Viron KONA
Buka dhe liria
I keni parë ju n`pranverë fushat me grurë,
kur fruti i tyre verdhon e ato shushurijnë?
Po lulëkuqet, balerinat trupgjata si lastarë,
ngjyrëkuqet si gjaku,që simbolizonë lirinë?
Gjithnjë n`fushat e grurit ka dhe lulëkuqe,
bashkë me të lashtat rriten pranë e pranë,
natyra nuk gabon në harmoninë e gjërave,
bukën dhe lirinë nga njëra-tjetra s`i ndanë.
Mirësi dhe dashuri
Sa mundemi shtëpinë-planet ta vizitojmë,
Ajo është e jona, më e bukura në gjithësi,
Veç lutem, atje ku ne vëmë këmbën tonë,
T`mbjellim nga pak paqe,mirësi e dashuri.
Traditat e t`parëve tanë i kemi të shenjta,
Kemi zakone e virtyte si rrallëkush n`jetë,
N`vështirësi i jemi gjendur fqinjit e mikut,
Për t`i dhënë dritë botës, jemi djegur vetë.
Bota na sheh me interesim të dukshëm,
E etur të njohë thellë popullin shqiptar,
Me vepra le të tregojmë genet tona ilire,
Kur shkojmë e vijmë si zogjtë shtegtarë.
Rruzulli ynë përthith gjithçka brenda tij,
Dhe veprën e keqe, edhe veprën e mirë,
Ndaj le të mbjellim veç mirësi e dashuri,
Ne bijtë e shqipeve, të Shqipërisë së lirë.
Thesari i Justinianit
Kërkojnë, nën ethet e arit thesarkërkuesit,
pasurinë e fshehur t`perandorit Justinian,
gërmojnë gjithkund, gërmojnë parreshtur,
veçanërisht në fshatin Lin dhe diku pranë.
S`ndahen dot nga ëndërrat e s`heqin dorë,
t`bindur se nj`ditë do ta gjejnë mrekullinë,
u shkon mundi kot thesarkërkuesve t`gjorë,
“thesari i Justinianit” është vetë fshati Lin...
........................
Fshati Lin, ndodhet në një kodër-gadishull të bukur buzë liqenit të Pogradecit. Konsiderohet njëri nga fshatrat më piktoresk dhe më të bukur shqiptar. Vizitorët mahniten atje nga burimet gurgulluese, hijet e freskëta të pemëve, nga prania e një bazilike të lashtë kristiane, por dhe nga mozaikët e rrallë shumëngjyrësh (Shek. VI-VII), që të magjepsin me bukurinë e tyre. Prej shekujsh rrëfehet një gojëdhënë se perandori Justinian me origjinë ilire (482-565), në një moment kritikë ka fshehur në brigjet e liqenit të Ohrit në afërsi me gadishullin e Linit një pjesë të rëndësishme të thesarit të perandorisë bizantine. Kjo gojëdhënë ka 14 shekuj që rrëfehet dhe vjen deri në ditët e sotme...
Comments