“Përbindëshi”, koha kur shkrimtari dëshmoi gjeniun KADARE
Kur shkrimtari Ismail Kadare u prezantua para lexuesit shqiptar me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dëshmoi se ishte një krijues me talent të madh, impresionues. Vonë mësuam se pas romanit “Qyteti pa reklama”, i pabotuar për shumë vite, “Gjenerali” i botuar në 1963 paskish qënë romani i tij i dytë. Në atë kohë në Tiranë romani u pëlqye, autor dallohej për origjinalitet, që shkruante me nëntekst, me një formë shprehjeje të pa ndeshur deri në atë kohë. Tek tuk, ndonjë me shije të hollë leximi, si përkthyesi në frëngjisht dhe ambasadori shqiptar që e paraqiti te botuesi në Paris, psh. intuitivisht duhet të kenë nuhatur dhe shijuar letërsinë e një kualiteti të lartë. Vet autori pohon se në atë kohë synonte për shumë më lart. “Asnjë projekt nuk më tërhiqte, nëse nuk kisha bindjen thellë që ajo që unë shkruaja nuk ngjante në asgjë me letërsinë që ishte bërë deri atëherë”. Pyetjet, çfarë synonte, çfarë ishte që do e pasuronte thellësinë e mendimit në forma të reja origjinale shprehjeje, deri ku do e lartësonte talenti i jashtëzakonshëm, ishin të natyrshme.
Në Shqipëri e në trevat shqiptare ka pasur dhe ka mjaft shkrimtarë, disa prej të cilëve lexohen me interes, kanë talent të spikatur.
Kohëzgjatja është kriteri për të gjykuar mbi talentin, d.m.th në këtë botë grafomanësh, deri kur je ose nuk je në vëmendje të lexuesit. Por ka tek tuk ndonjë krijues të veçantë që koha “e mban të salduar fort” në vëmendjen e saj.
Sfidant i kohës, shkrimtari Ismail Kadare pas botimit të “Gjeneralit”, e çvendos vëmendjen nga romani i mbledhjes së eshtrave të ushtarve italianë gjatë luftës së dytë botërore drejt një tjetër lufte, asaj të Trojës, që gjëndej thellë në historinë e njerëzimit. Romani i tretë “Përbindëshi” u paraqit pjesë pjesë në revistën “Nëntori” më 1965. Ata që e kishin lexuar e kujtonin si “një tregim fantastik” me ide befasuese në kufijtë e të paimagjinueshmes. Një luftë 10 vjeçare e përshkruar nga Homeri dy mijë vjet më parë përcillet magjishëm në shek. e njëzetë si trillim që përfshinte një kornize kohore dy vjeçare. Shanset që të vazhdohej me botimin si libër më vete ishin zero. Shteti e quajti vepër dekadente. Menjëherë u ndalua.
Nuk u bë objekt në rreth të gjerë lexuesish, e keqja e tij për Shtetin mbeti brenda një rrethi të ngushtë autoritetesh burokratike dhe, e mbuloi heshtja deri në vitin 1990.
Çfarë kishte ndodhur me autorin? “Zeusi” në Tiranë po e fuste vendin në epokën revolucionarizuese të skëterrës komuniste. Vendi tërhiqej më thellë drejt Lindjes, botës sllavo- bizantine. Drejtim i kundërt me atë të programit të Rilindjes kombëtare. Shkrimtari në kërkim të një forme shprehjeje. Shtrin kufijtë imagjinativ, zbret në thellësitë e minierës së pafund të miteve, legjendave, historive të kohëve antike greke. “Qelizat pararojë” të trurit të tij krijojnë një mardhënie të thellë brenda një universi paralel mitologji-modernizëm. Gjeneron ide të reja. E magjepsin personazhet e Iliadës, “Lufta dhe “Kali i Trojës”. “Konstruktova diçka midis realitetit dhe ëndrrës” shkruan në roman, “diçka midis së përkohëshmes dhe të përjetshmes. Kali që ngrita unë, ishte një makinë me këmbët në mitet e me kokën në kohërat moderne. Një makinë frike, që do të mund t'i përshtatej çdo epoke për të punuar me frikërat e çdo brezi njerëzor”. Shkrimtari hamendëson dhe analizon disa variante mbi vërtetësinë e luftës së Trojës dhe mbi Homerin, poetin e verbër, i mahnitur nga madhështia e përshkrimeve, thellësia e njohjes së natyrës njerëzore, egon e heronjve të kohës për lavdi, pendimet, nderi, raportin e tyre me familjen dhe të vërtetën, te “Iliada” etj, “konstaton” se për të rrokur këtë epope, poeti duhet të ketë pasur jo sy, por teleskopë. Teleskopi i Homerit ka parë gjëra të mbuluara nga mjegulla, të pa shikueshme nga syri njerëzor i bashkëqytetarëve të tij. Por masa e njerëzve, në pamundësi të kuptojë thelbin e saj, në vend që të pranojë këtë verbëri të vetën, bën të verbër përfaqësuesin e saj, poetin. Atëhere shkrimtari me teleskopin e tij vendos të ngrejë perden nga sytë e masës së njerzve. Vendos t'a strukturojë romanin si një formë të re shprehjeje, të veçantë, e ndryshme nga ajo e përdorur deri tani. Jetën në epokën komuniste të mbushur me luftë klasah, fatkeqësi të shpronësuarish, krime, aksione, brerje ndërgjegjeje, dhunime të të drejtave njerëzore, etj, t'a ballafaqojë me personazhe mitikë të kulturës antike greke. Dekonstrukton mitet, të përcjellë në planin njerëzor.
