MONUMENTI QË NA MUNGON: MËSUESIT TANË


Shefqet Meko

Në vigjilje të 7 Marsit Shqiptar ose Ditës së Mësuesve


MONUMENTI QË NA MUNGON: MËSUESIT TANË


-Mësuesët tanë kanë qënë dhe mbeten shkëlqim që nuk venitet, por asnjë monument kombëtar për t’i nderuar si shpëtimtarë të diturisë dhe ekzistencës shqiptare-


Harrojeni ideologjinë që ishte një detyrim kushtetues. Shikoni dritën që na sollën. Shikoni shembullin që dhanë. Shikoni përkushtshmërinë e pa shoqe që ata treguan ndaj çdo nxënësi, ndaj çdo brezi, ndaj çdo subjekti që na mësuan.. Mësuesit tanë, këta shembuj të mëdhenj të së shkuarës që sollën dritë kudo: dritë tek unë, dritë tek ty, dritë tek ai dhe dritë tek ajo...Mësuesit, plejada e dijes shqiptare. Plejada e dritës që nuk mund të shuhet kurrë.

Unë i dua mësuesit e mi. Unë i dua ata që më mësuan për herë të parë ABC-në, dhe pas saj, hap pas hapi, ditë pas dite unë pashë më shumë dirtë, më shumë shpresë, më shumë dëshirë për të jetuar. Ne shpesh kujtojmë mëkimin e nënave tona. Një instikt biologjik-ekzistencial që nuk duhet harruar gjithsesi dhe as anashkaluar. Kurrë. Por ndërsa çdo brez përjeton këtë mëkim jete, këtë moment ekzistecial, jo shumëkush përkujton mësuësit. Ata duhen kujtuar përditë mendoj unë. Ata nuk ishin as nënë as babë. Ishin krejt ndryshe: njerëz që përçonin dritë, njerëz që kishin pasion mësimin ndaj brezit të ri, vinin nga qyteti dhe na sollën nxënie dhe shpresë, libra dhe dëshira, nxitje dhe kurajo… Ata ishin mësues.

Ne të gjithë tashmë jemi rritur e kemi marrë rrugët që na dha fati, por për secilin nga ne plejada e mësuesve mbetet ai “Yll karvani” që nuk u zbehet kurrë. Në kujtimet e mia, ata vijnë si shkrepëtime idesh e shpesh më shfaqen në ëndrra në ato orë mësimi,ku vinim ta lagur, por bënim mësim, ku kishim ftohtë dhe një sobë me dru mezi tymoste, por ne tregonim detyrat e shtëpisë duke u dridhur, ata ishin me ne,mes tymit në klasë, ku mësimi ishte mësim, në ato ditë provimesh kur provimi ishte provim, në ato apele mëngjezi ku secili ishte zgjuar për të thënë “këtu”, në ato ditë që ikën për të na sjellë të sotmen.

Dikush mund të më quajë nostalgjik. Nuk ndihem i tillë, se të kujtosh të vërtetën nuk është nostalgji, por më quani si të doni. Unë respektoj atë që mendon si unkë. Jemi të lirë.. Tjetri do më thotë “Boll më kohët e errëta të diktaturës”, unë e dëgjoj me vëmendje, ndërsa dikë që mund të shpërthejë në sulm, urretje, helmatisje dhe sharje për mësuesit,nuk do kisha dëshirë ta dëgjoja, sepse mësuesit e djeshëm janë gjëja më e mirë që kemi pasur. Mësuesit e djeshëm janë ata që mbollën tek ne etjen për të ditur,etjen për të jetuar, etjen për të mos u dorëzuar. Dhe në fakt ne nuk u dorëzuam. Ne, që të gjithë kemi pasur nga një mësues, ne që të gjithë veçonim mes tyre “idhujt” tanë, ne nuk pështymë, nuk vollëm, nuk anatemuam “si plaka fashti”, por u përpoqëm të shikonim përpara...siç ngrinin zërin rilindasit tanë se “dritë e diturisë përpara do na shpjerë…” Brezi ynë që jetoi tre kohë, në dy shekuj dhe u shpërnda nëpër kontinente, kthen kokën pas dhe nuk kujton parrullat e kohës, por mësuesit e atëhershëm… Ata sikur na sollën kohën që jetojmë. Ata ishin ndryshe...Pa dritën që na falën mësuesit ne nuk do kishim guximin të protesonim dhe të rrëzonim një sistem që na mori peng ëndrrat dhe energjitë. Ishte në fakt dritëza që na dhanë mësuesit për të parë më qartë, më mirë, më guzimshëm...

