NË ËNDËRR ME SHËN VALENTININ
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Feb 13, 2021
- 2 min read

(Një poezi –dhuratë gjithe miqve në emer te dashurisë)
Me afrimin e ditës më të shenjtëruar
Më zbriti në një ëndërr shën Valentini.
Nata mund të ishte… eh, në të mbaruar,
Avokati i dashuris’ sa qetas hyri…
Dhe në ballë kishte të Zeusit emblema
Kish në shpirt Kupidin*, Erosin** e ndritshëm
Në sy Alkionën*** dhe Kikin***porsi mjellma
Në buzë kish Kaliopin 1) edhe Afërditën 2)
Nuk qe i vetëm atë çast Valentini
Hyjnitë po i rrinin si aureolë.
Edhe pse ishte një fundnatë dimri,
Ma zjarrmoi shpirtin, ma bëri rinor…
Dhe të nëntë muzat (të Zeusit bija)
Të Mbledhura përqark , i jepnin bekime;
E ndihmonin, si të mbrohej dashuria,
Kur asaj i suleshin të zymtat mendime…
Dhe më rrefeu Ati për çastin më kulmor
Kur Perandori dha një urdhër famëkeq
Shpalli një dekret kundërdashuror
Dhe At Valentini u bë mbrojtës vet’…
Në çifte të reja vendosi kurorë
Fshehtas, se gjurmohej egër, mizorisht.
U dënua me vdekje, një ditë ra theror
E Mbeti emblemë në emër dashurish…
M’u rrëfye Ati butesor dhe i zbehtë;
Pse iu përkushtua veçse kryendjenjës…
Veçse dashuria jetës i jep jetë
Veçse dashuria mban çelsat e zemrës.
Si u përshëndetëm… një tufë pëllumbash
Me gugatje erdhën dhe me bardhësi,
Më sollën fllad malesh, sollën blerim fushash
Ç’mëngjes pranveror ai mëngjes i ri.
Një mëngjes që shtigje çel për dashuritë
Pasi zbut dhe motin, lumturon gjithfarë.
I gufmon mimozat, mbi lule derdh dritë.
Ndez adoleshencë , rini e moshëbardhë…!
Më qofsh i bekuar, martir Valentin!
Me ardhjen tënde shporr ëndrrat mizore
Më ardhsh Ti i prushtë në çdo ëndërrim
Më sill dhe lirika, “Kumte dashurore”…!
Jorgo S. TELO
Shkurt, 2011
Disa shpjegime:
*Kupidi = Perëndi e dashurisë
**Erosi = muza e dashurisë
**Alkiona, Kiki = simbolizojnë fuqinë e dashurisë. Për dashurinë e madhe për njëri – tjetrin u dënuan nga një hyjni, duke u shndërruar në mjellma; ndaj jemi mësuar t’i shohim mjellmat e bardha dy nga dy lumenjve e liqeneve…
1)Kaliopi = muza e këngës
2)Afërdita ose Venera = muza e bukurisë
Comments