Si përpara një pasqyre na tregon se jemi njëlloj si ata, të të njëjtës racë njerëzore, me të gjitha cenet, egot, instiktet hakmarrëse, me të njëjtën etje për gjakderdhje dhe krime të heronjve homerikë. Te “Iliada” dhe “Odisea” na zbulon ç'kanë bërë por edhe sesi mendonin, arsyetonin dhe gjykonin. Na vë përballë me kulturën antike greke, që qëndron në themelet e kulturës perëndimore. Thellësisht i qartë se: “Për shqiptarët dielli lind andej nga perëndon”. Kaq e pazakontë ishte proza e shkrimtarit te “Përbindëshi” sa bashkëkohësit mund të sjellin në kujtesë shprehjen e dalë nga zyrat e “Olimpit” komunist që, Ismaili është shkrimtar i mirë por ç'e do, shkruan për të huajt. Dhe ne shqiptarët që e lexonim dhe e pëlqenim thonim me vete: përderia ai shkruan shqip dhe ne e adhurojmë letërsinë e tij, përderisa e njëjta gjë përkthehet në frëngjisht dhe prej tyre u adhuroka njëlloj si ne, atëhere ky pohim ka diçka djallëzore. “Olimpi” komunist kërkonte që shkrimtari të ishte patriot sipas modelit proletar, së pari besnik i Partisë, pastaj i atdheut.
Mjeshtërisht, me gjuhë dykuptimëshe, nëntekst të mprehtë, i sjell heronjtë e “Iliadës” dhe “Odisesë” në bulevardin e Tiranës dhe në djerrinat e saj, aty ku konstruktohet përbindëshi, “Kali i Trojës”. Njeriun shqipyat e vendos përballë me institucionet shtetërore. Krejt natyrshëm imagjinon unifikimin e kohës antike me atë moderne. “Orakulli i Delfit”, njëfarë institucioni misterioz i ndërkombëtarizuar i politikës, ku në prag ngjarjesh të mëdha dërgoheshin përfaqësuesit e shteteve greke, ilire, perse, sumere, priftërinjtë, etj, nga shkrimtari “transferohet” mahnitshëm sa në Paris, herë tjetër në Moskë, në Uashington apo Londër etj,. Si në një lojë pasqyrash. Akilin, heroin e parë të Trojës por edhe dezertorin e parë të saj, Homeri me teleskopin e së vërtetës e kish sjellë të mëdyshur, mes dy zgjedhjeve. Po të qëndronte në luftë do të vdiste, fitonte lavdi të përjetëshme. Por etja për jetën ka ngadhënjyer mbi etjen për lavdi. Agamemnoni tmerrohet. Ikja e Akilit do të thotë shthurje e ushtrisë. Mijëra ushtarë të lodhur nga lufta janë cfilitur mes kësaj mëdyshjeje. Lexuesi ndalon leximmin dhe bën pyetjen: Vallë sa nga heronjtë e luftës partizane në Shqipëri kështu si “Akili” janë gjëndur në krizë shpirtërore nga konspiracionet antiparti brenda llojit, krimet prapa shpine, shkatërrimet e familjeve në emër të moralit proletar, etj, të joshur nga jeta normale kanë humbur besimin përballë absurdit të një sistemi shoqëror kriminal? Njëlloj si janë ndjerë heronjtë e luftës heroike antinaziste në Rusi, Poloni, Çeki, Gjermani, Hungari etj,.
