
…E lehtë dhe e butë si fllad prilli vjen mesnata ime E dashur dhe e vrullshme si puthja e gruas në ëndërrimet e mesnatës...
E ankthshme dhe e frikshme si drithërima e gjimnazistes afrohet mesnata ime…
E errët. E patingullt. E frikshme, por unë e dua. E dashuroj. E përqafoj. Më sjell atë që më mungon. Botën time.. Ëndrrën time. Imazhin tim me të cilin bisedoj, si me askënd tjetër. Mesnata ime. Unë përhumb në misterin e saj. Largoj gjithcka nga vetja. Bëhem njësh me të. Nuk mendoj për asgjë. Jam e lirë.
Mirë se vjen mesnata ime, o Qiell i yjësuar mirë se vjen, me padurim të pres si një e dashuruar e grindur me veten si tufan i tërbuar...
Ti, mesnata ime, e urryer nga shumë njerëz. Ti je drita ime. Ti je më shumë se drita e ditës. Ti je ylli i dëshirave të mia. Ti je magjia e ndjenjave të mia. Ti je fshehtësia e mendimeve të mia. Dhurata e puthjeve të mia. Ti, si meteor i zjarrtë që shkëlqen në harkimin elegant, më mbush shpirtin. Më trondit zemrën. Dhe ashtu e dashuruar pas teje unë vrapoj drejt vargut tim të brishtë.
Mesnata ime. Imagjinata e imazheve të mia. Le të jenë ato ashtu pa lidhje logjike. Unë e gjej veten në kujtim të një vendi... Ndjej ende aromën e një parfumi. Dëgjoj akoma drithërimën e një zëri... Edhe nëse e gjitha kjo nuk egziston, edhe nëse e gjitha kjo është mjaft larg, për mua ajo është kaq reale... Unë e ndjej...
Ti, mesnata ime, sa shumë ëndrra më sjell. Le të mos i kuptoj ato. Le të ndërthuren ato diku mes mendjes e zemrës.
Dua që mesnata ime të mos mbarojë kurrë. Dita më duket shumë e gjatë. Tejet e gjatë, sa askush nuk do ta besonte se egziston një e tillë. Kjo më frikëson. Më duket se do ta humb. Ndaj çdo mesnatë e quaj si të jetë e fundit. E përjetoj në maksimum. E nesërmja për mua është diçka e pazëshme... Agu apo errësira e mesnatës?
Ndrydhjeve, thinjave, territ, perëndimit, fletëve të verdha, vyshkjeve, shkretëtirave, vajeve, klithmave, vdekjeve, varreve, zhgënjimeve, lotëve, dhembjeve, jeta imë e ëndërrtë shpërndan dashuri për të gjithë njerëzit. E unë dehem me një kupë metaforash në terrin e mistershëm…
Mesnata ime! Në këtë kohë të pakohë, kur, fatkeqësisht, mbi gërmadhat e të njerëzishmes po i ngre ngadalë e pahetueshëm muret përditshmnëria çorientuese dhe po rëndon me krejt peshën e vet mospërfillëse mbi vlerat shpirtërore, zëri yt melankolik më vjen si një fllad maji, si një shkëndijë gjurmëlënëse, njëkohësisht, që vadit ëndrrat e mia për të mos vdekur diku xhunglave të harresës.
Nëse beson tek errësira, ky është shkaku i dritës. Nëse beson tek gëzimi, ky është shkaku i hidhërimit. Unë shikoj brenda zemrës sime, unë shoh brenda shpirtit tim.
Oh, sa më mundon zhurmnaja e ditës. Shumë e duan. Unë jo. Unë kam zgjedhur mesnatën. Oh, ç’është mesnata... E zhytur në ankthin e ëndrrës së mesnatës, që përpëlitet diku labirinteve të thella të errësirës, rrugëtoj andej nga duhet të jetë drita, si një Krisht i kohëve tona, gjithherë me ndjenjën e vetëflijimit në shpirt, për t’i shpëtuar të gjithë ata që përherë e më shumë po i përpin terri shpirtëror, ndonëse jam plotësisht e vetëdijshme se kjo rrugë nuk është aspak e lehtë.
Natën e mire o terri im. Mos me pyet ç'bëj në këtë mesnatë heshtjeje.
Me errësirën time në krah sonte udhëtoj në botën time ëndërrimtare. Të premtoj se do të kthehem… ~Hana~