MOS MË PËRGJO KUR JAM NË GJUMË
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jun 27, 2020
- 1 min read

Mos më përgjo kur jam në gjumë,
Fryma ime i mban iso pyllit.
Por ti mërzitesh e kur një rrudhë,
Më gdhend kryqe mes ballit e gjer në cep të syrit.
Mos përgjo rrjedhën e lumit të fshehtë,
Dallgët e shpirtit pse m'i trazon?
Dashuritë nuk plaken në shtratin e vjetër,
Dashnorët s' frikohen kur shkrepëtin e gjëmon!...
Mos më prek me gishtat e trembur,
S’ është kjo nata e ëndrrës së keqe.
Thonjtë rriten e flokët mbeten pa krehur,
Edhe atje,ku s’të përkëdhel kush e as flet me vete.
Në gjumë të trazuar mos dëgjo ç’them,
Tempulli i dashurisë mban portën hapur.
Më mbaj për dore që unë mos bredh,
As me ndonjërën që sa ti më ka dashur.
2014
Comments