top of page

MUZIKA KLASIKE - SHPREHJA MË ELOKUENTE E QYTETËRIMIT


SHPENDI TOPOLLAJ







(MEDITIME RRETH LIBRIT “OPERISTIKA” TË ZAMIR KËLLIÇIT)



Isha fare i ri, kur mrekullohesha nga e folura e rrjedhëshme dhe elokuente e Gjylizare Çiços, mësueses time të shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” që duke na shpjeguar mitologjinë, na tregonte se Orfeu, me tingujt e lirës së tij të dhuruar nga Apoloni dhe me zërin e ëmbël, qetësonte kafshët e egra, madje dhe vetë Cerberin, përbindëshin me tri kokë, e gjithashtu, i bënte edhe pemët që të përkuleshin dhe gurët të lëviznin nga vendi. Pastaj vazhdonte të rrëfente sesi ai me melodi aq të bukura, kishte arritur të mallëngjente edhe Hadin, perëndinë më të urryer, i cili u detyrua që ta lejonte të merrte nga mbretëria e nëntokës, gruan e tij, nimfën Euridika. Më kishte mbetur ndër mend edhe koka e tij e prerë që e hedhur në lumin Ebro, teksa qëndronte mbi valë, vazhdonte të këndonte.

Në atë shkollë, veç të tjerash, bëhej edhe një punë e pabesueshme për të na rrënjosur dëshirën dhe dashurinë për këngën. Na i mësonin ato këngë rreshtore, popullore, të muzikës së lehtë dhe na bënin prova në kor. Atje ruhej me fanatizëm një traditë që e kishte krijuar mjeshtri i palodhur, artisti i merituar, Milto Vako. Në raste festash vinin e jepnin koncerte këngëtarë të njohur si Vaçe Zela, Anida Take, Paulina Nikaj, Qemal Kërtusha, Luiza Papa, Naile Hoxha etj. dhe këngëtarë lirikë si Kristaq Paspali, Lluk Kaçi, Mentor Xhemali, Marie Kraja, Avni Mula, Nina Mula, Stavri Rafaeli, Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi, Xhoni Athanas, Hysen Pelingu etj.

Ne ndiqnim me shumë kënaqësi programet muzikore në radio, por kulmi ishte kur të organizuar, në rresht, të prirë nga banda, mes për mes rrugëve kryesore të Tiranës, shkonim në Opera. Aso kohe rreth tyre mësonim duke lexuar sa andej këndej, derisa u botuan dy libra mjaft tërheqës: “Mjeshtrat e monumenteve muzikore” hartuar nga Zana Shehu dhe “Kur dëgjojmë operën” të autorit Shaban Vani. Me këtë librin e fundit, kam dhe një histori që nuk e harroj. Si oficer që isha në një detyrë fare të rëndomtë, atje në një repart të largët, veç anës ushtarake, i vija shumë rëndësi dhe asaj që quhej kulturë masive, ku përfshihej edukimi dhe argëtimi i të rinjve ushtarë. Komisar i Korpusit ishte ish skënderbegasi Adem Meta, njeri mjaft i kulturuar dhe shpirtmadh. Një ditë ai kishte thirrur në një seminar gjithë komisarët vartës dhe përmendi edhe shembullin tim, duke u thënë se ai edhe pse i ndëshkuar rëndë nga Partia, përsëri punon aq mirë me veprimtaritë kulturore, sa ju duhet të mësoni nga puna e tij. Dikujt nuk i kishte pëlqyer kjo, dhe kishte shfaqur dyshime, gjë kjo që e detyroi Ademin të vendosë aty për aty që t`i hipte nëpër makina dhe ta mbanin vrapin në repartin tonë. Pikërisht atë mbasdite, kisha organizuar me ushtarët diskutimin e librit për operat. Pasi fola unë për përmbajtjen dhe vlerat e tij, diskutuan me radhë ushtarët që ishin përgatitur qysh më parë. Kjo veprimtari e thjeshtë la përshtypje mjaft të mirë tek ata që po dëgjonin, por përsëri, kur u bënë konkluzionet, një “vigjilent”, më i zellshëm se djalli, u ngrit e tha se këto gjëra nuk kanë seç i duhen ushtarëve tanë të cilët duhet të mësojnë në radhë të parë mësimet e shokut Enver. Bobo! thashë me vete – edhe kjo më duhej tani. Por Ademi, me urtësi, e mori fjalën dhe sqaroi se ai e kishte gabim që mendonte kështu, se ushtarët ishin njerëz e jo robotë, ata kishin botë të brendëshme, pra shpirt dhe kishin nevojë edhe për muzikën, edhe për pikturën edhe për baletin, edhe për poezinë, edhe për teatrin edhe për filmin edhe për... Jo më kot thuhej se ushtria ishte shkollë. Pas këtyre fjalëve, nuk pipëtiu kush dhe unë u qetësova.

