Mos e fyeni Shkodrën z. Kryeministër!


Leon Lekaj

Dje kryeministri i vendit Edi Rama, në një përpjekje të dëshpërueme me bindë Shkodrën, qytetin i cili vuajti aq shumë prej njerëzve kriminelë, të afërt me atin e tij biologjik dhe atë shpirtnuer, deklaroi se:

“Shkodra ka mbetur peng e një idiotësie prej 30 vitesh”.

Shkodra!

Pra, simbas Ramës Shkodra duhet me votue atë dhe shpurën e tij, e cila përveç se mban mbi shpinën e vet dënimet, torturat, burgjet dhe vrasjet e bijve të saj ma të mirë, ka mbi vete edhe mashtrimin përdhunimin dhe vjedhjet ma të spektakolare që munden me ju ba një populli.

Nuk i mjaftuen zotit Rama, as 45 vitet e sundimit të etënve të tij, nën pushtetin ma obskurantist që ka njohë historia e një kombi, dhe as 17 vitet e tjera në ktë periudhë pseudodemokracie që ta shkatërrojë atë?

Shkodra ishte kryeqendra e Ballkanit zoti Rama, ishte qyteti ma europian i Shqipërisë, ma parë se përbindëshat e territ komunsit ta mbërthenin me thonjtë e tyre të infektuem.

Ishin një pjesë e madhe e bijve të atyneve që ti ke ingranue në shpurën tande, zoti Rama, ata të cilët qëlluen pa gjyqe mbi krijesa të pafajshme, “krimi” i vetëm i të cilëve ishte sepse nuk i pranonin idetë e kuqe.

Ishin ata, që shkatërruan observatorin e parë në Ballkan i cili ma s’ parit u ndërtue në Shkodër.

Ishin ata, që mbyllën njenën prej shkollave ma serioze e ma pro perëndimore të Shqipërisë, Kolegjin Saverian të Shkodrës.

Ishin ata që burgosën dhe shkatërruen njeriun e civilizuem perëndimor, për të gatue nji prej veprave ma të shëmtueme të tyne: “njeriu e ri”

Ishin ata, të cilët me metodat e tyne mesjetare vranë dhe burgosën klerikët, të cilët kanë ba gati 9 shekuj burg në kampet e shfarosjes, kundrejt 450 viteve studime në 24 universitetet ma prestigjioze të Europës.

Ishin…ishin...ishin.

Lista e djeshme asht e gjatë z. Kryeministër.

Sot janë shkodranët ata, të cilët vuajnë ma shumë se askush në vitet të udhëheqjes suaj. Ata janë ma të vorfën, ma të drobitun, ma të mashtruem, ma të zhgënjyem, ma të papunë, ma të braktisun, sepse e vetmja alternativë që ti ju dhe ishte braktisja e vendit. Ata janë ma të pasun vetëm në propagandën e 3-D ve të tua.

E sa për “gozhdën” që i diftoni shkodranëve, ma mirë do të ishte të tregoje si nji ekzemplar të rrallë “gozhdën” e baballarëve të tu. Sepse ishte ajo gozhdë e ngulun në shumë mendje, e cila përdhunisht thau trunin e nji kombi, ishte ajo gozhdë shtrembane dhe e ndryshkun, e cila ndali hovin e nji qyteti që ecte me hapa të mëdha drejt Europës, ishte ajo gozhdë e dhunshme, e cila edhe në kohën e krizës ma të thellë, atë të ekzistencës së saj, i bante shumë njerëz me besue se Shqipëria ishte “fanar ndriçues”

Mos e fyeni Shkodrën, z Rama

Mos ja çoni gishtin të rinjve të saj!

Zeroja juej dhe e njerzve që ju shoqnon mund të ishte FALJA, gja të cilën as ti, e as etërit e tu shpirtërorë nuk e banë asnjiherë.

Prandaj edhe Shkodra nuk do të jetë kurrë e jueja!


34 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif