NË ÇAMËRI KANË LULËZUAR BAJAMET


    Resmi Osmani

    Skicë


    Fundshkurti. Në Tiranë kanë lulzuar mimozat, kurorat e tyre janë mbuluar me vellon e artë. Në brigjet e Çamërisë, Joni hukat brigjet me frymën erëngrohtë. Natyra zgjohet nga letargjia dimrore dhe si një befasi kanë çelur bajamet. Janë mijëra. Bardhësi parajsore, flamurë lajmës të festës pranverore që po troket. Bukuri përrallore, nën kupën e rimtë të qiellit, nën synë e ndritur të diellit.

    Në Mazrek, mbi kodër, shtëpia ime e rrënuar, e djegur e perveluar, murana dhe gur mbi gur, gri nga myshku I kohës jeshiluar, oborri nga ferrat e bari mbuluar. Avllia e vidhisur, me portë të kalbur e shkallmuar. Gjurmë barbarie. Shkretim e shkrumbim, braktisje e shurdhëri, trishtim për jetën e munguar.

    Aty në oborr janë bajamet, pemë të bukura e të dashura dhe ca rrënjë ullinj stërgjyshorë, të lashtë e të shënjtëruar.Sëpata e përgjakur që shoi jetë dhe ura e zjarit që ndezi flakët, i kursyen ato. Lulëzojnë për çdo stinë.

    Kanë lulëzuar edhe sivjet. Kanë mall bajamet.Më kot presin që të shkojnë e ti gëzojnë sytë e atyre që i kanë mbjellë. Ata treten nën dhe, me nga një plagë plumbi apo goditje hanxhari. Të tjerët, të lemerisur, nga llahtaria e jetëve të shuara, e gjakut që derdhej lumë morën arratinë duke mërmëritur siç shkroi poeti: ”Lamtumirë Çamëri”[1].

    Mbetët të vetmuara, të braktisura. Fluturojnë mbi ju bletet, fluturat e bardha, që s’janë tjetër veç shpirtëra, vijnë e u thonë fjalë të përmalluara. Më kot ne vegimin e bardhë më presin tu shfaqem unë , që luaja e ngazëllehesha nën kurorën e tyre. Paçka se i thinjur , me lulet e bardha të pleqërisë mbi krye, me nje dëshirë përvëluese, do të doja të isha aty, në atë oborr, që sido i shkretë është vendlindja ime! Të merrja një gur nga themeli I shtëpise, një grusht dhe të shënjtëruar.

    Në këtë Europë të kombeve dhe kohë të globalizmit, mund të shkoj gjithandej si qytetar i lirë, por jo aty, në Çamërinë time! Krahinë e ndaluar e tokës shqiptare. Nuk mund ta shkel dheun e saj të ëmbël, nuk mund të vë lule në varret e të parëve të mi, tu them një lutje që të prehen në paqe. Syve të mi nuk u mundësohet të shohin festivalin e lulebajameve, frymëmarrjes sime nuk i lejohet të nginjet me ermirimin e luleve, ngaqë në pasaportë shkruhet që kam lindur aty në Çamëri, në vendin e gabuar!Por a mund ta zgjedhë njeriu vendlindjen?. Për shtetin fqinj kjo është si të qe blasfemi!

    Ne të përmalluarite të brengosurit, jemi të dënuar të vuajmë nga përmallimi ynë, mos qoftë e thënë gjer në ditën e mbrame kur përjetësisht të mbyllim sytë!

    O lulebajamet e Çamërisë! Që më shfaqeni në ëndërr, gëzim për sytë, brengë për zemrën, kujtesë e shpresë për mendjen, amanet për brezat.

    Tiranë, 18 shkurt 2015

    LULEBAJAMET

    Bukuri qiellore, pikuar nga yjet

    Zbritën edhe këtë pranverë,

    Mbi degët e përhinjta të bajameve të moçme

    Si brerim i një ëndërre të bardhë

    Lulebajamet!

    Mbi qilimin e blertë, të tokës mbetur shkretë,

    Nën qiellin e rimtë dritëar,

    Vello nusërie,

    Diademë diamantesh rrezëllitës,

    Mbi ballin fisnik e të pëergjakur të Çamrisë martire.

    Lulëzojnë si përvit me permallimin

    Për ata që i mbollën,

    Me përlotje petalesh mbi varret,

    Për ata që nuk do t’i shohin.

    O lulebajamet e Çamërisë!

    Që na trazoni gjumin,

    Fanepseni ëndërrave si mirazh i bardhë,

    Gëzim për sytë,

    Brengë për zemrën

    Kujtesë e shpresë për mendjen,

    Amanet për brezat!

    Tiranë, 18 shkurt 2015

    1. [1] Bilal Xhaferri, “Baladë çame”

    35 views1 comment

    Shkrimet e fundit