top of page

Mirushe H. Musa: Në Shalë me bacën Isë

  • Jun 29
  • 1 min read

 

Në kreshtat e larta t'Shalës kreshnike,

Malet flenë në krahët e reve plisnore.

Ujvarat këndojnë lashtësi mbi gurë,

Shqiponja muzgun e kuq e ka flamur.

 

Vesha gjamadanin maleve dardane,

Plisin vura në kokë si hyjneshë pagane.

Krahëve vura flamurin,në dorë lahuten,

Më pyeti baca Isë a jam Tringa e Grudës.

 

Dëgjo, o Bac ç'këndon bilbili nën hije,

Jam bijë Shale,rritur me këngë trimërie.

Me ujvarat e arta të krojeve të fushës,

Kam kurorën e mrekullive të Mirushës.

 

Ende i thash o bac malet flasin për ty,

Në tokat arbërore ke lënë shumë histori.

Djelmninë e Shalës e Shoshit bashkove,

Vetë qëndrove në ballë si gjeneral Troje.

 

Ende t'dëgjohen thundrat e kalit,o trim,

Kur e kalëroje nga Bajgora në Dugagjin.

Aty priste oda e Shqiponjave e konaku,

Trim e shok Mehmet shpendi vlla gjaku.

 

Dridhen kalldrëmet,Nga shtrati del Drini,

Vargmalet mbi shpatulla i mban trimi.

Në beteja u ngrite si shtërngata e reve,

Gjaku i të lashtëve i rridhte ndër deje.

 

Unë s'lashë pasuri,amanet ua lashë atdhenë,

Besën dhe flamurin,Shqiponjën emblemë.

Djepi i Bajgorës eshtrat e mi i përkundi,

Mos harroni mollën e kuqe ende i kullon gjak trungu.

 

Nëntori historik flakadan me shkronja,

Sa herë valon flamuri frymon Marigona.

Dhe Ismail Qemali me flamur në dorë,

Ringjallen trimat e pavarësisë në Vlorë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page