top of page

MINELLA KOSTANDINI, MIKU IM MË I DASHUR.



Përkujtimore nga Luan Çipi


Me Minella Kostandinin ne ishim bashkë në një klasë qysh në shkollën përgatitore (foshnjore si quhej aso kohe), po kështu në shkollën fillore dhe në atë unike, nga viti 1941 deri në vitin 1949. Minella i zgjuar dhe i shkathët, mjaftohej me shpjegimin e mësuesve dhe kënaqej vetëm sa të merrte notë kaluese, çka nuk e kishte të vështirë edhe pa mësuar individualisht. Jashtë klase e kalonte kohën me lodra dhe “kalitje” fizike. Noti ishte pasioni i tij, që i merrte gjithë kohën e lirë, për një sezon shumë të gjatë veror. Kohën tjetër po buzë detit e kalonte me nxjerrje krimbash dhe peshkim. Ne, së bashku me Minon, Llambin dhe Harillën aktivizoheshim edhe në detyrat shkollore jashtë klase, në kor dhe në teatër dhe me disa lloj sportesh. Të pesë klasat e shkollës fillore të nisura gjatë luftës, i përfunduam në vitet e parë pas çlirimit të vendit. Ishte mësuesi ynë kujdestar Zenel Dervishi, një metodist e psikolog gjurmëlënës, që zbuloi i pari dhuntitë dhe aftësitë fizike të Minellës dhe e orientoi atë për t’u marrë me sport. Në ato vite, sipas porosisë dhe kujdesit të drejtorit të shkollës, mësuesit veteran Ymer Luçi ne, me në krye Minellën, u aktivizuam dhe në grupet artistike të Shtëpisë së Pionierit dhe në Pallatin e Kulturës së qytetit të Vlorës.

Qysh nga ajo kohë ne kemi mbartur në vite nderin dhe respektin për edukatorët tanë metodist të aftë dhe të durueshëm Liu Mone, Thoma Çaçi, Donika Çakëri e në veçanti për mësuesin tonë të muzikës të riun Shkodran Tish Daija, që më vonë shkëlqeu si kompozitor, dirigjent e mjeshtër i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë dhe arriti të zgjidhet Akademik në Shqipëri e Kosovë e Deputet i Parlamentit Shqiptar.

Bashkë me Minella Kostandinin ishim dhe në Tiranë. Ai në Shkollën e Mesme të Fizkulturës dhe unë e Harilla në atë Financiare dhe më pas në Shkollat e Larta përkatëse Ekonomike e Sportive. Unë shkoja shpesh në palestrën e shkollës sportive të Minellës dhe, bashkë me të, ushtroheshim në veglat gjimnastikore. Ushtrimet e lira dhe gjithfarë kipesh në tokë dhe në vegla, saltot, fikfaken dhe rondatën nga Minua i mësova. Me ushtrime toke e akrobaci ato u përsosën, më vonë, në cekëtinën e detit dhe në kumin e buzëdetit të Vlorës. Kështu kaloi rinia jonë, mbrujtur me dashuri e respekt reciprok, aktivizuar në Shtëpi Pionierësh e Kulture ne Rreth, ne shoqata sportive e kulturore, larg veseve e në veprimtari të dobishme shoqërore.


Kanë kaluar gati gjysmë shekulli nga ato vite të bukura dhe mua më shfaqen çdo ditë parasysh si të sotmet ngjarje të bukura dhe shokët e mi të dashur të asaj kohe. Dal tani shëtitje qytetit si në Vlorë dhe në Tiranë dhe i shoh kafenetë e shumta, hapur pak metra njëra tjetrës, çdo ditë mbushur me të rinj e deri fëmijë që pinë kafe e cigare dhe e grisin kohën kot e në plogështi. Jam i mendimit se Shteti edhe tani, në stadin e konsideruar si superior, në Kapitalizëm e Demokraci, duhet të kontribuojë, të drejtojë e të koordinojë edukimin e programuar të rinisë në veprimtari kulturore, sportive si dhe në kurse për kompjuter e gjuhë të huaja, etj. Duhen programuar më shumë fonde e duhen krijuar institucione të reja të specializuara shtetërore e publike, në ide e veprim homologe me të asaj kohe në organizim, për të mënjanuar kohën e humbur kot dhe për t’i larguar sadopak të rinjtë nga veset e këqija deri nga droga e prostitucioni.

