
Tregim nga Kozma Gjergji
Berti merr me qira një apartament e pasi e lyen dhe kompleton sipas stilit të vet, sjell të dashurën me të cilën tashmë bashkëjeton. Asaj i duket se gjeti pikërisht atë folezën siç ja donte zemra.
-Dua të ndihesh si në ëndërr, - i thotë djaloshi me kënaqësi e krenari.
-S'ka sesi të mos ndihem ashtu, kur lumturia ka udhëheqës dashurinë, -ia kthen ajo me një ton të hareshëm. Dëshiron shumë t'i propozojë atij të gjejnë ndonjë mënyrë për të skalitur në hyrje të shtëpisë fjalët: " Këtu banon lumturia! ", por në çast ndërron mendje, se i duket naive, e panevojshme.
Mbushin gotat e i tokin bromp, duke uruar njëri-tjetrin. Pijnë. Artisti i flet gjatë për planet që do ta mbulojnë me lavdi e para dhe për lloj-lloj aktorë të famshëm të cilët rastësia i pati shndërruar në yje dhe bërë tepër të pasur.
-Duhet ta dish se dhe unë jam një nga ata… Nuk e beson? Më merr për të dehur?…
-E besoj që je i jashtëzakonshëm, -i gjegjet ajo e ndriçuar nga një dritë e brendshme që e kanë vetëm të dashuruarit. Dhe ndërsa i bën komplimente pyet veten e habitur se a mundet vërtet ai të zotëronte magjinë hipnotizuese të artit të aktrimit?! Mbase! Kushedi! Njeriu është enigmë e madhe.
Ditët e netët e prarura me lumturi kalojnë shpejt. Vajzës i ngjajnë me atë fluturimin e lirë e gazmor të zogjve për të pushtuar pafundësinë e qiejve, ashtu siç do të ndodhte dhe me shansin e madh të Bertit për të pushtuar majat e aktrimit.
Në kulmin e kësaj dalldie ndodh një ngjarje tronditëse që e ndryshon gjithçka. Djaloshit i vdes papritur nëna, duke i lënë trashëgim disa kursime të konsiderueshme dhe banesën, të cilën Berti e shet menjëherë. Me posedimin e kësaj pasurie ai tashmë ndihet dikushi e nis ta shikojë ndryshe gjithçka. Ndër gjërat më të para që bën është modelimi sa më modern i vetes, blerja e makinës së re, veshjeve të shtrenjta, orës, celularit, syzeve, telekamerës…
E gjen më se të drejtë që me këtë status e identitet tjetër të pretendoi më shumë në shoqëri. Zënë t'i hedhin valle gjithfarë dëshira çapkëne, duke e tërhequr të zhytet në mëkat e për në greminë. I pëlqen tepër të shndërrohet në njeri pa karakter, në një nga ata që ndjekin deri në fund të botës nepset më të çuditëshme e aventurat më interesante.
Shkon më shpesh tek miqtë transavanguardistë. Iu ofron hera-herë darkën gratis. Regjisorit Vinicio i financon një film me metrazh të shkurtër, duke marrë përsipër të luajë vet rolin kryesor. Poetit Ubaldo i dhuron një shishe vere dhjetë vjeçare të Bordosë.
Tani e tutje preferon të dalë në qytet vetëm e të kthehet në shtëpi gjithnjë e më vonë. Ka një ndjenjë bezdisëse që e gjen të dashurën duke e pritur dhe që ajo nuk ia jep mundësinë të grindet. Partneria e quan normale këtë ndryshim të sjelljes së tij. E arsyeton që dhe ai, si gjithë artistët, ka nevojë të merret edhe me vetveten, me mendimet e veta. Prandaj për mos ta shqetësuar as e pyet për vonesat apo t'i shfaq ndonjë mërzi për vetminë.
Në bisedat e Bertit zënë vend shpesh e më shpesh tregime për aventurat e dashuritë dhe divorcet e artistëve. I quan shumë të drejta e i justifikon me nevojat për liri shpirtërore më të madhe, për të zbuluar vazhdimisht gjëra të reja e interesante, për t'u arratisur nga monotonia e rutina asfiksuese e përditshmërisë.
Vajza i dëgjon pa kureshtje e kushtuar ndonjë rëndësi. Nuk dyshon fare për ç'qëllim ia tregon, gjersa më në fund ai i thotë drejtpërdrejt se, dhe atë e tundon dëshira për një udhëtim diku larg, për të qënë ca kohë vetëm, sepse largësia e vetmia japin frymëzime…
Meqenëse ende s'po vëren ndonjë kundërshtim avancon, duke shtuar krejt lehtësisht, se do ishte më mirë të ndaheshin…
Të ndaheshin?! Vajza drithërohet dhe mbetet shtangur si ato maskat memece e të habitura. Përballë tronditjes dhe ata syve të saj si të kaprolles të plagosur ai bën sikur tërhiqet.
