinën hijerëndë me stilin e perandorisë bolshevike ruse në Bulevard.
Një lëmsh, endej në kokën time konfuze mbi biçikletë, -vijonte Ari.
S’di si m’u kujtua për ironi të zezë, si për t’i dhënë kurajë vetes ajo, fabula e kafshëve të pyllit që po rendnin në panik nga frika se po t’i kapnin, do t’i ngarkonin me gurë. Po ti, ç’ke, zonja dhelpër! E kanë me gomerët…gjithë këtë histori me rendje…Është temë tjetër.Ti, nuk je gomar. Kjo, duket dhe dihet nga të gjithë, të mëdhenj e të vegjël. Kështu, pra! E kanë me gomerët zonja ndrikull….Vetëm me gomerët e ngratë. Ata do t’i zënë e do t’i ngarkojnë me gurë…nga shpati i malit…sa t’u bjerë bretku. Ka një komision për këtë…punë. Jo kuturu!….Ahaaa! –tha kjo, që e kish ndjere panikun deri në stomak…
Kam , si nuk kam…Sa ta marrë vesh komisioni se nuk jam gomar unë, I kam bërë 3-4 rrugë me gurë…!!
Qesha hidhur…”.Po ti, ç’ke profesor? …Ti, ..nuk je si ata.. që po goditen. Nuk ke lidhje as gjaku e as fare. Perse vrapon me biçikletë, kur tani, do të kishe ngrëne drekën dhe do të shkoje në një festë familjare…..Profesor!....Më dëgjon? ….Por ai ecte, kuturu….domethënë unë….Vraponte si të tjerët.Nëpër pyll…Nëpër rrugën e Unazës dhe mbi Urën e Lanës. Endej nëpër eter,..pa mendje…ashtu, kuturu.
Një çast, vura re se e kisha kalur rrugicën ku kthehesha për në pallatin ku banoj, te 21-shi …U ktheva sërish I shqetësuar se ora e asaj ditëlindje kish kaluar. Të paktën me një orë kohë.
-Po ku humbe kështu?- Më priti me këmbëtë e para, Vita?
-Ke të dreje, zemër. Më fal por u vonova me disa… student. Më pyesnin për literaturën e rekomanduar…Disa libra të ndaluar janë më aurorizim në Bibliotekën Kombëtare… -.Dhe më erdhi turp që po thosha tjetër gjë, nga e vërteta, si pak herë në shumë vite që jetonim bashkë….
-Po ti, nuk ke ngrënë as drekë. Do vonohemi edhe më tepër...
-Nuk kam uri. Sinqerisht. Morën çunat nga një birek…edhe për mua….Shkojmë….
-More ti , ç’ke kështu? Ke bërë fjalë me njeri? Sesi me dukesh…!
-Me askënd.Të betohem. Ndoshta nga lodhja….Shkojmë.
***
Në mbrëmje vonë në minianeksin e ballkonit që ti e di se e përdorja aso kohe si studio, e mbylla me një laps të kuq më kalendar javën dhe ditën e takimit. Mos e harroja ose e ngatërroja.”Në 9-të fiks!”… Dhe befas, më shfaqej njeriu me dhëmbë të mëdhenj, ”Në 9-të fiks!”… Më shfaqej i futur në thesin gri, nga ku dukeshin vetëm dhëmbët sharrë prej stërralli si dyll i kuq…
Iku java e parë…Iku edhe e dyta. Ç’do ditë të javës sillja nëpër mend nese dikush nga fisi apo fara ime nga të dy krahët e origjinës, mundet të kishte shkelur ndonjë “mine”…Mos kishin thënë diçka që mund të kosiderohej propagandë kundër socializmit, sapo t’i kishin bërë ‘analizën’ dhe ta testonin me letër kimike lakmusi?...
As në Tiranë nga babai as në Vlorë nga nëna. Befas iu ktheva unit: Po vetë, ore mik?!….Mos ke luajtur gjë me zjarrin me ato literaturat e ndaluara? Mos ke shfaqur gjë simpati pa dashje për ndonjë autor apo libër të ndaluar? Jo!!!Ju betohem….Në dijeninë time, asnjëherë. Dhe sigurisht, jo me ndërgjegje, kurrë. Për këtë ju betohem…
Pastaj, më shfafej Ai, hunda kërrute në thesin gri…
Përse betohesh ti, shoku Profesor ?, Më thoshte zëri I tij,…Sepse ne, betohemi, nuk është sekret: “Për ideal të Partisë”….Po ti profesor, Ti? Për ç’ideal e ke fjalën ?!....Betohem në emrin dhe dinjitetin tim dhe të familjes time…..Heheee!!!-thoshte tjetri. Na mbushe mendjen!!....
Më kishte ikur oreksi. Por një ditë, para të enjtes të orës FIKS, nuk di pse, kisha me një ndjenjë të fshehtë gëzimi. Në djall të venë!.Jam në rregull!…Ta dijë mirë Ai, dhëmbëstërrali apo dhëmbësharra si të duash quaje…dhe kush të dojë. Të më lënë rehat, në botën time, me studentët……Kaq dua…!More vesh?!
