Astrit Lulushi
Njeriu duhet të kujdeset vetë për veten. Kujdesi i ofruar nga të tjerët është agresion që kërkon dorëzim, humbje, barazim a sheshim, bashkim me rrënojat. Kështu sunduesi mund të arrijë qëllimin për t’a shfrytëzuar për jetë, sepse kur merret një gjë, ajo kthet me dhimbje ose nuk kthehet fare. Në kontratën origjinale, shteti dhe njeriu (populli) janë të barabartë - atëherë pse shteti sot rëndon a dikton mbi njerëzit? Sepse është i pandershëm. Sa shumë fuqi e pasuri ka grumbulluar në duart e tij, duke marrë e mashtruar, rrëmbyer e vjedhur...dhe kërkon të marrë.
Çdo mendim, çdo vendim, çdo veprim përcakton jetën. Asnjë filozof tjetër i madh nuk ka qenë aq i fiksuar pas jetës sa Sokrati. Megjithatë, ai zgjodhi të mos përpiqej t’a shpëtonte jetën e tij, kur me siguri mund ta kishte shpëtuar. Sipas Platonit, i cili ishte në sallën e gjyqit në atë kohë, Sokrati u tha gjykatësve - “...gaboheni nëse mendoni se njeriu duhet ta kalojë kohën duke peshuar perspektivat e jetës dhe vdekjes. Ai ka vetëm një gjë që duhet të marrë në konsideratë: nëse është duke vepruar mirë ose keq”.
Sokrati kishte një sens humori që ndonjëherë shfaqej si zgjuarsi, ndonjëherë si ironi. Mendimet i shprehte me alegori e analogji. Besimi i tij nuk konsistonte në mbështetje ose shpresë të verbër, por në përkushtimin ndaj arsyes argumentuese. Ndryshe nga paraardhësit e tij, ai hynte në debat si njeriu që nuk di asgjë për të arritur tek e vërteta. Kaq i çuditshëm ishte Sokrati. Një natë pas darkës, një i ri që kishte qenë në shërbim ushtarak me Sokratin rrëfeu se një mëngjes Sokrati duke parë lindjen e diellit, ra në mendime. Erdhi mesdita dhe Sokrati vazhdonte i humbur në mendime....deri në mbrëmje e gjithë natën....deri mëngjesin tjetër....dhe pasi tha lutjet drejtuar diellit, u ngrit e iku.
Sokrati nuk la gjë të shkruar, as çfarë mendoi rreth lindjes së diellit. Ai nuk la të shkruar qoftë edhe një rrjesht, jo vetëm se papiruset që vinin nga larg kushtonin, por se ai bënte gjithmonë pyetje. Platoni, nxënësi i tij, shkroi praktikisht gjithçka që dihet sot rreth tij. Kjo sugjeron që Sokrati nuk dinte as të shkruante - dhe kështu, mbase - as të lexonte.
Platoni thotë se me analogjinë e diellit, Sokrati donte të thoshte se edhe mirësia ndriçohet kuptueshëm nga e vërteta e cila bën të mundur që njerëzit të kenë njohuri. Gjithashtu, pasi aftësia e syrit për të parë bëhet e mundur nga drita, kështu edhe aftësia për të njohur mundësohet nga e vërteta e mirësisë. Sokrati përdori Analogjinë e Diellit si themel të mendimit që pasoi me Alegorinē e Shpellës, ku njeriu në fakt është ashtu siç duket, i lidhur - dhe jo i lirë, siç pretendon se është.
Comments