Këto radhë do të dëshiroja të ishin radhë të skalitura vetëm për Mësuesit! Vjen 7 marsi, dhe shumica nxitohen të kujtojnë, kërkojnë një tufë lule në imagjinatë dhe shpesh nuk dinë në cilën adresë ta çojnë...Shumë nga mësuesit tanë tashmë nuk kanë adresë, nuk kanë telefon, nuk flasin dhe nuk dëgjojnë… Ata i takon vetëm shpejtësia e dritës,ndërsa ne,në këtë kohë pandemie, jemi mbyllur brenda, flasim me vete, dërgojmë lloj lloj mesazhesh dixhitale,flasim përçart, çoroditemi nga politika, shohim njëri tjetrin në kutiçka të xhamta, dhe mjerisht ndihemi të mëdhenj, të famshëm, të mençur dhe të pakrahasueshëm...E vijmë vërdallë rreth vetes,harrojmë se të tjerët kanë nevojë për ne, siç kurrë nuk vepruan mësuesit tanë. Në shi e në erë, në borë e ngricë, në vapë e zagushi ata na erdhën për të mësuar, dhe kurrë nuk kërkuan më shumë se të rriteshim të ditur e të mençur…

Ata konstruktuan shpirtin dhe të ardhmen tonë. E di, do t’i suleni me “thika helmi” kësaj fraze, por le të mbaroj. Po shkruaj për mësesit. Mësuesit-të vetmit që nuk kanë një monument mirënjohje, sepse shpesh në ish-nxënësit harrojmë fuqinë çudibërëse të mirënjohjes si një institucion i ekzistenzës së individit. Ndaj në këtë prag 7 Marsi 2021, mendimet e mia vijnë vërdallë rreth mësuesve, njerëzve të mirë që nuk u dorëzuan kurrë ndaj paditurisë sonë fëminore. Nuk dua të përmend emra, sepse kjo do ta coptonte këtë proze poetike për mësuesit.Le t’i shohim dhe nderojmë të gjithë si një monument gjigand në memorjen tonë, sepse, ajo që i mungon brezit të mësuesve është pikërisht një monument i tillë. Ata kurrë nuk kërkuan një gjë të tillë, por duket se koha ua bëri të merituar. Në këtë afrim të ditës së mësuesit, politika vrapon të bëjë deklarata dhe të sulen tek “Mësonjtorja e Korçës”, nuk bëjnë keq që kryejnë ritualin vjetor, por harrojnë atë plejadë të tërë mësuesish që realisht në dekada trupëzuan dhe bënë realitet atë që rilindasit ëndërronin: gjuhën dhe mësimin si pjesë qëndrese të kombit. Politika dhe pushtetmbajtëst vrapojnë për në Korçë si hipokritë dhe demagogë, dhe harrojnë ata që ende janë gjallë dhe nuk pinë dot kafen e mëngjezit me pensionin qeveritar… Ata, ta palodhurit që na mësuan, ata të pasionuarit që kanë mbetur, të vetëm, të harruar, të shpërfillur, sikur duan të dëgjojnë diçka të kuptimtë nga ekranet e shumta, por janë po ato fytyra dhe thonë po ato gjëra që dëshirojnë ….Llafe llafe dhe asnjë monument gjigand për mësuesit. Hiç. Llafe vetëm. Sa keq. Çfarë mospërfillje tinzare për mësuesit, njerëzit e mirë që pakësohen dita ditës… Një monument thjeshtë “Mësuesi i panjohur” i duhet atij vendi në çdo qytet.Koha sikur qan për diçka të tillë, anonime por madhështore...

Mësuesit tanë-Monumenti që i mungon Shqipërisë.


Shefqet Meko

Minneapolis, SHBA


Mars 2021

21 views0 comments

Shkrimet e fundit