Nga opera nuk u ndava asnjëherë, pasi vajza ime Eda, pasi kreu studimet në shkollën e mesme të muzikës në Durrës, vazhdoi Akademinë e Arteve të Bukura për Kanto dhe sot është soprano. Një herë, maestro Zhani Ciko, me atë mirësinë e tij karakteristike, më thirri në zyrë dhe m`u lut që të shkruaja diçka për 85 vjetorin e lindjes së tenorit të shquar e fatkeq Stavri Rafaeli. Do të të njoh - shtoi - me Zamir Këlliçin muzikologun tonë, i cili është përgjegjësi i Arkivit të TOB – it dhe do të të ndihmojë me materialet që të duhen për artikullin që do shkruash. Duke biseduar me Zamirin, si konstatova se ishte njeri me botë të madhe e kulturë të gjerë, i dhashë disa nga librat e mi. Ndofta i nxitur nga kjo edhe ai u ngrit, mori një libër të trashë të titulluar “Operistika” dhe ma dhuroi, duke më thënë se ishte një nga librat që ai kishte botuar. U gëzova dhe i premtova se do ta lexoja me shumë kënaqësi, madje dhe do të shkruaja për të.

Një ditë të bukur korriku, u ndodha me time shoqe në Milano. Im vëlla, Spartaku, konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në atë vend, ishte aq i zënë me punët dhe hallet e pambarim të shqiptarëve, sa nuk gjente kohën e duhur për të na shoqëruar në vizitat që do të bënim në atë qytet të madh. Por duke qënë e shkathët sa më s`bëhet dhe e papërtuar, Leta, e shoqja e tij, e kreu mësë miri këtë detyrë. Natyrisht që unë në radhë të parë doja të shihja Duomon me skulpturat e saj të panumërta, afreskun e famshëm të Leonardo da Vinçit “Darka e fundit” në kishën Santa Maria delle Grazie, ku ende Krishti sikur vazhdonte të thosh se “Unë e di mirë: njeri prej jush do të më tradhtojë”, dhe pa derman La Skalën. Kur u ndodha para operas më të famshme të botës, mes emocionesh të forta, sepse m`u kujtua shprehja e J. Keplerit se “... të gjitha harmonitë që i ndeshim në muzikë, gjenden në qiell” që Beethoveni e kishte plotësuar duke thënë se: “S`ka gjë më të bukur se sa t`i afrohesh hyjnisë dhe të shpërndash rrezet e tij mbi racën njerëzore”. Por dhe mbeta i shtangur nga kënaqësia dhe habia kur pashë se italianët ishin treguar deri në fund të zgjuar, duke mos ia ndryshuar aspak fasadën kësaj ndërtese me aq emër. Ajo, përballë monumentit madhështor dhe që të vë në mendime, të Leonardos, të duket aq e afërt dhe aq e dashur sa s`thuhet. Edhe pse asnjëherë nuk kisha qënë aty, përsëri nga filmat që kisha parë apo librat që kisha lexuar, më bëhej se vija në një vend me të cilin më lidhnin aq e aq ngjarje e kujtime. E duke hyrë branda saj, i shoqëruar edhe nga miku im i shtrenjtë, shkrimtari i talentuar Kujtim Hoxha që prej kohësh banon në Itali, sillja nëpër mend melodi, këngëtarë, kompozitorë, dirigjentë, histori të dhimbshme e të gëzuara, por dhe më dukej sikur shihja publikun entuziast që lumturohej kur gjente një biletë për të parë premierën e re. Teksa ecja atyre korridoreve, në veshë më buçisnin zërat e Karuzos në arien e Nadirit të Bizesë dhe B. Xhilit në rolin e Radamesit, ku thosh: “Celeste Aida, forma div...” Këtu kishte kënduar edhe një shqiptar i madh, arbëreshi Tito Skipa që me shumë të drejtë, dikush e ka quajtur gjymtyrë e “Trinitetit të shenjtë”. “Sentonel cuore certo dolore”, pra “Ndiej në zemër një farë dhembjeje”. Dhe pastaj vargjet e Eliotit nga “Toka e shkretë” të deklamuara ëmbël nga Kujtimi:

Një grua zgjoi flokët e zinj të gjatë e të përgjumur

Dhe luajti psherëtima melodish mbi ata tela.