Pasi e nxora sadopak dufin që më mundonte, duke kërkuar falje nga lexuesit, le të kthehemi sërish te Minella ynë i dashur.

Në vitin l956 me Minellën, tani kuadër fizkulture, u ribashkuam sërish në Vlorë. Ai, mësues fizkulture dhe unë, krahas punës si ekonomist edhe sportist, fare pranë tij, pjesëtar i ekipeve përfaqësuese të Flamurtarit të Vlorës në gjimnastikë, mundje e ngritje peshe e më pas si gjyqtar e trajner i sporteve të rënda (pra, gjithnjë afër tij).

Duhet thënë se miqësia jonë ishte e gjerë dhe përfshinte qysh me kohë marrëdhënie familjare, që kaluan deri te fëmijët tanë. Ne e ndihmonim njeri tjetrin për çdo rast reciprokisht. Kështu, qysh ne fejesën e Minos, ne shokët e tij, kolektivisht ndihmuan në ndërtimin e shtëpisë se tij te re. Bënim blloqe çimentoje dhe ndihmonim ustallarët për ngritjen e mureve, suvatimet, hedhjen e soletës dhe për çdo lloj pune ndihmëse. Po kështu ndodhte në rastet e ndërsjella, kur ne, që secili kishte baç rreth shtëpisë, punonim tokën dhe mbillnim, capitnim dhe vaditnim zarzavate e lule në baçat tona. Kjo ndjenjë bashkëpunimi dhe ndihma për shokun na jepte kënaqësi të veçantë dhe dukej se ishte një shpërblim, sado i vogël, për gatishmërinë dhe përpjekjet shumë vjeçare të Minos sonë të dashur, kur ai na ndihmonte e na drejtonte për të kapërcyer, si djem të “virtytshëm”, hapat e para dhe, më tej, vështirësitë e pambaruara të jetës. Ishin vërtet gjurmëlënëse dhe na jepnin kënaqësi të pashlyera për gjithë jetën këto lojëra, dëfrime e punë të përbashkëta. Ne nuk harronim se sheshi i madh prej çimentoje i shtëpisë së Kostandinajve, në lagjen Kume të Skelës ishte arena e takimeve, lojërave, darkave, ahengjeve dhe vallëzimeve të përbashkëta, ku kalonin kohën e lirë ne, si grup shokësh dhe shoqesh të ngushtë e të pandarë, qysh nga fëmijëria. Mos u çuditni! Edhe ne ishim të rinj, mandej shumë energjik dhe kërkues, brenda mundësive e vështirësive të kohës, të gjenim rrugë dhe mjete për ta gëzuar çdo çast të jetës, që ecte me vrull dhe na vjetërsonte pa mëshirë çdo ditë.

Minella Kostandini u shqua edhe si një sportist cilësor, trajner, pedagog dhe drejtues i pasionuar i sportit vlonjat. Ai përfaqësoi për disa vjet Vlorën në gara e kampionate kombëtare, si notari në stilin krol më i shpejtë i kohës. Me shumë dashuri, urtësi e ndershmëri ushtroi dhe detyrën e mësuesit të fizkulturës në Gjimnazin “Ali Demi” të Vlorës, më vonë kaloi instruktor dhe kryeinspektor fizkulture në rreth, shef i klubit i “Flamurtarit” për të gjitha sportet, përsëri mësues si dhe programues dhe organizator i dalluar manifestimesh sportive.

Si meritë më e madhe, historike për jetën sportive të qytetit të Vlorës, është, padyshim, puna e tij si trajner i ekipit të femrave të “Flamurtarit” në not, ku si një metodist dhe pedagog i shkëlqyer, nxori një numër të madh kampionësh dhe rekordmenësh kombëtar.

