
Në ëndra yllësitë ngjitim të dy, Pa shkallë, rrahim krahët në fluturim, Në rrugë nxiton, më le mua aty, Ku mbetet i hutuar shikimi im.
Nxis hapin, të ndjek të bëhem hija jote, Dhe hije mbetem, ti kokën nuk e kthen, I ankohem kësaj jete, kësaj bote, Imja pse s'bëhet gjithçka që më pëlqen?
Rrugicës kthen si një kotele nazike, Pa shpresë, kuturu, vi gjer te shtëpia, Çapitem më tej e më tej, po ti ike, Ç'këtkojnë në tejanë hapat e mia?
Sa shkoj në shtëpi, vrapoj për te pasqyra, ( Pa nuk e kam patur mike deri dje!), Shoh sytë plot jetë, më ndriçon fytyra, Dhe qesh e kthjellem si një qiell pa re.
Ç'po ndodh me djalin, u kthye pas në vite, Kur shpirti ndizej zjarr nga një kompliment? Terri i natës të bëhej rreze drite, Ka pakëz delir e Narçiz çdo student.
E nëpër muzgje, kur bota mjegullohej, Lodhja këmbët në rrugicë përsëri, Gjer zhgënjimi në thyerina coptohej, Merakun e zbonte mendimi i ri.
Sërish i veçuar, me natën vetmane, Gurgullojnë mendimet në errëti, Rrëshqasin tej, në pafundinën mjerane, Trazuar e yshtur nëpër kotësi.
Gjumi më rrëzon në ëndrra, fluturuar, Veç zgjuar më gjen shpesh agimi i ri, Stuhitë e shpirtit ty t'i kam dërguar... Pa nuk di ç'të them, mos është dashuri?
Pajtim Xhelo, Maj 1970, Tiranë
Harroi vjeshta
Vonoi vjeshta të rrëzonte gjethet, Dimrit lakuriq i vodhi kufi, Të frikura, pemët harruan ethet, Botës harliset një qershor i ri.
Luhaten gjethet në të trishtën valle, Presin ndarjen që do vi doemos, Erdhën në botë me derte, me halle, Të voglën jetë vjeshta ua sos.
Po vjesht' e njeriut pse nuk vonohet, Dhe dimrin ta rrëzojë në ultina? Në këngë pa zë ankthi të qetohet, Gjer të vinë bora dhe suferina.
Pse s'bien gjethet, pemët po ankohen, Nuk mund t'i mbajnë akoma mbi shpinë, Mos mosh' e tretë dheut i rëndohet, Dhe kësisoj na hedhin në pjerrinë?
Thinjur si zverdhen gjethet flokët tanë, Veç gjethet nuk po zverdhen këtë vit, Dhe ditët e dimrit larguar janë, Vjesht' e rinuar botën po çudit.
E nëse stinët dimrin do rrëzonin, Thyerinë në planetë të tjerë, Mosh' e tretë dhe gjethet do harronin, Që vdekje kishte patur ndonjëherë.
E bukur fundvjeshta, ngjyer flori, Veç këtë vit rrobat nuk po i vesh, Me qershorin, rënë në dashuri, Dimrit thinjosh me naze po i qesh.
Të bukur mantel paska veshur Toka, Zoti im, falja në përjetësi, Si kurorë lulesh vashës i shkoka, Vashës që do jetojë veç rini.
Nëpër degë gjethet janë harruar, Pa vjeshta, nga larg, dimrit po i qesh, Ai plak thinjosh kanos zemëruar, Pem' e moshën e tretë dot s'i zhvesh.
Pajtim Xhelo, 28 tetor 2019
Comments