S`më mbetej tjetër, veçse të thërrisja me sa zë kisha: Ave muzicus!

Në biseda me punonjësit e asaj opere, u ndieva mirë. Njohuritë që kisha për historinë e kësaj gjinie, i befasuan disi ata. Unë nga ana ime falenderoja me gjithë zemër Zamirin që duke bërë një punë aq të vështirë me “Operistika” e tij, më kishte dhënë mundësinë të nderohesha para kujtdo.

U takonte italianëve lavdia e muzikës operistike. Aty kjo gjini kishte lindur. Ishte Firencja e viteve 1600 që i kishte dhënë rrugë asaj, me shfaqjen e parë në pallatin Pitti, me pjesën me emrin kuptimplotë “Euridika”, për të vazhduar me K. Monteverdin që kompozoi më pas “Orfeu” dhe “Ariana”. Vetëtimthi më erdhën ndër mend kryeveprat e kompozitorëve të pavdekshëm: Xh. Rosini me “Berberi i Seviljes”, “Otello”, “Laraska vjedhacake”, V. Belini, nga Katania, me ato melodramat e tij, me “Norma”, “Puritanët”, “Somnambula”, “Kapuletët e Montekët”, G. Donixeti ( tek monumenti i të cilit shkova në Bergamo) me “Luçia e Lamermurit”, “Don Paskuale”, Xh. Verdi, me “Nabuko”, “Rigoleto”, “Trovatore”, “Aida”, “Traviata”, “Falstaff”, Xh. Puçini, me “Bohema”, “Madama Baterflaj”, “Toska”, R. Leonkavalo, me “Paliaçi”, P. Maskanji, me “Kavaleria Rustikana” etj. etj.

Por në librin e tij me më shumë se 500 faqe, Zamiri nuk qe ndalur vetëm tek opera italiane. Ai kishte përmbledhur si dhuratë në 55 vjetorin e krijimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, siç thotë vetë: “një numër të konsiderueshëm operash dhe operetash mbi 400, ku përfshihen pothuajse një pjesë e madhe e operistikës që përbëjnë fondin e artë të kësaj gjinie kaq demokratike siç është opera, që nga shekulli 17 të e deri në shekullin e 20 të”.

