
Nga Kastriot Ahmati-
Pushtetarët lokalë në Sarandë,të vlerësojnë figurat historike - Duke lexuar një shkrim të publicistit sarandjot Mentor Serjani,i cili i referohej librit "INTERVISTË ME VETVETEN" të shkrimtarit të madh të letrave shqipe, PETRO MARKO, ndjeva mirënjohje e respekt për punën e iniciativën e tij, për të revokuar historinë e bregut të detit,apo rivierës shqiptare,si e quajmë ndryshe këtë parajsë të tokës tonë! Vendi ku kanë lindur perënditë,e kam quajtur unë në një nga shkrimet e mia!
Desha të nënvizoj faktin se në shumë faqe të atij kapitulli, në të cilin përqëndrohet edhe Z. Serjani, shkrimtari i madh shkruan plotë simpati e respekt për figurën e tim eti(Muharrem Ahmati*), një nga pionierët e arsimit tonë kombëtar,mësues pedagog e inspektor arsimi në zonat e jugut e të bregut, zona këto që i shkeli me këmbë,në shi,në diell e në erë,si një komisar i vërtetë i përçimit të dritës së shenjtë të dijes! Një ish normalist i normales së Elbasanit, pjellë e Rilindjes sonë Kombëtare,një patriot i palodhur i ngritjes së kombit mbi bazat e arsimit e dijes,një mik, shok e koleg i kolosit pendëartë PETRO MARKO, gjithashtu një bregdetas i madh, që i lartëson emrin fisnikërisë së tij! Në një intervistë timen dhënë kohë më parë, në kanalin lokal televiziv "SARANDA TV", ndërmjet të tjerash theksova edhe faktin se historinë nuk e bëjnë ata që ishin dhe janë në majë të pushtetit qëndror apo lokal në një segment të caktuar kohor! Sepse historia është si një pemë e madhe,të cilën as erërat e stuhitë e çmendura nuk mund ta shkulin, as mjegullnajat e tymnajat e harresës nuk mund ta mbulojnë e ta fshehin nga drita e diellit ...
E në këtë kontekst desha të përmend faktin se në rrugëtimet dhe shërbimet e mia si gazetar,para dhe pas viteve nëntëdhjetë,konstatoj se ky mentalitet i shtrembër e fals nuk ka ndryshuar te ne,në Shqipëri! Para nentedhjetes në Sarandë,ekzistonte edhe muzeu i arsimit,te cilin rastisi ta vizitoja rreth vitit 1988, e në stendat e eksponatet e tij paradoksalisht nuk gjeta as edhe një gërmë të vetme për punën dhe veprën e ndritur të tim eti (!!!) ... Sepse për emër shkolle as që diskutohet të ishte kujtuar ndonjëri nga muzebërësit e kuq abrashë e të komanduar, nga që duhej të kishe qenë patjetër "mësues - dëshmor komunist" !!!
Problemi qëndron në faktin se edhe pas nëntëdhjetës,në periudhën kur në Shqipërinë tonë hallemadhe e zulmëmadhe fryu era e të ashtuquajturës demokraci, sërish gjërat nuk levizën në këtë kontekst,historinë e bënë sërish pushtetarët, bijtë e punistëve "proletarë"! Asnjë shkolle në bregdet,në Sarandë apo Delvinë,nuk gëzon emrin e atij njeriu që shkriu jetën për arsimin kombëtar,si një nga pionieret e palodhur të tij!
Jane dhënë medalje e teneqe me kuintalë, e janë bërë emërtime objektesh pa hesap që nga presidentët e Republikes e deri te drejtuesit lokalë, por e vërteta historike asnjëherë nuk është respektuar!Por sido që të rotullohen në pushtet, haxhiqamilët e tij, personazhet mediokër dhe shfaqjet e tyre të pudrosura e të sheqerosura, e vërteta historike nuk do humbasë kurrë,sepse ajo shkëlqen e do rezatojë pambarimisht .... -Post Skriptum"Muharrem Ahmati: -U lind më 1907 I pari Normalist i Normales së Elbasanit dhe mbarë krahinës, në vitet ’30 të shekullit të kaluar (XX). Shok dhe mik i ngushtë i shkrimtarit të madh Bregdetas dhe gjithë Shqipërisë, Petro Marko, me të cilin shërbeu si mësues në fshatrat e Gjirokastrës. Mori pjesë në dialogun midis krerëve të Ballit Kombëtar dhe të Luftës Nacionalçlirimtare, në Vaun e Dafinës (Rrëzomë), në vitin 1943. Pas Çlirimit shërbeu si mësues në fshatrat e Delvinës dhe të Sarandës, si dhe në seksionin e arsimit të këtij rrethi. Transferohet në Tiranë aty nga viti 1955, si pedagog në Shkollën e Bashkuar (Ushtarake) dhe më pas në shkolla të tjera të kryeqytetit. Gjithmonë i dashur, i nderuar e i respektuar dhe i vlëresuar me urdhëra e medalje, për punën dhe kontributin në arsimin shqiptar."Marrë nga artikulli"Elitat intelektuale të fshatit Sasaj "me autorë Ideal dhe Mentor SERJANI
Comments