Mitologjia, aset i çmuar i qytetërimit perëndimor


Nga Gladiola Jorbus


Mitologjia greke ka pasur një ndikim të gjerë në kulturë, art dhe letërsi. Ajo konsiderohet një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të qytetërimit perëndimor.

Mitet greke përpiqen të shpjegojnë origjinën e botës dhe të detajojnë jetën dhe aventurat e një shumëllojshmërie perëndish, heronjsh dhe krijesash të tjera mitologjike. Këto histori u përhapën fillimisht në një traditë poetike gojore, megjithëse sot, mitet njihen kryesisht falë letërsisë greke.

Burimet më të lashta të njohura letrare, poezitë epike të veprave ‘Iliada’ dhe ‘Odisea’ përqendrohen në ngjarjet që gëlojnë gjatë Luftës së Trojës. Dy poemat e bashkëkohësit të afërt të Homerit, Hesiodit, ‘Teogonia’ e ‘Punë dhe ditë’, përmbajnë të dhëna rreth gjenezës së botës, trashëgimisë së sundimtarëve hyjnorë, kohërave, origjinës së tragjedive njerëzore dhe zakoneve të flijimit.

Mitet u ruajtën edhe në himnet homerike, në fragmente të poezisë epike nga cikli Trojan, në poezi lirike, në veprat e dramaturgëve të shekullit V p.K., në shkrimet e studiuesve dhe poetëve të periudhës helenistike dhe në tekste të kohës së Perandorisë Romake nga autorë të tillë si Plutarku e Pausanias. Mitologjia greke formohet nga një grup legjendash që vijnë nga feja e këtij civilizimi antik të Mesdheut Lindor. Grekët, megjithëse nuk praktikonin fenë, i dinin këto histori, të cilat ishin pjesë e trashëgimisë së tyre kulturore.

Perënditë e Panteonit grek mishëroheshin nga figura njerëzore dhe personifikonin forcat e Universit; ashtu si dhe njerëzit, perënditë helene ishin të paparashikueshëm. Ndonjëherë ata tregoheshin rreptësisht të drejtë, kurse herë të tjera mizorë e hakmarrës. Përkrahja e tyre fitohej me sakrifica dhe devotshmëri, por këto veprime nuk ishin gjithmonë efektive, pasi perënditë ishin të paqëndrueshëm.

Mitologjia Greke është absolutisht komplekse, plot zota, përbindësha dhe luftëra. Disa studiues pretendojnë se janë shfaqur rreth 30,000 hyjni në gojëdhënat e rrëfimet mitologjike.

Njohja me mitet e mëdha të antikitetit klasik është po aq thelbësore për nivelin kulturor të një njeriu, sa mund të jetë njohja e fakteve historike, shkencore, sportive, teknologjike etj. E si mund të mos njohësh legjendën e Prometeut, mollën e sherrit, Helenën e bukur, fajin dhe shpagimin e Edipit, pasionin ekstrem të Fedrës, bëmat heroike të Herakliut apo aventurat fanastike të Odisesë?!

Konfigurimi i Panteonit:

Qielli: Urani, Zeus, Hera, Helios, Selena, Iris, Eola dhe Eos (Agimi).

Uji: Poseidon, Amfitrit, Triton, Sirenë, Nereidat, Oqeani.

Toka: Gjea, Rea, Sibel (Nëna e Madhe).

Fushat, pyjet dhe kopshtet: Demetra, Kloris, Nimfat, Aristeus, Pani dhe Satirët.

Bota e errësirës: Hadi, Persefoni, Gorgona, Hekata, Nyx dhe Hypnos (Gjumi).


Koha dhe fati

Koha: Orët dhe Kronos.

Fati, drejtësia dhe shpërblimi: Nemesis, Moirat, Thémis, Thanatos.


Jeta e njerëzve

Shtëpia dhe jeta familjare: Hestia, Ilythie

Arte, zanate dhe shkenca: Hefesti, Athina, Apolloni, Artemida, Centaurët, Hermes dhe Muzat.

Dashuria dhe kënaqësia: Afërdita, Erosi, Hebe, Ganimedi, Dionisi, Silenus, Priapi.

Lufta dhe Paqja: Ares, Eris (Përçarje).

Ciklet Heroike - Kulti i heronjve i dha politeizmit një fizionomi të veçantë. Mitet ose traditat mitike, me heronjtë dhe gjysmëperënditë që shfaqen, janë një element i rëndësishëm në mitologjinë helene. Heronjtë ose gjysmëperënditë (Prometeu, Deukalioni, Bellerofoni, Perseu, Tezeu, etj.) Ata ndryshojnë nga perënditë sepse janë të vdekshëm. Herakliu është i vetmi që bëhet i pavdekshëm.Nën këtë emër heroi kemi kuptuar individët e lindur nga një zot (Zeusi) dhe një e vdekshme (Alkmena) si Herakliu, ose nga një i vdekshëm (Peleu) dhe një perëndeshë (Thetis), si Akili.

Mallkimi i Atridëve: Pelopi, Tiesti, Atreu, Menelaus, Agamemnon, Klitemnestra, Egjisti, Oresti, Elektra, Ifigjenia

Legjendat e Kretës

Ariana, Minotauri, Minos, Radamanti dhe Sarpedon, Daedalusi, Ikarusi, Talos

Heronjtë e Iliadës dhe Odisesë

Ekspedita e Trojës: Akili, Patrokli, Hektori, Ajaksi, Nestori, Diomedesi, Priami, Ménélas, Agamemnon, Kasandra

Legjenda e Odiseas: Odisea, Penelopa, Telemaku, Feakasit, Nausika, Circe, Kalipso, Polifemi.

Mitet duhet të interpretohen mbështetur në mendimin njerëzor brenda fushës shpirtërore, si një mjet funksional që njeriu të mund të depërtojë në misterin e qenies. Në kuadër të soditjes së fenomeneve të pashpjegueshme dhe hulumtimit për të përjetësuar perënditë, mitologjia pretendon të interpretojë figurat dhe simbolet e të gjitha atributeve dhe aspekteve shpirtërore.

Në një kuptim evolucionar, njeriu e ka krijuar mitologjinë për të përjetësuar jetën tokësore, ndërsa nga pikëpamja dogmatike, ajo gjeneron rrënjët e çdo feje. Grekët e lashtë u besonin perëndive duke menduar se ata kishin kontroll të plotë mbi jetën e njerëzve. Ata u luteshin perëndive për ndihmë dhe mbrojtje, sepse nëse perënditë nuk ishin të kënaqur me dikë, atëherë mund ta ndëshkonin.

Në sajë të mitologjisë, misticizmi lindor ndryshe nga ai perëndimor, thellon ndjenjën kozmike duke theksuar se ata gëzojnë dije më intuitive mbi ekzistencën dhe nënqesh kognitivizmin intelektual të Perëndimit. Gjithsesi, mitologjia u shërben larmisë së mendimit dhe besimeve të njeriut duke u përpjekur t’u përgjigjet pyetjeve të përjetshme që shërbejnë si busull për çdo brez.

38 views0 comments

Shkrimet e fundit