top of page

Mirë se te gjemë Çamëri!


Mirë se te gjemë Çamëri!

( Balada e kthimit, bisedë me Bilal Xhaferin).


Bilal,

vëllai im,

hark ylberi i Çamërisë,

ngrihu,

s’ka kohë për vdekje,

s’ka kohë për vajrënkimë,

s’ka më “ Lamtumirë Çamëri”,

jam kthyer në trojet e mia stërgjyshore,

të tjerët çamë pas më vinë.

tani ,

të gjitha udhët tona,

si krah gëzimi,

zgjaten,

e zgjaten në jug.

Varret stërgjyshore,

sheshuar nga dora e të huajit,

si barqe grash shtatzënash u frynë,

ngarkuar nga pritja e malli,

qajnë , qeshin, ulërinë,

avllitë ,

muret e myshkuara nga pritja,

më zgjatin krahët,

i përqafoj , i puth,

gurë më gurë ,

brrinjë më brrinjë,

dhe u them me lot në sy :

- Mirë se të gjej Çamëri!

Pastaj,

pastroj hirin në vatër,

ku zjarrin të ndezur lamë,

ende të ngrohtë i gjej thëngjijtë.

Ndez zjarrin me eshkën e mallit tim,

ndërsa gruaja mbi pirosti vë kusinë,

mëngjezin të na përgatisë...

Dalë në shkallë ,

me sy bëj numërimin,

e pasurisë së fisit tim ,

që i bëri këto brigje

erën ftoj të më numërojë ullinjtë,

janë mbi pesëmijë,

arat në fushën e Kestrinës ,

kullotat në Malin e Thatë,

ku kullosja mijëra bagëti

të sosur s'kanë...

Në këtë ekstazë gëzimi superior,

çahet qielli,

më zbresin e më e ulen mbi supe,

dymbëdhjetë perëndi,

më marrin e shkojmë në Dodonë,

bëjmë bekimin ceremoni,

Mos u harrofsh e mos vdeksh kurrë,

e madhërishmja Çamëri!

Me këtë bekim Zoti,

në Artë e Pargë shkojmë,

vëmë kurora me ullinj,

nga ai që priti Uliksin.

Një kupë me klumësht ,

nga gjiri i Ambrakisë pimë,

ngjitemi në Sulin shqiptar,

Marko Boçarin takojmë në një shkëmb,

dhe kthehemi,

hamë mëngjezin në Lopsin tim...

Bilal,

vëllai im,

hark ylberi i Çamërisë,

ngrihu,

s'ka kohë për vdekje,

s'ka kohë për vajrënkimë,

eja me mua në këtë kthim biblik,

ngarkuar me eshtrat e të pakallurve në shpinë,

që s’kërkojnë hakë,

por tokë për varr,

t'ju themi këtyre viseve thesprote,

"Det me portokalle e ullinj",

Mirë se të gjejmë Çamëri...!

37 views23 comments

23 Comments


Thodhori V Baba

Bukur ! Jo vetem thellesi mendimi ,por edhe dashuri pa kufije per rrenjet e pavdeksise.

Like

Eqerem Caushi

Hekuran.Shumë bukur. Shumë ndjenja të shprehura nga një shqiptar i vërtetë. Përshëndetje dhe urimet më të mira.

Like

Nasia Xhemalaj

E kisha lexuar por tani mori përmasa madhështore në këtë strukturë ndërtimi poetik. Doli një poemth, himn madhështor, dhimbje, dashuri e krenari..I pavdekshëm Bilal Xhaferi. Urime

Like

Alma Vjero Dedja

Mall, dhembje, dashuri pa kufi mbart balada e rrenjeve.

Like

Dilaver Dauti

Brravo Hekuran, te ndrite mendja dhe te lumte pena, qe shkruan dhe mbane gjalle dashurine dhe shpresen merte cilen gjysherit dhe prinderite tone mbyllene syte por edhe ne momentin e fundit permenden fjalen Çameri dhe shpirti I tire na pret aty.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page