top of page

MIMOZA ÇOBO: LIBRI I RI “PERËDIM I VAGËLLUAR”...



 

LIBRI I RI “PERËDIM I VAGËLLUAR”, I POETIT VULLNET MATO, NJË PËRMENDORE POETIKE, QË FLET ME MELODINË E GJUHËS SË SHPIRTIT 

 

Ashtu si dielli perëndon, duke lënë pas gjurmë rrëzëllitëse nëpër flladet e erës, edhe “Perëndim i vagëlluar” i poetit dhe shkrimtarit të shquar të letërsisë shqipe Vullnet Mato, është magjepsës dhe unik në llojin e tij. Duke bërë një analogji se si është krijuar Dielli dhe planetët e tjerë yjorë nga rënia gravitacionale e materies në rajonin e një reje të madhe molekulare, edhe galaksia poetike e mjeshtrit Mato e lindur në mitrën e trurit të tij, nga mbarsjet e ngjarjeve rrethanore, synon të përcjellë energji drite për shpirtrat njerëzorë dhe mesazhe unikale, që i shërbejnë kohës dhe brezave.

Vepra poetike “Perëndim i vagëlluar” vjen për lexuesit si një perëndim i veshur me dritën fosforishente të yjeve dhe të agimeve të jetës. Bukuria transparente e vargut në këtë vëllimin poetik, e mbrujtur me regëtima dashurie e psherëtima dhimbjesh të tërheq drejt pafundësisë ku përtërihen rrënjët e bardha të jetës, ku patosi dramatik dhe ai lirik krijojnë forma origjinale dhe marrin përmasa universale.

Ky vëllim poetik mbart në brendësi 420 poezi, të cilat nxjerrin në pah gërshetimin e heroikes me tragjiken, të bukurës me të shëmtuarën, të madhërishmes me të ulëtën. Koncepti për jetën dhe njeriun, me botën e tij shpirtërore, që vuan apo gëzon, me të cilën poeti është i shkrirë plotësisht, shfaqet në këtë vëllim poetik, te thellësia e mendimeve dhe e meditimeve të poetit. Ligjërimi poetik në këtë vepër të rrallë me përmbajtje shtresore të thellë e me formë të përsosur artistike, është formësuar nga harmonizimi unik i botës lëndore dhe materies me energji gjallëruese të mendimeve racionale, sa të gjalla aq edhe të ndjeshme. Ky ligjërim artistik kushtëzon trajtën e përmbajtjes së kësaj vepre letrare, me vlera të veçanta për artin e letërsisë. Mendoj se kjo vepër poetike e autorit të shquar të letërsisë shqipe Vullnet Mato, është një kredo jetësore e patosit qytetar, e dashurisë për njeriun, e shkrirjes së unit poetik me natyrën dhe të bukurën e virtytshme. Vullnet Mato shquhet si poet i dëlirë liriko-epik, dallohet për mjeshtërinë e gjetjeve artistike, për figurëzimin e vargut, për forcën e imagjinatës në paraqitjen e botës së brendshme të njeriut. Gjithçka theksova më lart, përbëjnë thelbin e universialitetit poetik të veprës “Perëndim i vagëlluar” , në brendinë e së cilës, lexuesi arrin të imagjinojë një botë që gjallon bukurinë e jetës, brenda kaosit të botës reale, ku ndeshet egërsia e kohës, tronditja e psikikës njerëzore të kohës, me vlerat e larta morale të njeriut modest dhe fërfëllimat e zëshme të dashurisë. Të këtyre momenteve emocionale janë disa nga lirikat e këtij vëllimi poetik, që padyshim do të ngjall interes jo vetëm te lexuesi pasionant, por edhe te studiuesit e letërsisë shqipe.

Kështu te poezia “Perëndim i vagëlluar” jeta rrjedh me misteret dhe kompleksitetet e saj. Madje në sajë të sintezës artistike pikëvështrimi për rrjedhën e jetës vjen i mprehtë me përplasje qielli e dridhje toke, me krisma armatimesh të mëdha, me luftëra klasash e luftëra bote: “Dielli im u zvarrit, nëpër qiell të mbuluar, /me blana resh të zeza, urrejtjesh klasore, /me hekura burgu, për fjalë goje ndaluar,/ me dyer të mbyllura, për stinët shkollore/. Megjithatë dielli im s’e ndali rrugën e nisur,/ se diejt janë krijuar, të çojnë ditën kudo, /të ndrisin brigje e hone jetësh vithisur, /derisa të arrijnë perëndimin e kësaj bote…”.