-Ta dish sa vështirë e kam…, por të siguroj se do të mbetemi miq përherë…
Asaj i duket se djaloshi po luan dobët një pjesë absurde. S'di sesi t'i përgjigjet. Si ato vajzat e legjendave gjysëm-gjallë e gjysëm-vdekur ia kthen hutimthi e me zemër të çakërdisur:
-Si!?…. Kërkon të ikësh larg meje?!… Të ndahesh?!… Të më braktisësh?!… Të… Unë pa ty… Unë…
E mbyt ngashërimi e nuk e mbajnë këmbët. Në këtë situatë Berti si një fajtor i penduar e ndërron gjuhën, shtiret intim.
-Moj budallaqe e vogël! Ç'është kështu me ty?!… Përse e mer në mënyrë kaq tragjike një largim nga ana ime?! … Si gjithë artistët dhe unë… Më është e domosdoshme të jem vetëm… Për pak… Kuptomë…
Midis tyre ra një heshtje dramatike. Vajza s'po di ç'të bëj. Është gati të japë edhe atë që nuk e ka për të mos e humbur. E heton me shumë vëmendje si ta shikoj për herë të parë dhe zbulon me tronditje se s'është më ai i mëparshmi. Nuk e ka fare për gjë të ta shqyej e shkelmoi zemrën dhe të sillet me dashurinë si të jetë një lodër fëmijësh. Ajo habitet sesi kaq papritur, m'u përpara syve po i shkatërrohet lumturia e s'ka fuqi ta ndalojë. Mendimet i bëhen lesh e li. Përjeton torturë. Pyet veten: A është e mundur ta humb përgjithnjë?! Jo, s'është e mundur. S'është e mundur, por ja që është…
E tërë qënia e saj lutet: Mos e bëj këtë… Mos… Unë s'jetoj dot pa ty… Mirëpo Berti është si ai shkëmbi vigan i zhytur në det, që s'ndjen as përkëdheljet, as dënesën, as tërbimin e valëve.
-Qetësohu…. Do kalojë… Nuk jemi ne të parët…, -vijon ai me një pandjeshmëri mizore për ta bindur.
Brenda vajzës brof krejt papritur rrëmbimthi ulkonja e egërsuar. Ia flakëron me një pëllëmbë të fortë në faqe.
-I pabesë!… E bën tani që more… Nuk ta falë…
Artisti shtanget. Nuk e priste të tillë reagimi. S'guxon të vazhdojë më tej. Nis ta qetësojë.
-Eja, eja të shkojmë në shtëpi, -i thotë me përzemërsi.
-Nuk dua të shkoj në shtëpi, -gjëmon ajo protestonjëse.
Ai e vështron me sy të çakërritur dhe e pyet i shtirur :
-Po përse moj shpirt nuk do?!
-Nuk dua të shkoj në shtëpi, -përsërit ajo me një krenari të lënduar.
Kalojnë në heshtje një copë rrugë. Djaloshi i hedh dorën mbi qafë dhe dashurisht e pyet se ç'dëshiron të bëj për të. Ajo nuk i përgjigjet. Gjer tej larg muzgu kaltërosh zë shuhet dalngadalë i vrerosur.
Kozma Gjergji
Xing.
Kam patur në adoleshencë komshi një çift të dashuruan në luftë dhe të martuar fill pas saj. Me dy djemt e tyre shumë të mirë, isha shok. Në dhjetëvjetorin e çlirimit, burri që punonte sekretar në një institucion qëndror, ndjeu se bashkëshortja kishte disnivel arsimor. Ai kërkoi ndarjen. Titullari kur e mori vesh "I rekomandoi": ose mosndarjen, ose mbylljen e tij në psikiatri. Ai . . , "u shërua", por e pranoi këmbimin e postit qëndron në atë lokal.
Dashuria e vërtetë mbase I ngjet bimës që kërkon vaditjen. Ndryshe, ç'duhet të ngjasë me ne që po mbushim pesë dekada në çift? A e di ky myteber përgjimin e frymëmarrjes së bashkë- shortes që flë në krah se mo…
Dashuria e vertete eshte cmenduri! Mund te zgjas dy - tre muaj, dy - tre vjet, pastaj atrofizohet, humbet shenjterine dhe shnderrohet ne "Seks". Berti eshte thjesht nje pragmatist, bukur per idene e tregimit. Urime! Te perqafoj me mall. Myslimi.
P.S. Pse kaq shume te deshtuar ne tregimet tuaja?