Të mahnit aftësia imagjinative e shkrimtarit për të ndërthurur pa probleme kohën historike si një të tërë, ku personazheve të jetës moderne u bëjnë shoqëri heronjtë e Luftës së Trojës. Brenda komploteve jo vetëm që u shton thellësi dhe kompleksitet personazheve, por përcjell gjithashtu parimin e një kthimi të përjetshëm në histori, kasapanën universale të luftërave njerëzore. Njëlloj si në Greqinë e lashtë apo Romën antike ku mitet dhe jeta e përditshme shkonin krah për krah, ashtu e kaluara e largët, është rikthyer në tavolinën e kohës moderne nëpërmjet një porte tjetër. Prekte rrënjët e civilizimit perëndimor, themelet emancipuese të shoqërisë njerëzore. Kjo e vërtetë në art shtetit i shkaktonte dhimbje koke të padurueshme. Krejt natyrshëm personazhet e balladave popullore shqiptare, të legjendave, të antikitetit grek vijnë të jetëzuar në rrugët e kryeqytetit, në ambjentet zyrtare, në dasma apo në mort, thërriten në takim nga i pari i Olimpit, krejt njëlloj si në ditët e viteve 60-70të thërritet në takim një ministër nga Kryetari i shtetit. “Priami”, mbreti i trojanëve, në një ditë pune rutinë thërret në zyrë Laokoontin. I tërheq vërejtjen si sabotues i paqes me grekët. Ishte fjala për disa letra anonime kundër Laokoontit. Priami i thotë se e kishte gjithnjë e më të vështirë që t'a mbronte. Por pyetjes së Laokoontit se nga kush do e mbronte Mbreti nuk iu përgjigj. “Çdo kohë ka Laokoontin e vet me gjurmët e gërvishtjes së përbindshave mbi fytyrën e tij. Ai përpiqet të hapë gojën për të treguar të vërtetën, ashtu siç ka ndodhur, por mermeri skulpturor nuk e lë”, thotë shkrimtari.
Arti ka një parim, thonë artistët e rëndësishëm, të dish ku të ndalesh. Të dish ku të lësh një paqartësi, dy ose më shumë kuptimësi të qëllimshme, që lexuesi të ndjehet i “mbërthyer” për të deshifruar nëntekstin. Te “Përbindëshi” ambiguiteti krijon atmosferën ose imazhet ku heronjtë mitik përjetohen në imagjinatën e lexuesit si personazhet e shek. të 20'të, që zvarriten në baltën e fushave të Tiranës dhe anasjelltas.
Kështu shkrimtari ka zgjidhur një nga problemet më të vështira të rrëfimit në prozën e tij: sensin e masës, injektimin e sasisë optimale të ambiguitetit e të metaforave që, e komandojnë vëmëndjen e lexuesit, i zbulojnë atij papritmas disa shtigje që e nxjerrin nga burgu i vetvetes. Pak ambiguitet do ia ndryshoj vëmendjen lexuesit, i hiqet mundësia e pyetjeve dhe e impresioneve kuptimore. Shumë ambiguitet do e ngatërrojë lexuesin, nuk i jep kohë për një vlerësim situacional të tyre. Për pasojë vëmendja e tij nuk do të zotërohet nga ato ndodhi që dramatizojnë urrejtjet familjare, krimet brenda familjeve, verbërinë e famëshme Edipiane, e drejta dhe kalimi i saj sa nga njëra anë në tjetrën, pendimet dhe brerjet e ndërgjegjeve, veprimet korruptuese të afërsisë me pushtetin, raportin e frikëshëm pushtet-individ, etj.. Na zbulon kuptimin e thënies së urtë se: “Konfliktet më të mëdha nuk janë midis dy njerëzve, por midis një personi dhe atij vetë”.
Shkrimtari Kadare shkruan te “Eskili”: “ Ka një moment kur grekët e vjetër hyjnë vrulltazi në jetën e njeriut. Disave kjo u ndodh në fëmijëri, të tjerëve në vitet studenteske e të tjerëve akoma në pjekuri ose në pleqërinë e thellë. Si gjithë pasionet e mëdha, ata kanë aftësi turbulluese për çdo moshë. Dihet se Volterit, e sidomos Gëtes e Shilerit ata i krijonin një ndjenjë kthjelltësie. Nuk dimë asgjë se ç'shkaktuan grekët në shpirtin e trazuar të Shekspirit. Dimë vetëm se, kur shkroi tragjeditë e tij më të zymta “Makbethin” e “Hamletin”, ai kishte atë moshë që kishte Tolstoi kur u “sëmur” prej tyre. Kultura antike greke e më pas ajo latine i solli njerëzimit dimensionet e reja universale të mendimit e të përfytyrimit”.
I “infektuar rëndë” nga “Lufta e Trojës”, nga Homeri dhe Eskili, shkrimtari Kadare me romanin “Përbindëshi”, shënoi momentin e ngjitjes në nivelin më të mirë të letërsisë europiane. Zbuloi dhe dëshmoi se kish lindur si Gjeniu Kadare. Pas “Përbindëshit” lexuesit, shqiptarë e të huaj vazhdoi t'i “ushqente me “Eskili, ky humbës i madh” pastaj me “Dosja H”, “Stinë e mërzitëshme në Olimp”, “Spiritus”, “Dimri i vetmisë së madhe” në ndeshje me Zotat, e deri te “Kur sunduesit grinden”.
Njëzet përqind e njerëzimit, që janë bota e kulturës Perëndimore, i detyrohet trashëgimisë rrezatuese homerike. Me “ Identiteti europian i shqiptarëve” shkrimtari u dëshmoi shqiptarëve se i përkasin kësaj trashëgimie europiane, Perëndimit. Provoi se beteja e Sundimtarit me artin e madh është e gjithëkohëshme dhe universale. Përbindëshi dëshmoi se: “Gjeniu, me teleskopin e tij e gjen veten gjithmonë një shekull më herët se të tjerët”.
Comments