Të rreshtosh historikun, qoftë dhe shkurtimisht, e tërë rrugës që ka përshkuar opera në botë, natyrisht që është një punë mjaft e mundimshme. Duhet të rëmosh nëpër libra, albume, enciklopedi, arkiva, shkrime gazetash të kohës, internete, duhen konsultime e verifikime, etj. Dhe Zamiri, me durim e përkushtim disa vjeçar e ka arritur këtë. Madje, ai është treguar aq sistematik, sa e ka ilustruar librin edhe me tabela me të dhënat kryesore për kompozitorët, dirigjentët etj. veprat të tyre e kështu me radhë. Më tej, lexuesi shuan kurreshtjen, por edhe mëson historitë e atyre operave që i dëgjon në radio apo i sheh në televizor apo edhe në skenë. Se natyrisht që është akoma më bukur kur e di fatin e atij apo asaj që këndon një arie e cila kështu, jo vetëm që të depërton deri në thellësi të shpirtit, por edhe të bën të bashkohesh apo të lotosh së bashku me të, pra të marrësh pjesë në gëzimet e hidhërimet e heronjve. Opera ka meritën se ndofta të bën ta përjetosh më shumë se gjithshka tjetër, atë që një vepër artistike, kërkon të japë tek spektatori. Është e kuptueshme, se ajo i përket spektatorit elitar. Por dua të besoj, se në qoftë se do ndjekin operat, ata që e kanë lexuar librin e Z. Këlliçit, pa tjetër që do të bëhen në vazhdim, amatorë të apasionuar të saj. Çio Çiosani, Toska, Aida, Margerita G., Ludmilla, Kostanca, Xhulieta, Xhilda, Verencki, Lejlaja, Norma, Manon Lesko, Luçia, Nineta, Karmeni, Leonora, Tatiana, Rozina, Arleziane, Izota, Violeta, Amina e shumë të tjera, pasi ke mësuar fatin e tyre dhe pasi ke dëgjuar magjinë e muzikës të kompozitorëve të pavdekshëm, të bëhen shumë të pranishme dhe nuk të ndahen gjithë jetën. Shpesh ato, me qëndrimet e tyre edhe të frymëzojnë edhe të ngushëllojnë edhe të bëjnë që ta duash më shumë jetën edhe të mësojnë që të dish të përballosh situata të rënda, sado dramatike qofshin ato, por edhe të vënë në mendime. Zëri i këngëtareve me famë si Xhuzepina Streponi, Xhudita Pasta, Antoneta Pakoni, Çezira Ferrari, Klara Petrelo, Rozina Starkio, Fani Donateli, Hariklea Darkle, Edit Piaf, Mari Kallas e deri Tefta Tashko, Gjuzepina Kosturi, Marie Kraja e Inva Mula, të duken shumë të afërt e të dashur. Ariet e mrekullueshme të tyre, nuk të ndahen gjithë ditën. Kjo ngjet edhe me protagonistët kryesorë që nuk po i përmend, pasi shumica janë mëse të njohur, për atë publik që është i interesuar të lexojë këtë shkrim.

Kuptohet, se ndofta jo pak mundim i është dashur autorit të këtij libri, edhe kur ka punuar për pjesën që bën fjalë për zhvillimin e operistikës në vendin tonë. Fillimet e saj datojnë më 28 Nëntor 1953 ora 17.00 në skenën e ish teatrit kombëtar (atëhere teatri “Kosova”), kur u dha premiera e operës “Rusallka”, me libret e muzikë të Dargomizhskij (sipas poemës të A. Pushkinit), dirigjent, i paharruari Mustafa Krantja, mjeshtër kori K. Trako dhe balet maestër, Rusteva dhe Panajot Kanaçi. Ende ka nga ata spektatorët e parë që u bënë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje dhe që ruajnë në veshët e tyre tingujt magjepsës të këngëtarëve tanë të belkantos, J.Truja, H. Pelingu, Z. Berati, Gj. Kosturi, M. Kraja etj. Me vënien në skenë të operave të huaja apo të krijuara bukur nga kompozitorët tanë, si “Mrika” e P. Jakovës e në vazhdim me pjesë të autorëve të talentuar dhe aq njerëzorë si T. Harapi, T. Daia, Ç. Zadeja, N. Zoraqi, P. Dungu, B. Kongoli, K. Kono, K. Trako, V. Nova, K. Lara, E. Mara etj. madje edhe pse shpesh herë mundi i tyre shkonte dëm, për mangësi “ideo – artistike”, në Shqipëri u krijua me sukses të plotë, shkolla jonë e operës. Është tërësisht me vend, thënia e maestro Zhani Cikos se “Sot Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit është një institucion jo vetëm i majës së obeliskut të kulturës dhe artit kombëtar, por edhe një institucion që gëzon një respekt dhe dashuri të publikut të shumtë që e ndjek dhe e stimulon. Personalitete të vërteta të kulturës muzikore shqiptare kanë gjallëruar gjatë gjithë viteve të ekzistencës në dejet e tij”. Pas rikonstruksionit që po i bëhet, dua të besoj se artistët tanë do ta ngrenë, me talentin dhe përkushtimin e tyre, edhe më lart këtë obelisk.

Punën e tyre e vë në dukje me shumë dashamirësi Zamiri, muzikologu që kur bisedon me të për muzikën, të kujton vlerësimin e Niçes, se “ Jeta pa muzikë s`është veçse një gabim, një punë raskapitëse, një mërgim...”

Le ta lëmë në këtë mërgim kokën e prerë të Orfeut, atje në lumin Ebro dhe t`i gëzohemi tingujve të këngëve që ai përsërit çdo ditë dhe muzikës hyjnore të operave që Orfejt e tjerë krijuan pas tij.

23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page