***
Më në fund , m’u duk se por mbërrinte e enjtja…Nuk mund ta harroja gjithsesi! Madje, jo më kot e kisha mbyllur me të kuqe në kalendarin. Mos më ikte. Mos e harroja…Mendje është. Kot i thonë , kokërr gruri?-keto i flisja me vete para pasqyrës çdo mengjes kur rruhesha para nisjes për në auditor.
Në orën e 8 e 45 minuta u paraqita të zyra e pritjes të rajonit 44..
- Juve shok? Cilin kërkoni?
-Unë kërkoj….Në fakt, unë nuk kërkoj…Më kanë kërkuar. Të paraqitem fiks në orën 9-të, në drejtorinë C, në Zyrën XN…..
-Kuptova. Kush ju ka kërkuar?
-Nuk di gjë. Kaq më thanë.
-Ahaaa. Prit këtu! Tjetri mori nga telefoni mbi tryezë dikë….dhe diçka komunikoj por që pas frëngjisë me xham të dritares në korridor, nuk mundet të kuptoja asnjë fjalë.
Kaloi mbi 30 minuta pritje në korridor.
-Shoku….iu drejtova personit me uniformë policie në zyrën e pritjes.
-Shoku oficer, ju lutem, njoftoni edhe një herë sepse jam pedagog dhe më presin studentët pas një ore….
Tjetri ma bëri me dorë duke xhestuar. Domethënë, rrini i qetë. Ka punë puna!
Pas 30 minutave nëpër korridor dikush po ecte drejt zyrës së informacionit ku unë prisja para dritares me një të çarë të vogël xhami si sportel biletarie sa për komunikim.
Dikushi kishte pothuaj moshën e studentëve të vitit të fundit. Kishte flokë të lyer me vaj. Ishte i gjatë dhe një farë simpatiku. Nuk kishte unifomë të policisë. Civil. Qëndroi para meje dhe m’u drejtua:
-Ju jeni profesori?
-Po,-thashë gati me gëzim.-Unë jam.
-Më ndiqni shoku profesor….
E ndoqa në një korridorin e gjatë që m’u duk disa kilometra.
-Këtej-tregoi ai një kthinë majtas. Pastaj bëri dy-tri herë të tjera në një tjetër kthinë : Këtej, Këtej !...Dhe s’e mora vesh sa kthina te tjera korridoresh kaluam.
Pastaj ai qëndroi para një porte të madhe me rimeso arre.
-Këtu!.. Tani, mund të hyni profesor….
-Faleminderit!
Hyra.
-Do prisni shumë pak,-tha civili dhe mbylli derën duke u larguar.
U gëzova. Shyqur, thash me vete. Më në fund!
Pashë orën ishte 09 e 45.
***
Në dhomën apo zyrën ku hyra nuk më priste askush. Pas ndoshta tridhjet minutash pllakosi menjëherë një qetësi shurdhuese. Që nga korridori dëgjohej ndonjë e ecur e largët sipas llojit të kalimtareve. Herë si çizme me proka metalike “krup-krup”, herë si hapa te zakonshem dhe fare rrallë, me taka.
Kaloi një orë. Në këtë zyrë nuk hyri askush. Shikoja iventarin e sendeve. Një tavolinë e thjeshte, tip skrivanie. E viteve të Monarkisë, ndoshta. Dy karrige të tjera veç asaj ku isha ulur. Mbi faqen anesore ishte vendosur nje pamje reviste me nje tabllo kompozicionale ku dukej një partizan I luftës antifashiste dhe një partizane .
Kaloi edhe një orë tjetër. Tani koha po vraponte por mua më dukej se kish mbetur në vend. E pashë orën e murit dhe menjëherë hodha sytë nga ajo në dorën time. Tani, ishte fiks 11 e 55 minuta.
Qetësi. Sërish një shurdhëri vrastare. Tek-tuk dëgjoheshin sërish çizme me proka metalike “krup-krup”, hapa te zakonshem dhe fare rrallë, tingulli i takave.
Të gjitha ecjet nisnin nga thellësia, afroheshin, dëgjoheshin deri te pragu i derës “sime” dhe pastaj largoheshin në humbje sikur futeshin në ujë…..në humbellë.
O zot I madh, thash gati me zë. Përse nuk po vijnë kaluan pothuaj 3 orë. Ndoshta kanë mbledhje. “Mbledhje”,kjo ishte fjala më e shpeshtë në pejzazhin sociopsiqik të kohës. Mbledhje e Byrosë Politike. Mbledhje e Plenumit..Mbledhje e Komitetit Qëndros…e Komitetit të Rinisë, e Bashkimeve Prof….
