Në 100 vjetorin e lindjes së Arshi Pipës(1920-1997), Elitë e mohuar.


Vilhelme Vrana Haxhiraj

Në 100 vjetorin e lindjes së Arshi Pipës(1920-1997), Elitë e mohuar.

Prof.dr.Arshi Pipa ishte akademik, pedagog i filozofisë dhe i gjuhëve fërngjisht dhe italisht, poet, studiues, albanolog, folklorist, linguist, përkthyes, botues , i cili sot, më 28 korrik, 2020, ka 100 vjetorin e lindjes .

Arshi Pipa është nderuar me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe “Qytetar Nderi”i Shkodrës. Lindi në Shkodër, i biri Mustafa Nuriut nga Libohova dhe Hatixhe Sumës nga Shkodra. I ati, Nuriu ishte jurist i diplomuar në Stamboll. Gjatë Luftës së Parë Botërore ishte jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër. Profesionin e tij ( jurist) ia dha djalit tjetër, vëlla me baba, Myzaferit. Arshiu, kishte dhe katër motra: Nedreti,Fehimeja   Bedrija dhe Gjyltere.

Arsimin fillestar e mori në Kolegjin Saverian e më pas 8 vjet në Gjimnazin e Shkodrës dega klasike, që e përfundoi më1938. Nën kujdesin e të atit, ndiqte mësime edhe në medrese gjatë mbasditeve. Më 1936 me poezinë "Në lamën e luftës" fitoi çmimin e tretë në një konkurs poetik nga e përkohshmja "Cirka". Më pas studioi Letërsi e FilozofiUniversitetin e Firences. Me disertacionin “Morali dhe feja tek Bergson” u diplomua më 1942.

U kthye në Shqipëri e dha mësim në shkollat e mesme të Tiranës e Durrësit(1941-1946). Kur Lidhja e shkrimtarëve dhe nisi botimin e organit "Bota e Re", Arshi Pipa dhe Mitrush Kuteli  ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Mori pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, ku punimet i drejtoi Skënder Luarasi. Në kujtim të Migjenit bëri një shkrim që s’i pëlqeu partisë. Në një takim letrar në Shtëpinë e Kulturës(Tiranë) lexoi "Këngën e Pleshtit" të Gëtes(Goethes) me të cilën thumbonte Shemsi Totozanin. Ky ishte shkaku që Pipën e transferuan me punë në Durrës. Atje lexon poezinë me titull "Bushtra". Në mbrëmjen poetike të 27 prill 1946 në Tiranë, ku pranë kishteNako Spirun, të cilin s’e njihte, arrestohet dhe dënohet me dy vjet heqje lirie. Ridënohet- më 20 dhjetor 1947. Kur i dhanë dënimin me 20 vjet heqje lirie, mësoi për vdekjen tragjike të të vëllait, Myzafer Pipa (avokat). vo:Vivra,“Tradhtia e Madhe ndaj Kombit” f.82, Nacional,Tiranë 2018).

Arshi Pipa vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (genocidit komunist), në (Durrës,Vloçisht, Gjirokastër, Korçë, Tiranë, Burrel etj). Arshiu veç punës së detyruar, jepte mësime në letërsi, filozofi dhe në gjuhë, si dhe shkroi 2 libra. Familjen e përndoqën nga shtëpia, ku gjatë shpërnguljes i vdes i ati.

U lirua më 26 prill 1956 dhe në fundverën 1957 u arratis me një nga 4 motrat, Fehimen. Kërkuan strehim në Sarajevë deri më 1958, nga ku emigroi në ShBA. Punoi si arkëtar në një hotel të Nju Jork-ut 2 vite.Më 1960 u emërua në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku jepte filozofi. Pasi e spikatën si njohës të thellë të italishtes, vitin e dytë akademik, drejtoi katedrën e gjuhës italiane në City University, të Georgia-s, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë”. Ndërkohë jepte dhe mësim filozofie, në “Kolegjin e Arteve të Lira”gjatë verës 1961 dhe ’62). Ka qenë pedagog i gjuhës italiane në universitetin e Kolumbia-s në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City. Gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira po aty.

Në vitet në vazhdim dha lëndën e filozofisë në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar në vitin akademik 1963-64 në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornisë, Berkley. Atje jepte kursin e letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor më 1965, si dhe filozofi romake. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D). Përkrahu lëvizjen studentore të Berkley University të Kalifornisë, e njohur si “Free speech movement” (Lëvizja e fjalës së lirë) Ai u bë një kritik i paanshëm i politikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane.

Arshiu ishte programues i Temave, (diplomat për master dhe disertacionet e PhD) u shkruan dhe u aprovuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës në anglisht, dhe në veçanti, kurseve ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe ). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington D.C., pranë së motrës.

Gjatë kësaj kohe u intensifikuan lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithmonë, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këtë kohë, si dhe mendimet e tij për përparimin e saj, ai i shprehu, së pari, në gazetën “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nëntorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botua në “Diellin” e 28 shkurtit, 1987. Arshiu ka dhënë përcaktimin më të saktë dhe më të bukur për Vatrën: “Vatra është një monument poetic i vetëdijes dhe poetikës kombëtare”. Ai ka shkruar me dhimbje kraharori për gjendjen e mjeruar të “Vatrës” dhe ka vlerësuar lart prestigjin e saj ndaj organizatat e tjera të diasporës. Kjo i jepte mundësi e avantazh që t’i asaj bëjë një shërbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë më të madhe nëse Vatra mban një qëndrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”.Ndërhyrja e saj, shkruen Pipa, është sidomos e rëndësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cënohen ose rrezikohen”.

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qëndroi vetëm një vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qëllim për ta vënë atë në shërbim të problemeve me rëndësi të jashtëzakonshme historike, që dolën para kombit :zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtër, ai iu kushtua me të gjitha energjitë rimëkëmbjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkruar me hollësi për to.

Vdiq me 20 korrik 1997 në Washington, D. C.