Figuracioni letrar si tipar i rëndësishëm në realizimin artistik të vargut poetik, arrin shkallën më të lartë të ngjyrimit figurativ, metaforik e filozofik, pothuaj në të gjitha poezitë e këtij vëllimi voluminoz. Atmosfera emocionale e figuracionit letrar mishëron tipare dhe veti të botës së brendshme të poetit, për të hedhur ndjesitë poetike në letër. Ndonëse figuracioni letrar shfaqet si krijim i veçantë dhe mbart peshën e konvencionit artistik, të fantazisë së poetit Mato. për ta sjellë me nota të gjalla realitetin botës së tij poetike, e cila është mbresëlënës e befasuese. Figura të papërsëritshme dhe me ngarkesë të veçantë emocionale ndeshim te poezia “Dhuroj fëmijët e mi“: ”Zoti më bëri me mitër pjellore /duke më dhuruar talent artistik./ Mbarsem nga ngjarjet rrethanore/ dhe lind pas disa orësh në ditë./ Si një mashkull, që lind fëmijë,/ mbarsem shpesh, në mitrën e burrit /dhe i dhuroj të gjithë fëmijët e mi,/ se nuk kam ku i mbaj krijesat e trurit…”...Për më tepër këto vargje tingëllojnë si lajtmotiv kuptimplotë, për këtë erudit të fjalës së shkruar, që ka treçerek shekulli, në këtë ecje revan, paralelisht me dritën, duke përshkuar çdo paralel e kapërcyer çdo meridian të hapësirës tokësore dhe gjatë kësaj vërtitje kohore, shpirtin e ka qetësuar, pasi ka dhuruar lindjet e trurit të tij, njëqindepesëdhjetë binjakë, për brezin e ri.

          Në brendinë e saj poezia e mjeshtrit të penës Vullnet Mato, mbart bërthamën e “pikave të zjarrit “, të cilat shpërndajnë tinguj të zëshëm ,që i shërbejnë përforcimit të idesë themelore të poezisë. Në një aspekt tjetër boshti i fabulës, nxit emocione të caktuara dhe zbulon raporte, që përbëjnë thelbin e brendisë artistike të lirikave të dashurisë. E papërsëritshmja dhe e padukshmja, në këto lirika, janë rryma të nëndheshme, që veprojnë në thellësitë e subkoshiencës së poetit, i cili jep gjithçka nga vetja, që ligjërimi poetik të jetë i larmishëm dhe funksional. Një ligjërim të tillë emocionues e drithërues, e hasim në vargjet e poezisë “Pranë teje, sikur s’kam ikur “: ”Iku dhe ky vit, moj e shtrenjta ime,/ tashmë pak vite më kanë mbetur!…/ Ndërsa ti ende, më ndez flakërime, /me flakën, që të shkrepin sytë nën vetull…/Ikja, si ardhja, është e natyrshme, /me ligjin absolut, në dy skajet jetike./ Prita entuziast, ngjitjen e dobishme, /tani pres gjakftohtë, zbritjen për ikje…”/ …

Te lirikat e dashurisë, linjat e fabulave gurgullojnë e rrjedhin në një shtrat të përbashkët, duke krijuar një unitet të vetëm dhe një simfoni të bukur ,që ngërthen shpirtin e lexuesit. ”Grua të kam veten time të dytë”, është një ndër lirikat e shumta të këtij vëllimi poetik, sa natyraliste aq edhe e jashtëzakonshme, për shkak të koloritit figurativ që merr fizionominë e “krijesës së gjallë”: ”Grua të kam, veten time të dytë,/ me ty, ndjehem i plotësuar në jetë./ Je krijesa hyjnore, që nga gjaku yt, /krijon zogj, me të nesërme në sqep… “ .