Si më tha ? “Do prisni pak”-ai civili i lëpirë. Sa kushton një “pak”në këto zyra?-pyeta veten. Sa? Sa? Kalova sërish në filmin e memories episode ku mund të kisha shkelur ndonjë “minë”. Askund nuk dalloja gjë….Ato botë kishte edhe më shumë mbledhje…”reflektime”..Denoncoheshon siç e dimë…armiqtë e rinj të partisë dhe pushtetit popullor…Gjithmonë dilnin armiq…dhe gjitmonë kishte seriale mbledhjesh të gjata…kilometrike…Nuk mbeti sektor pa armiq të Partisë dhe popullit…Në fillim…kërcisnin pragat..pastaj…mbledhjet për “çinfeksionimin” pjesës së prekur nga ndikimi “armik” . Serish …niste dezifektimi. Ndonje artikull redaktorial per forcimin e rolit te “partisë dhe masave”. në gazetat e pakta të kohës…Pastaj, kamionët me sponde të larta, i afroheshin banesave me familje të piketuara për intnernim nga zonat urbane në ato rurale.. Në pamje të parë, njerëzit ishin të qetë.Të sigurt për tallonin mujor të ushqimeve…Rregull..ngado…Dhe sigurisht, duartrokutje nëpër salla. Për udhëheqesin dhe partinë që ia bënte gjithmonë “fora”: ndaj armiqve...
Një cast, ndjeva e nga korridori po përhapej aroma e bukës së thekur në ngrohëset që u thoshim reflektorë me spirale. Imagjinoja që dikush atry pranë kishte nxjerrë tani bukën e mbeshtjelle me gazetë dhe e vendos përmbi spiralet e kuqe të rezistencës ose në ndonjë sobë…Kisha dy ditë që asgjë nuk kisha vënë në gojë dhe as që kisha uri…Por era e bukës së thekur më sekretoi si me bisturi stomakun që më kishte humbur.
Pashë sërish për të qindën herë nga ora e madhe në mur dhe menjehërë hodha sytë në orën e dorës. Kishin kaluar 3 orë e 15 minuta. Në veshët e mi nuk e di pse, me kumbonte si nje obsesion melodia e kengës italiane të Modunjos.
Më në fund, ndjeva që dikush preku dorezën e deres në zyrën ku po prisja…Mora frymë i lehtësuar disi.
Dera u hap dhe hyri brenda përsëri një civil në te 50-tat .I mbajtur .
-Ju jeni profesor Ari,- pyeti sapo u ul në karrigen kryesore.
-Po.
Më pa drejt në sy. Duket e kishte zanat këtë lloj shikimi të përqëndruar. Ndjeva një lloj zemërimi dhe iu ktheva.
-Ju lutem! Kam 3 orë që po pres dhe ende nuk po di se përse më kanë thirrur, shoku…. Studentët po më presin, jam profesor .
Ai nuk e prishi fare qetësinë. Pastaj shtoi.
-Tani pikërish, do të vijë shoku Kopi. Unë po ju lë. Ditën e mirë,-dhe u ngrit.
Zyrën përsëri e pushtoi qetësia vrastare.
Nuk kaluan as 5 minuta dhe porta u hap sërish.
Hyri një tjetër civil. Ky, një i thinjur, i majmur mire dhe me barkun që të kujtonte muajin e tetë te shtatzanat.
Më përshëndeti me kokë dhe drejtoi kravatën e kuqe duke e fiksuar më mirë sikur ishte para qasqyrës.
-Ju…jeni profesor Ari?
-Po. Unë jam shoku….
-Kopi,-plotësoi ai.
-Urdhëroni.
-Asgjë! Mbaruam. Mund të largoheni profesor.
Dhe doli jashtë zyrës qetë-qetë sikurse hyri.
Tik-taku I orës së murit gjëmonte tani në veshët e mi me jehonën e një kambane kishe që po më shkulte tëmthat.
***
-Dhe ike? Dole?
-Po.
Për kaq?...
-Për gjithë sa rrëfeva, or mik. Nëpër ajër dhe nëpër mure e korridore atje, si tani, pashë ca si dhëmbë të mëdhenj. Si të njeriut të futur në thesin gri. Dhëmbë të mëdhenj si stërrall ngjyrë dylli…Dhe ato çaste m’u kujtua një frazë nga “Apologjia e vërtetë e Sokratit”të Varnalisit. , …”Të njejtën gjë pëson edhe me regjime te ligjshme edhe me të paligjshmet, edhe me tiraninë, edhe me lirinë…Që të mos kuptojë , i thoni gënjeshtra dhe e frikësoni. Ka popuj që jetojnë në pyje, nuk kanë ligje, hanë morrat e veta, por e dashurojnë lirinë. Popuj barbarë. Ne jetojmë në shtetin më të bukur në botë, kemi ligjet më të mençura, nuk i hamë morrat dhe i duam mashtruesit që na hanë ……///
Xing.
Tregimi i shkruer me një tension gjithmonë në ngrijtje, me tipizimin e personaxheve në koridoret e errëta. Presioni psikologjik këtu del natyrshëm pa qënë nevoja e përdorimit të fjalës. Doemos. Sigurimsat me këtë formë i shmangeshin dialogut me një profesor nga që e pranonin disnivelin e tyre. Urime autorit! / XING.