(Aty ku pikëtakohen shqiptarët e tre shteteve)
Me nismën dhe këmbënguljen e Arben Ahmetit, mësues në Bresanë të Komunës së Sharrit (Dragashit), student masteri MN në UN Strugë, bashkë me vëllain tim Shpëtim Cami, Profesor në UN Strugë dhe Universitetin “ Marin Barleti” Tiranë bëmë një vizitë në këtë komunë të Kosovës dhe në Malet e Sharrit.
Kryetari i komunës Dr. Bexhet Xheladini dhe Prof. Shpëtim Cami, ekpert për çështjet e sigurisë dhe të pushtetit vendor në pritjen miqësore me këtë rast, shkëmbyen mendime dhe përvoja për një drejtim sa më të mirë dhe decentralizimin e këtij pushteti, për të qenë sa më afër njerëzve.
Drejtori i Drejtorisë Arsimore Selim Kryeziu, drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Liridona Misinaj shpalosën përvojën dhe problematikat e sektorëve të tyre.
Më pas bibliotekës së qytetit të Dragashit z. Shpëtim Cami i dhuroi 120 libra, 80 tituj, të letërsisë shqiptare, letërsisë së huaj, letërsisë për fëmijë, libra shkencorë, botime të UMB Tiranë dhe UN Strugë etj.
Dhuroi gjithashtu edhe disa botime vetjake, të vëllait dhe babait të tij. TV Opoja dhe Radio Sharri e pasqyruan këtë aktivitet.
Pjesa e dytë e programit dhe ajo më mbreslënësja ishte një vizitë te Guri i Zi, në Malet e Sharrit.
Për ata lexues që nuk i njohin ose i njohin pak Malet e Sharrit po tregoj shkurt për historinë dhe gjeografinë e tyre.
Bjeshkët e Sharrit shtrihen në juglindje të Kosovës afër Prizrenit. Ata formojnë maja dhe pjerrësi piramidale që ngjasojnë me thepat e sharrës, prandaj që në periudhën Ilire ata janë quajtur malet e Sharrit.
Që në lashtësi, për to ka shkruar Herodoti dhe shumë autorë të tjerë.
Ndër shekuj këto male kanë shërbyer si mure natyrore për mbrojtjen nga pushtuesit.
Me ardhjen e otomanëve në Ballkan, malet e Sharrit u quajtën çardag( ballkon natyror).
Edhe komuna thirret Komuna e Sharrit, por Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene e quajti këtë krahinë Dragash, kështu thirret edhe qyteti. Tanimë emri zyrtar i komunës është komuna e Dragashit, që është një komunë multietnike me 35 fshatra të komuniteteve shqiptare dhe gorane, ku shqiptarët përbëjnë shumicën, por që respektohen në maksimum të drejtat e njeriut.
…Udhëtojmë drejt Gurit të Zi, në krahun që bashkohet me bjeshkët e Tetovës. Përballë janë bjeshkët e Shishtavecit dhe më tej ato të Korabit. Në vargmalet e Sharrit ka një pikëtakim të tre shteteve. Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Këtu shqiptarët e këtyre tre shteteve flasin me gjuhën e nënës, flasin shqip. Por tanimë muret midis shqiptarve po shemben. Në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës shqiptarët nuk kontrollohen. Të ngjan se je në rrugën Kukës Tiranë apo Prizren Prishtinë.
Malet e Sharrit janë shpallur park kombëtar dhe janë nën kujdesin edhe të qeverisë edhe të komunës.
-Nuk kemi asnjë shqetësim nga banorët për dëmtimin e pyjeve, thotë drejtori i Parkut Kombëtar.
-Sopata paska humbur, i them me shaka Veton Halilit, drejtorit të kabinetit të kryetarit të komunës që na shoqëron në parkun kombëtar.
Në lokalin Bar-restorant në rrugën drejt bjeshkës dhe Gurit të Zi takojmë një grup ushtarakësh xhenjerë të FSK që po asistojnë në projektin e rrugës së re Prizren-Tetovë, rrugë që lidh shqiptarët që banojnë në tre shtete.
-Jemi në fazën e studimit të fizibilitetit të kësaj rruge, por kërkojmë që kjo rrugë nacionale e internacionale të bëhet sa më parë sepse do të shtojë burimet ekonomike të komunës, na thotë kryetari i komunës Dr. Bexhet Xheladini.
Arbeni që na shoqëron na tregon se në këtë park natyror ka një faunë shumë të
pasur. Këtu hasim ariun e murrëm, ujkun, rruqebullin, derrin e egër, kaprollin, dhinë e egër si dhe shpendët e pyllit, shqiponjën, thëllëzën, gjelin e egër, skifterin, bufin etj.
Këtu ka një bimësi të larmishme. Bjeshkët përveç barit ofrojnë boronicat, dredhëzat dhe dhjetra bimë medicinale që i mbledhin banorët dhe që i shesin për të plotësuar nevojat e tyre. Një tufë me boronicë të egra i marrim me vehte për Tiranë.
Në horizont duken dy shtëpiza turistike. Kanë filluar ndërtimet për turizëm, por me rregull dhe miratim të 14 institucioneve përkatëse.
Në çdo qershor bëhet një marshim i banorëve të komunës dhe të mbarë Kosovës për të nderuar malin dhe pasuritë e tij. Marshimi shkon deri në majën e Lubotenit (nga frëngjishtja, pamje e bukur) dhe te Pusi i Nikës, ku njerëzit shijojnë ujin e ftohtë akull. Në majë të këtij mali janë liqeni i zi dhe liqeni i Livadhit, në lartësinë 2173 metra mbi nivelin e detit, 230 metra i gjatë, 120 metra i gjërë dhe 7,3 metra i thellë, bukuri natyrore që nuk përshkruhen. Sikurse liqenet e Gramës në malin e Korabit edhe këto liqene janë akullnajore. Prej këtej rrjedhin të gjithë lumenjtë dhe përrenjtë e zonës.
Gjatë luftës , 1999, banorët e Dragashit ngjitën malin dhe shkuan te bjeshkët e Tetovës. Këtu u mikpritën nga shqiptarët e Maqedonisë.
Hedh sytë në këto male, nën qiellin blu dhe në lëndinën e blertë e bindesh se sa shumë nevojë ka njeriu për këto ngjyra e për këto mrekulli të natyrës. Mushkëritë nuk ngopen së thithuri ajrin e bjeshkës.
E lamë për në fund qenin e Sharrit, një qen që nuk haset në asnjë zonë tjetër, një qen i lashtë sa vetë malet e Sharrit.
Por Sharri nuk veçohet vetëm për këtë kafshë unike në llojin e vet, por për shumë mrekulli natyrore.
Vizitojeni Sharrin sepse do të vizitoni bukuritë shqiptare të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Nuk kanë asgjë më tepër Alpet e Zvicrës.
Përgatiti: Sakip Cami
Comentários