top of page

Mos ia thyej zemrën!


Denis Toçilla i njohur ndryshe si Demito u lind në vitin 2002 në fshatin Novosej të qytetit të Kukësit. Mësimet e para për dije, i mori në shkollën 9-të vjeçare “Beqir Hamza” në vendlindje, kurse shkollën e Mesme të Përgjithshme e kreu në fshatin Shishtavec. Vazhdon studimet e larta në Universitetin Politeknik të Tiranës, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Është autor i vëllimit poetik “Nëpër kohë”. Në bashkëpunim me tre poetë të tjerë, ka botuar librin me titull “Përtej maskave”. Vjen para lexuesit me librin e tij të radhës me titull “Padronët e lotëve”. Gjithashtu është redaktor i disa librave. Me dëshirën e madhe për të shkelur në shtigjet e pafundme të poezisë, Denisi ushqen ëndrrën për t'u bërë një poet dinjitoz në fushën e artit të letërsisë shqipe.

Një titull është pak Vendi nuk më mban, dua të largohem Ndoshta krejt i vetëm, ndoshta me të tjerë, Por s'di ku të vete, s'di nga të drejtohem Mbase ku s'ka fare njerëz të pavlerë. S'më bëhet të shkruaj më për dëshpërime, Sepse nëpër vena ndiej veç rebelim, Vallë them: Ku ka vdekur meritokracia? Që t'i lë mbi varr, një buqetë zhgënjim. Na është ndotur bota, kombi edhe fisi Njerëz të pangopur ka kudo mbi dhe, Mbase s'e kuptojnë që një ditë vjen fundi Ndaj u shfaqet smira gjerë mbi dekolte. Femrat tregojnë shalët dhe pjesët e tjera Se s'u mbeti tjetër çfarë t'i tregojnë botës, Drejtuar greminës hiç pa u menduar Me vrull e tërbim i kanë hipur rrotës. Meshkujt sigurisht shtuar janë ndër vite Një në dhjetë është burrë ah, sa keq o Zot, Mjekrat i kanë rritur të rinj dhe të vjetër, Mjekër ka dhe cjapi po burrë s'bëhet dot. Po treten të gjitha artet dhe virtytet Vlerën më të lartë sot e mban betoni, Eshtrat na u bënë më t'buta se mishi E zemrat e gjora, mbetje prej kartoni. Rënë sheshit tashmë ka edhe logjika Shfaqen telefonat si xhandarë çdo ditë, Shuhen njerëz plotë nga pakujdesia Që për t'u harruar teprojnë dhe dy ditë. Pastaj shajmë të tjerët gjithmonë pa arsye Kemi frikë shtëpinë mos na e merr kush, Ndjenjat na kanë vdekur, na u lidhën nyje Jemi bërë të gjithë lepuj me pellush. ©Demito 01:13 02.01.2023 Novosej, Kukës

Metropoli Dritarja qëndron gjysmë e hapur Ndërkohë në horizont ngrihet qyteti, Pallate, godina, shtëpiza të vogla Ndërtuar kështu metropol i këtij shteti… Një aksident ka ndodhur në autostradë Ca njerëz trotuarit kalojnë me të qetë, Ndërsa unë pyes po pse s’bëjnë diçka? Si duket askush s’do t’ia dijë në qytet. Dritaren e mbylla, por mendja më mbeti Te automjeti shtrembëruar në mur, Dhe them këta njerëz janë të pashpirtë Secili prej tyre n’kraharor ka një gur. …Policia rrethoi vendin e ngjarjes Në morg tha një mjek trupat t’i çojnë, Asfalti u bë kuq e zi si flamuri Ndërkohë moskokëçarës njerëzit kalojnë. 21:37 13.11.2021 Tiranë

Pas meje Pas meje do vijnë të tjerë të çmendur Do vijnë, po mbase jo rastësisht, Ndoshta do bëjnë ç’kam lënë pezull Ndoshta kot së koti, gabimisht! Pas meje njerëz do vijnë e do ikin, Por para tyre do largohem unë, Të tjerët me vepra që kënaqin shpirtin Ndërsa unë poet, krejtësisht i pa punë. Pas meje do vijnë frymorë të radhës Para tyre erdha unë po vetë, Një ditë isha më i riu i fshatit Një ditë do jem më i vjetri n'qytet. Pas meje do vijnë sa e sa të tjerë Me mua me turma të tjerë do largohen, Por unë si ata, të paktët, të rrallët Do jem nga ata që lehtë nuk harrohen. 00:33 09.07.2021 Tiranë

Mos ia thyej zemrën! Mos ia thyej zemrën, shpirtit që të deshi Mos e lëndo, sepse të shikon Zoti, Sepse më beso më shumë se mallkimet E më tmerrshëm se çdo gjë, vret loti! Mos ia thyej zemrën, njeriut të lënduar, Sepse nuk ta fal kurrë në botë të botëve, Mos ia ndot shpirtin, një shpirti të rrëzuar Stop! Mos i lëndoni padronët e lotëve! Mos ua thyej zemrën, njerëzve pa zemër! Që humbën gjatë jetës, arsyen dhe shpirtin, Mosni, se mallkimet e tyre prej të vrarësh S’të lënë t’shohësh dritë, të mbytin, të mbytin. Mos ua thyej zemrën, atyre që s’kanë zemër Atyre që zemër kishin e zemër s’u mbeti, Mosni, se hakmarrjet e tyre vrasin egër, Vrasin me shigjeta ndjenjash, prej vërteti.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page