Në 111- vjetorin e Normales së Elbasanit


Bedri Tahiri

“DJEMTË” E HASAN PRISHTINËS NË NORMALEN E ELBASANIT

Hasan Prishtina është unikat edhe në fushën e arsimit kombëtar. Ky arsimdashës i flaktë, fitoren mbi regjimin e tiranit sulltan Abdyl Hamitit, e shfrytëzoi në të mirë të gjuhës dhe shkollës shqipe. Me nismën e tij, pa humbur kohë, u organizua Kongresi i Alfabetit në Manastir, i cili i zhvilloi punimet prej 14- 22 nëntor 1908. Në këtë vazhdë shkon edhe Kongresi i Elbasanit, i njohur edhe si Kongresi i Shkollës Shqipe, i mbajtur më 2- 9 shtator 1909. Ëndrra e Hasan Prishtinës që të dominojë alfabeti latin në shkollat shqipe, po bëhej realitet. Atë vit, më 1 dhjetor 1909, do të nisë punën edhe Shkolla Normale me në krye Luigj Gurakuqin. Në atë vatër diturie do të mësojnë edhe shumë nxënës nga Kosova, shumica me harxhimet e Hasan Prishtinës, i cili kishte vendosur që gjithë pasurinë e vet që e kishte gjithandej në Vushtrri, në Mitrovicë, në Prishtinë, në Drenicë, në Shkup, në Selanik etj., ta shkrinte për shkollën shqipe e për çështjen kombëtare. Kështu, vetëm nga qyteti i lashtë i Vushtrrisë, në Normalen e Elbasanit vajtën 12 nxënës:

1. Muharrem Ymer Velqetrini, 2. Sylejman Bajram Velqetrini, 3. Mehmet Jusuf Velqetrini, 4. Halim Shaqir Velqetrini, 5. Izet Ymer Velqetrini, 6. Tejfik Sylejman Velqetrini, 7. Xhafer Hafiz Muharrem Velqetrini, 8. Hasan Abedini, 9. Emin Hoti, 10. Qerim Mustafa, 11. Iliaz Velqetrini dhe 12. Ragip Abdurrahimi.

Nga i njëjti burim mësojmë se Hasan Prishtina, pos në Normalen e Elbasanit, shumë të rinj, rreth 25, i kishte dërguar edhe në shkollën bujqësore në Budapest, si: Ismetin e Abdullahun e Zejnullah Begut- Berishës, Abdullahun e Haxhi Shqefqet Koronicës, Nazmi Nuri Spahiun, Fevzi Mulla Hysenin, Hamdi Mulla Ibrahimin, Sherif Gollakun dhe Emin Haxhi Hasanin. Dhe, kjo pati sukses. Përhapja e arsimit shqip mori rrugë të mbarë gjithandej trojeve shqiptare. Drejtori i Normales së Elbasanit, atdhetari Luigj Gurakuqi, i priste përzemërsisht djemtë e Hasanit, siç i quante ai nxënësit kosovarë dhe gjithmonë i entuziazmuar brohoriste: Rroftë Hasan Prishtina! Luigj Gurakuqi, ky arsimdashës dhe atdhetar i madh, e çmonte pa masë dërgimin e nxënësve nga Kosova. Ai, në gazetën “Koha” të Mihal Gramenos shkruante: ”Kosova fisnike e trimoshe, me të përpjekunit e të ndershmit Hasan Prishtina, i cili na rroftë përjetë, na dërgoi mjaft nxënës në shkollën normale, të cilën vetë Hasan Prishtina e kishte quajtur qendër të parë të vëllazërimit të rinisë shqiptare”. Është interesant edhe pritja që iu bë grupit të parë prej 16 nxënësish kosovarë, të cilët dolën për t’i pritur në rresht, një orë larg Elbasanit, nxënës, mësues e popull. Pas ceremonisë madhështore, e cila gumëzhinte nga brohoritjet: Rroftë Kosova! Rroftë Hasan Be Prishtina! Rroftë Shkolla Nornmale! Rroftë Shqipëria!, dhe pas përshëndetjes së zjarrtë që bëri Avni Rustemi në emër të nxënësve, fjalën e mori drejtori Luigj Gurakuqi, ku, midis tjerash tha: “Gjithë sa herë na vijnë djem nga vise të ndryshme të Shqipërisë zemra e jonë kënaqet e mallëngjehet, shpirti ynë gëzohet e dëfren, pse kështu shohim se Shkolla Normale jo vetëm po përparon si shkollë, por edhe po i afrohet gjithnjë e për ditë e ma tepër qëllimit për të cilin është ngrehur. Kjo shkollë duhet të jetë qendra e arsimit kombëtar, këtu jo vetëm do jepet mësim e ditur, po do të trajtohet, do të përmirësohet e do të dalin vetëm njerëz të ditur, po mësonjësa, ma mirë, apostuj të nxehtë e të vullnetshëm, që bashkë me diturinë, do të përhapin nder më të largëtat vise të atdheut dhe ndjenjat kombëtare. Mësonjësi shqiptar duhet të gdhend jo vetëm mendjen e popullit të mjerë po të ushqejë edhe zemrën e tij me ndjenja të drejta e të shëndosha, të fortësojë e të lartësojë karakterin e tij, të ngjallojë në shpirt të tij shpirtin e dashurinë e së mirës e t’a vejë kështu në udhë të përparimit... Ju djemtë e Kosovës pastaj e keni për detyrë t’i shpërbleni me sjelljen tuaj të mirë, të ndershmit Hasan Be Prishtina nderin e madh që po ju ban, po këtij i kemi detyrë të gjithë, pse ky burrë i vlertë po përpiqet e nuk po kursen sot aspak vendin që të mbrojnë kombësinë t’onë kundër armiqvet, që duan të na prishin gjuhën e të përmbajnë përparimin e arsimit ndër ne. Duke u sjell mirë, duke i vunë mendjen mësimit, duke i ranë pas këshillat tona ju do të fitoni të mirën tuaj, do të baheni ndihmë e shtëpiavet tuaja do të jeni shtyllë e Shqipërisë sonë të dashur” (Gazeta “Bashkimi i Kombit”, Manastir, më 25 shkurt 1910, nr. 25.) Ditë e shënuar ka ngelur edhe 25 qershori, dita kur u mbyll viti shkollor 1909-1910 për Normalen e Elbasanit. Atë ditë, për nxënës të dalluar, pos tjerash u ndanë edhe dhurata, dërguar nga Hasan Prishtina. Peripecitë e shkollës shqipe gjatë asaj periudhe janë të shumta, herë lejoheshin, herë ndaloheshin, dhe, gjithmonë në kacafytje me ngfulfatësit e saj anadollakë, qëndronte i madhi, i dituri dhe sypatremburi, Hasan Prishtina.



28 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif