top of page

Myrvete & Begzad Baliu: FUNDI I NJË DINOZAURI DHE HAKMARRJA E UJKUT TË ÇALË



Recension: Myrvete & Begzad Baliu


Meriman Braha, Pushtuesit që vijnë si “çlirimtarë”, roman 2024,


Meriman Braha është shkrimtar, i cili në krahasim me krijuesit e brezit të tij, në letrat shqipe ka hyrë vonë, për të mos thënë nëpër derën e vogël. Bir i një familjeje atdhetare, që fati i jetës e ka sfiduar shumë brenda hapësirës kombëtare, ballkanike dhe evropiane; pjesëtar i një familjeje, që zhvillimet politike e kanë përmbysur nga njëri burg në tjetrin, nga njëra Lëvizje ilegale në tjetrën. Prandaj, ai më parë se sa të shkruante dhe të botonte veprat e tij historiko-letrare, gjuhën dhe letërsinë kombëtare në misionin e tij prej mësimdhënësi i ka bërë ideal të brezit të ri, synim largvajtës të bashkimit kombëtar.

Vepra më e re e tij është romani Pushtuesit që vijnë si “çlirimtarë”, me të cilën ai synon të ndërtojë korpusin historik e letrar të përvojës së tij jetësore individuale, familjare dhe kolektive të popullit të tij. Nëse në veprën e tij të mëhershme Goli Otoku – histori e trishtë e një krimi shtetëror jugosllav, ai del dëshmitar i përvojës së tij individuale, ndërsa në veprën tjetër Vorbullat ai bëhet dëshmitar i përvojës personale të familjes së internuar në viset anësore të ish-Jugosllavisë, në veprën e radhës Pushtuesit që vijnë si “çlirimtarë”, ai shfaqet dëshmitar i popullit të tij në një kthesë të madhe të historisë, - fundit të Perandorisë Osmane dhe pushtimit nga Serbia.

Prandaj, nuk është e rastit që në dy veprat e para, rrafshet ndërmjet fiksionit dhe dokumentit nuk janë shumë të dukshme, pavarësisht rrëfimit në vetën e parë apo të tretë, ndërsa në veprën e radhës këto rrëfime funksionojnë më të ndara dhe më të dukshme, qoftë kur ato shfaqen brenda një kapitulli, qoftë kur ato rifunksionalizohen nga njëri kapitull në tjetrin. Si të këtilla funksionojnë në mënyrë komplementare edhe kronikat historike, fragmentet e gazetave apo veprave të autorëve të caktuar, fragmentet historike të kujtesës popullore etj., të cilat këtu janë vendosur në krye të secilit kapitull.

Vepra hapet me disa krerë mbi gjendjen e Perandorisë Osmane (“Të sëmurit të Bosforit”) dhe përgatitjen e shteteve europiane, për përmbylljen ushtarake, ekonomike e politike të fundit të saj; krijimin e raporteve të reja në Ballkan dhe synimet e fqinjëve për ndarjen e trojeve shqiptare si një dhuratë e fundit nga Perandoria Osmane; për të vazhduar më dendur me zhvillimin e ngjarjeve nga shtatori i vitit 1912 deri më 18 nëntor 1912, kur ushtria serbe përjeton disfatën e fundit në gërxhet e Lumës.

Në këtë roman, sa artistik aq edhe dokumentar, autori rrëfimin e hap si histori (ndonjëherë edhe si histori orale), e vazhdon si kronikë (qoftë edhe familjare a krahinore) dhe e përmbyllë si tekst artistik. Shpesh ky organizim shfaqet brenda një kapitulli dhe po kaq herë nga njëri kapitulli në tjetrin. Në rastin e parë, historia, përkatësisht ligjërimi shfaqet si rrëfim i dokumentuar edhe me tekste të shkruara të autoriteteve me përvoja globale (Durham, Freundlich, Trock), të cilat më tej përplotësohen me rrëfime narratoriale; ndërsa në rastin e dytë, shfaqet kujtesa popullore, e gërshetuar kur e kur edhe me përbërës të dialogut ndërmjet personazheve historike dhe atyre fiksionale.

Prej të dhënave dokumentare, nuk është vështirë të vërehet se autori ka njohje të thellë të literaturës serbe, duke përfshirë këtu edhe literaturën ushtarake, ndërsa në anën tjetër ka edhe njohje të gjithanshme të literaturës ushtarake-politike të proveniencës osmane dhe të traditës popullore shqiptare, e cila shfaqet sa në kontekstin historik po aq edhe në artin letrar. Nuk është e rastit që në këtë vepër shkrimtari Meriman Braha sjell jo vetëm emra historikë të bardëve të politikës serbe e osmane, po edhe emra realë të strukturave ushtarake e fetare serbe të kohës. Ai me saktësi prej kronisti, sjell strukturën ushtarake të ushtrisë serbe, krimet e tyre nga njëri regjion i Kosovës në tjetrin dhe nga njëri qytet në tjetrin, me theks të veçantë Prizrenin me rrethinë. Një aneks të veçantë zë paraqitja e atmosferës së rrethimit të Shkodrës, si një akt i madh i krimeve të ‘sivëllezërve’ serbo-malazez nga Mali i Zi.

Po kështu mund të thuhet edhe për njohjen dhe paraqitjen e tribunëve shqiptarë të kësaj kohe, si dhe mënyrën e organizimit të rezistencës së tyre antiserbe, aktet e të cilëve, ndryshe nga paraqitja e komandantëve serbë, shoqërohen edhe me përbërës artistikë të ligjërimeve të tyre popullore. Nëse në zhvillimet brenda kampit serb, bartësit e tyre tipizohen edhe me gjuhën kur e kur vulgare, brenda lëvizjes shqiptare shquhet atmosfera epike e ambientit dhe përshkrimet lirike të komunikimit. Po të margjinalizojmë disa fragmente nga luftimet në Merdar, Carralevë dhe Lumë, ligjërimi që e shoqëron gjithë veprën është përgjithësisht lirik, po jo edhe emocionalish i sforcuar.

Prandaj, le të thuhet se, romanet si këto të shkrimtarit Meriman Braha e kanë traditën e tyre në letrat shqipe, që nga viteve ’30 e këndej. Ato kulmuan me veprat e Sabri Godos, Sylejman Krasniqit, Skënder Drinit, Petro Markos etj. Shkrimtari Meriman Braha, viteve të fundit po e risjellë një frymë të re në këtë diskurs të ligjërimit dokumentar e artistik për fatet individuale e kolektive të popullit tonë gjatë shekullit XX. Në kontekstin historiko-letrar ai po e ndërton formatin e tij vetanak historik, dokumentar e artistik në linjën e shkrimtarëve Skënder Drini (për Shkodrën) dhe Sylejman Krasniqi (për Kosovën), si dhe me veçantitë autoriale të rrëfimit për gjendjen tragjike të popullit shqiptar nën thundrën turke, serbe e malazeze të kësaj kohe.

Romani i shkrimtarit Meriman Braha Pushtuesit që vijnë si “çlirimtarë”, si rrallë ndonjë vepër tjetër sjell dramën e madhe të fundit të dinosaurit shekullor osman dhe hakmarrjen e ujkut të çalë serb mbi shqiptarët.

Prishtinë, 4 shtator 2024

12 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page