Nuk është rastësi vlerësimi im i vargëzuar për Minon tonë të dashur:

E njihni, apo s’e njihni

Mikun tim me shpirt të Artë?

Është Minella Kostandini,

Po e them me zë të lartë!

Ti o djalë, vajzat e mia,

Kur të lexoni ditarin,

Në personazhet e tija

Minon, e keni të parin.

Do qëndrojmë të pa vdekur

Përherë miq, pranë e pranë,

Lidhur fort, çelik e hekur,

Nuk ka forcë që na ndanë.

Jemi njohur shumë herët,

Sa dalluam nënë e babë,

Dhe nuk ishim si të tjerët,

Po, si dy kokat në shkabë.

Nuk na lidhi dhënia, marrja;

Nuk u fut parja në mes

Vendimtare ishte ngjarja:

Sporti, kënga, fjala besë;

Lojërat, qysh në fëmijëri,

Kumi, deti kaltërosh,

Vallet, këngët, në rini

“Gëzo çastin, që të rrosh!”

Dhe më pas, si familjarë

Punë ditën, dëfrim natën.

Kudo ishim të pandarë

Në dysh e ndanim kafshatën.

Minua u dashurua dhe u martua me Elpiniqi Poron, një vajzë e mrekullishme, mësuese dhe amvise e mirë, që për ne, “Djemtë e Kumes”, shumë shpejt u bë e afërt familjarisht. Ajo ishte mësuese pasiononte e ciklit të ulët e specializuar për klasat e para. Qysh në vitet e para te jetës bashkëshortore ajo, me kujdesin e saj të pazakontë, ia shtoi dhe ia zbukuroi jetën Minos. Çifti i përsosur në mirësjellje e shoqëri, u gëzua dhe u lumturua me dy trashëgimtare të denja: Klajdën dhe Irenën, simbole të dashurisë, respektit dhe përkujdesjes së pakursyer për babën e tyre. Çuditërisht për fat të keq, kur vajzat u rritën dhe zbukuruan vatrën familjare me virtytet më të zgjedhura të trashëguara prej prindërve, babai i tyre i dhimbsur, nisi të ndjehet gjithnjë e më shumë i rënduar fizikisht.

Të duket e pabesueshme sesi ai trup aq i fortë, gjoksgjerë e muskulor, i kalitur me mijëra ditë në diell e det, që zhytej nën det në thellësi, mbante frymë gjatë dhe gjuante me të gjitha mënyrat, pjesëmarrës ne gara, takime e kampionate e deri në ekspedita ndërkombëtare studimore të thellësive detare të Adriatikut, nuk u rezistoi i shëndetshëm deri në fund viteve. Për disa vjet, Minua ynë i dashur, përballoi me guxim shqetësime shëndetësore të një paralize parciale. Tri herë pati vdekje klinike, por tri herë u rikthye në jetë. Edhe në kushtet e rrezikshme të disa goditjeve në zemër, ai ngeli një model vitaliteti dhe optimizmi, duke bërë, me vullnetin e tij të hekurt përmirësime, falë përpjekjeve vetjake titanike për mbijetesë. Shëtitjet mbi rërë, buzë detit, disa orë në ditë, duket se i lehtësonin dhembjet fizike dhe gjendjen e rënduar shpirtërore dhe duket se i zgjatën disa vjet jete.

-“Më lerë të bëj dhe një shëtitje buzëdetit më këmbë, paçka se me zor çapit, ja, deri sa të hedh dyqind hapa, deri sa të prek me dorë gardhin te Kampi i Pionierëve”, më thoshte ditët e fundit, sikur lëvizja të ishte shpresa e fundit e jetëgjatësisë së tij. Dhe unë kështu e kam të pashlyer dhe të paharruar shokun e dashur të fëmijërisë, me shembullin dhe modelin e tij optimist.

Ashtu, puro njeri, mbetet në kujtesën time dhe të gjithë atyre që e kanë njohur, jeta e guximtarit të pavdekshëm, mikut më të dashur - shpirtit të bukur të detit, që i thërrisnim “Mino Puri” (Minella Vangjel Kostanini).

Shënim: Përpunuar dhjetor 2012


Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page