 

Te poezia e mjeshtrit Mato, ndeshim përfytyrimin origjinal të vështrimit të realitetit dhe mundësinë për të zhbiruar thelbin e zhvillimeve historiko-shoqërore. Kjo mënyrë e ndërtimit të strukturës së poezisë mbart në ekzistencën e saj mundësi të shumta njohëse dhe ekspresive-emocionale, por edhe mundësinë për të zhbiruar botën e brendshme të heroit lirik. Për më tepër karakteri aktiv në ndërtimin e fabulave me status social e shoqëror, e kthejnë poetin në një hyjni, ku lexuesi percepton shijen e së bukurës e të shëmtuarës përmes dritës fosforeshente të vargut poetik. Fabula e poezisë: ”Të bekuar e të mallkuar”, është mishërim i revoltës së brendshme të poetit, është kredo e misionit të tij gjithënjerëzor, për fatin e individit në rrethana të caktuara historiko-shoqërore: ”Jemi nga Zoti, në vend të bekuar,/ me male, dete, kodra pyllëzuar. /Jemi nga djalli, mallkuar në farë, /me njëri-tjetrin, gati për t’u vrarë “/.Në mbyllje të poezisë, pyetjet retorike përcjellin ndjeshëm mesazhe madhore me karakter universal: ”Kur do mësojmë, të jetojmë si njerëz,/ t’ia lëmë djallin, përjetësisht skëterrës?/ Kur do bëhemi bujar, fisnik, të duruar, /të gëzojmë jetën në këtë vend të bekuar?…”

Nën pushtetin e mjeteve stilistike, të cilat poeti Mato i përdor me masë dhe inteligjencë, janë edhe vargjet e poezisë “Muzgu im”.E shkruar në trajtën e vëtërrëfimit, kjo poezi përcjell përjetimin emocional të muzgut ,që poetit i vjen, i veshur me ngjyra, si të gjithë poetët që kanë pirë pjalm nga natyra, por poetët, me të cilët, ai nisi vrapin në rërë, janë shuar nga kjo jetë, pothuajse të tërë. Mrekullisht bukur shkrihet misteri i vazhdimësisë së ekzistencës së tij në tokë, nëpërmjet simbolikës së veçantë (kandili): “Kandili im, si duket ka ende vaj më tepër,/dhe lëshon fortë flakën e moshës së vjetër…/”, dhe të vërtetën shkencore, se jeta është thjesht energji, shkruar në genin e njeriut, gjë e cila përjetësohet te kuptimi i thellë i vargut matojan.

Poezia “Puth diellin çdo mëngjes” që mbyll domethënien e botimit të këtij libri në perëndim të jetës së autorit, shprehet me vargjet: “Dua të vdes, në një agim të ri,/ duke puthur çdo mëngjes diellin në sy,/ derisa të m’i ngjyej lotët, me vezullim, për të ujitur trëndafilat e varrit tim!…”

Duke ndjekur me kujdes procesin e ndërtimit të poezive, fjala artistike fiton një epërsi të veçantë, duke i servirur lexuesit rrjedhën e triumfit të shpirtit, lartësimin e mundimshëm të dashurisë njerëzore, drejt përkorrjes morale, që është gjeneratori që vë në lëvizje jetën tokësore. Përfundimisht, ”Perëndim i vagëlluar” është një përmendore artistike, që komunikon me lexuesit me melodinë e gjuhës së shpirtit. Ky vëllim poetik me vlera të padiskutueshme letrare, artistike e njerëzore, do të zërë patjetër vendin meritor në panteonin e artë të letërsisë shqipe.

          Siç shkruhet edhe në historinë e letërsisë shqipe, “Shkrimtari Vullnet Mato ka në fokus të rrëfimeve të tij, raportet e njeriut me të kaluarën. Ai është një shkrimtar, poet dhe kulturolog, me një pasuri të madhe prurjesh estetike, tituj shkrimesh e librash, ese, reportazhe, polemika, poezi që vazhdojnë ta pasurojnë titujt dhe spektrat e këndvështrimit poetik, shkurt një autor i mirënjohur i letrave shqipe.”

 

Autorja: Mësuese letërsie, Fier

 

15 views0 comments

Commenti


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page