Mirë që pamë tymin (!)
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 8, 2023
- 4 min read

Mirë që pamë tymin (!)
Tregim: Nga Fatmir Terziu
Në vitin 1997 u dërgova me shërbim nga gazeta ku punoja në qytetin e Korçës. Udhëtova me një makinë të Gramshit, ndërsa tek tuk ende shiheshin shenja tymi nga zjarret e disa ditëve më parë në disa magazina dhe depo ushtrie. Rrugës biseduam gjerë e gjatë me shoferin për çfarë kishim parë e dëgjuar, por sa mbërritëm në Pogradec, shoferi ndaloi dhe mori një pasagjer dhe biseda jonë u ndërpre. Pasagjeri ishte nga Radokali i Sipërm. Një mesoburrë me mbiemrin Puro. Kaq mbaj mend nga prezantimi i tij, ndërsa thuajse tërë biseda e tij më pas më ka mbetur në mendje. Ishte mjaft i gojës. Dhe shoferi që ishte i tillë, madje u mund nga fjalët e pasagjerit. E kështu ne duhet ta dëgjonim me kujdes në atë rrugëtim të ndjeshëm, por dhe të frikshëm të periudhës së trazirave të atij viti, ku vetëm pak javë më parë ishin shkulur të gjithë gjërat, madje dhe gozhdët e fundit nga Dogana e Qafës së Thanës, që ishte ndërtuar me një format të ri dhe që ishte një model.
E kështu biseda shkoi në kënde të ndryshme. Ai na tregoi, thjesht dhe kuptueshëm, e ne vetëm e dëgjonim në të shumtën e rasteve. Në fakt nuk e dinim që ai kishte qenë mësues… Ja kështu e mësuam…
– Mësues, pse ndonjëherë Zoti është i padrejtë me njerëzit? E pra, dje komshiu im, i cili është një nga njerëzit më të varfër të fshatit, humbi lopën e tij të vetme, me të cilën ushqeu familjen. A nuk është mizore ndaj tij?
- Ne nuk e dimë gjithmonë se çfarë fshihet pas providencës së Zotit. Ndonjëherë, për të kuptuar, duhet të jemi të durueshëm. Dhe të kesh sy për ta parë atë. Shumë shpesh një humbje që në fillim na duket kolosale është në fakt shpëtim për ne. Dhe për të kuptuar më mirë se për çfarë po flas, tani do t'ju tregoj një histori. Një anije u mbyt në mes të oqeanit dhe i vetmi i mbijetuar mbeti papandehur në një ishull të vogël, të pabanuar. Kur burri erdhi në vete dhe kuptoi se çfarë kishte ndodhur, ai kuptoi se shansi i tij i vetëm për të mbijetuar në këtë ishull të izoluar ishte të bënte sa të ishte e mundur shenja që të dallohej nga ndonjë anije që do të kalonte. Gjë që i dukej pothuajse e pamundur. Duhej të ishte një mrekulli! I mbyturi i anijes u thye, por ai nuk pushoi së luturi Zotit për ta shpëtuar. Kishin kaluar disa ditë në të cilat ai kishte vështruar i dëshpëruar në horizont me shpresën se do të shihte një anije shpëtimi. Por asnjë ndihmë nuk erdhi. Më në fund, njeriu vendosi të ndërmarrë veprime dhe të kujdeset për mbijetesën e tij. Ai ndërtoi për vete një kasolle të vogël me degë dhe pemë të rrëzuara për t'u mbrojtur nga shiu dhe kafshët e egra, dhe shkoi në brendësi të tokës në kërkim të ushqimit dhe ujit të freskët. Ndërsa endej nëpër bimësinë e dendur, u ngrit një stuhi. U ngrit një erë e fortë dhe qielli u ndriçua nga vetëtima e ndritshme. Kur stuhia u qetësua dhe burri u kthye në strehën e tij, ai pa një zjarr të furishëm në vendin ku qëndronte ai. Ngrehina e tij me trungje u dogj nga rrufeja dhe era e ndezi edhe më shumë zjarrin. Pas disa orësh, gjithçka që mbeti nga kasollja e tij ishte një grumbull thëngjijsh dhe një kolonë e madhe tymi që u përkul në qiell. Në pafuqinë dhe dëshpërimin e tij, njeriu i mbytur i anijes bërtiti me zemërim: - Zot, pse ma bëre këtë?! Pse je kaq i padrejtë me mua?! Pastaj u shtri në rërë dhe e zuri gjumi nga lodhja. Jo shumë kohë më vonë, ai u zgjua nga një tingull i fortë, i pazakontë për ishullin e vogël. Kur erdhi në vete, njohu zhurmën e sirenës së një anijeje. Ai u hodh në këmbë dhe filloi të tundte furishëm dorën drejt anijes së dukshme nga larg. Pas ca kohësh, një varkë shpëtimi me dy marinarë iu afrua ishullit. Burri fatkeq nuk mund ta besonte fatin e tij. Mrekullia ndodhi. Ai u shpëtua! “Mirë që pamë tymin”, tha një nga marinarët. „Përndryshe askush nuk do t'ju gjente në këtë ishull të largët.“
- E morët tani? - e përfundoi tregimin i urti. - Zoti kujdeset për ne në mënyra të ndryshme. Por ndihma e Zotit nuk vjen gjithmonë gati dhe mrekullisht. Ndonjëherë ju duhet të humbni diçka, të duroni vuajtjet tuaja, të mësoni një mësim të vlefshëm... Dhe atëherë kupton se kur diçka në jetën tuaj është në zjarr, flaka e saj mund të jetë e nevojshme për të ndriçuar rrugën drejt shërimit tuaj të vërtetë. Mos u dorëzo kurrë. Ju nuk e shihni të gjithë pamjen që Zoti ka pikturuar, edhe pse dikush ua bën rrugën tym…, ndoshta fare rastëisht si unë që ju lodha me sa duket. A nuk është dhe tymi i kësaj kohe një mësim i mirë për ne? Ja e kishim rrugën e mbarë, por more miq njerëzit që e kanë harruar Zotin tymin e duan…
Ne pamë njëri-tjetrin nësy dhe ashtu instiktivisht buzëqeshëm, dhe bashkë me shoferin shtrënguam duart me të në një rrugë të ngushtë, që Korçës çuditërisht i kishte lënë ende mjegull në atë orë që i afrohej mesditës.
-Mirë që nuk ndjemë më herët mjegullën! – tha shoferi.
-Mirë që dëgjuam dhe pamë tymin e vërtetë gjatë gjithë rrugës! - ia ktheva unë.
Comments